Dosja e plotë e Prokurorisë:
Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për shtetasit Armand Koçerri dhe Nezar Seiti, të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, të kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal. Këta dy persona janë arrestuar në kuadër të hetimeve që po zhvillon Prokuroria për Krime të Rënda ndaj një grupi të struktruar kriminal, të njohur si “Habilaj”.
I dyshuari Koçerri u arrestua në flagrancë pasi, në vijim të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, në shtëpinë e tij në Babicë të Vlorës u gjetën rreth 4 ton lëndë narkotike kanabis sattiva, në gjendje të tharë dhe gati për trafikim.
Ndërsa i dyshuari Seiti u ndalua me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda. Ai ka qenë nën hetim, në kuadër të një procedimi penal që po kryej pranë kësaj prokurorie. Por, deri në momentin e ndalimit të tij, nuk ishin siguruar prova të plota në ngarkim të tij nga hetimet e kryera në territorin shqiptar. Ndërkohë, provat e mjaftueshme për të siguruar ndalimin e tij u siguruan në bashkëpunim me autoritetet italiane, të cilat organizuan disa ditë më parë, në Itali, një operacion kundër disa anëtarëve të tjerë të këtij grupi kriminal.
Në vijim të komunikimit me autoritetet italiane, Prokuroria për Krime të Rënda siguroi të dhënat e mjaftueshme në ngarkim të tij dhe urdhëroi ndalimin, i cili u realizua nga ana e Policisë Gjyqësore.
Gjykata për Krime të Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për të dyshuarin Koçerri, si edhe “arrest me burg” me afat për të dyshuarin Seiti, duke i lënë kohë Prokurorisë të paraqesë në një seancë të ardhshme përkthimet e plota zyrtare të materialeve të mbërritura nga Italia në ngarkim të tij.
Në bazë të akteve hetimore të deritanishme, rezulton se:
Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedim penal ndaj grupit të njohur si “Habilaj” në vitin 2016, në bazë të informacioneve të siguruara nga shërbimet inteligjente. Në këtë informacion flitej edhe për përfshirje të zyrtarëve të policisë. Pas verifikimeve të nevojshme të këtij materiali, Prokuroria ka zhvilluar hetimet e saj, duke mbajtur në konsideratë edhe faktin se, përfshirja e dyshuar e zyrtarëve të policisë në bashkëpunim me trafikantët, mund të cënonte procesin hetimor.
Në Prill 2017, pra, rreth një vit pasi Prokuroria për Krime të Rënda kishte regjistruar procedim penal ndaj këtij grupi, nga ana e Policisë së Vlorës është përcjellë një material referues, i cili kishte nevojë për shumë veprime të tjera hetimore shtesë për të siguruar provat e nevojshme ligjore. Deri në Tetor 2017, nuk u arritën të siguroheshin prova të plota ligjore mbi aktivitetin kriminal të anëtarëve të këtij grupi. Ndërkohë, autoritetet italiane, në vijim të një hetimi të nisur prej tyre në vitin 2013, goditën anëtarë të këtij grupi në Itali. Në bazë të të dhënave të bëra publike për këtë operacion në Itali, Prokuroria për Krime regjistroi një tjetër procedim penal. Pasi u konstatua se bëhej fjalë për të njëjtët persona, për të cilët Prokuroria për Krime të Rënda kishte regjistruar procedim penal në vitin 2016, atëherë u vendos bashkimi i procedimeve penale.
Nga ana e autoriteteve italiane të drejtësisë është arrestuar personi në hetim Moisi Habilaj dhe disa persona të tjerë, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të Trafikimit të narkotikëve, kryer në bashkëpunim, në formë të posacme të grupit të strukturuar kriminal. Arrestimi i këtij shtetasi është bërë në funksion të hetimeve që Autoritetet Italiane po zhvillojnë në lidhje me faktin e sekuestrimit të sasisë prej 3.5 ton lëndë narkotike të llojit Cannabis Sativa. Nga hetimet rezulton se shtetasi Moisi Habilaj në bashkëpunim me shtetasin Nezar Seiti dhe disa persona të tjerë, kanë arritur të bëjnë të mundur kultivimin e sasive të konsiderueshme të lëndës narkotike dhe trafikimin e saj në mënyrë të organizuar nga Shqipëria në Itali, duke vepruar në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Më datë 18.10.2017, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Armand Koçerri në fshatin Babic e Vogël, tek një dhomë të katit të parë është gjetur dhe sekuestruar sasia e lëndës narkotike e llojit cannabis sativa, prej 3978 kg, e paketuar në disa pako të mbështjella me qese natribani.
Në kuadër të këtij operacioni në Vlorë, është gjetur dhe sekuestruar mjeti lundrues gomone, i cili dyshohet se është përdorur nga grupi kriminal për trafikimin e lëndës narkotike.
Në këto rrethana, nga policia gjyqësore, me datë 18.10.2017 është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Armand Koçerri, për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/2 dhe 333/a të Kodit Penal. Po ashtu, me urdhër të Prokurorit është kryer ndalimi i shtetasit Nezar Seiti pasi dyshohet si anëtar i grupit kriminal.
d.c./shqiptarja.com