Dosja e tërmetit/ Mes të arrestuarve si abuzues edhe biznesmeni që ndërtoi pallatin e Bashës në Vlorë

TIRANE-Mes 31 të arrestuarve nga 42 urdhër arreste që lëshoi prokuroria e kryeqytetit për dosjen e tërmetit është edhe biznesmeni Gerti Çalliku. Ky i fundit është një emër i njohur, i lakuar shumë herë në vitin 2013-15, pasi ndërtoi kompleksion “Jon” në “Ujin e Ftohtë” në Vlorë, të njohur ndryshe edhe si pallati i vjehrrit të kreut të PD-së, Lulzim Basha. Biznesmeni Çalliku, administrator i kompaninë “GBA-Studio”, ndërtoi kompleksin “Jon” të rrëzuar me tritol në 17 dhjetor 2013.

Çalliku njihet që ka lidhje të forta me Xhuvi Sharxhin, ky i fundit bashkëpronar në kompleksion “Jon” me Xhaver Isufin, vjehrrin e kreut të PD Lulzim Basha. Çalliku ka ndërtuar edhe disa pallate në Tiranë, ndërsa mbrëmjen e djeshme u prangos nga policia. Gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno i ftuar në studion e emisionit 'Repolitix' u shpreh se Çalliku është shumë afër me familjen e Lulzim Bashës dhe personi kryesor mes të arrestuarve. 

"Gerti Çalliku është njeri i afërt me PD-në. Ndërtoi treçerekun e pallatit të kompleksit "Jon" në Vlorë, është shumë afër familjes Basha dhe ndërtues i disa pallateve dhe përfitues i disa lejeve të ndërtimit kur drejtonte Lulzim Basha dhe personi që ka përfituar dëmshpërblimin e kompleksit, jo vetëm nga Strasburgu po edhe nga qeveria shqiptare. Ky është njeriu kryesor mes të arrestuarve për gjykimin tim, është më i rëndësishmi. Nuk është vetëm ndërtues, por edhe kolaudues dhe arkitekt.

Nuk e kam të qartë për cfarë e akuzon prokuroria Çallikun, por pjesa dërrmuese janë zyrtarë të qeverisë së djathtë, të komunave në Farkë, Kashar dhe Vorë. Këto institucione në kohën kur kanë ekzistuar janë drejtuar nga PD-ja. Hetimi nuk ka prekur ndërtimet në qendër të Tiranës, por vetëm në periferi, ku ka pasur dëmtime dhe denoncime. Hetimi sapo ka filluar" u shpreh gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno.

Biznesmenin Gerti Çalliku dhe zyrtarët e tjerë të arrestuar, prokuroria i akuzon për shkelje të rënda; si projekte të ndryshuara, mungesë dokumentacioni në raportet sizmologjike, mungesë të cilësisë së materialeve ndërtimore si hekur e beton si dhe shumë dokumente të cilat nuk korrespondojnë me lejet e dhëna. Prokuroria e Tiranës sot bëri bilancin e operacionit “Tërmeti” ku nga 42 urdhër arresti 31 janë ekzekutuar mes tyre dhe prangosja e ish komunarëve lokal të PD-së, Fatbardh Plaku dhe Besnik Fuçia, por edhe Faik Fejzo, një tjetër i arrestuar, ka qenë ish-kryetar i komunës së Kasharit në vitin 2003.

Pas Durrësit dhe Tiranës, operacioni i radhës i arrestimeve, sipas gazetarit Elton Qyno do të jetë në Krujë. "Një operacion tjetër do të bëhet shumë shpejt në Krujë, pasi pas Durrësit është më i dëmtuari. Deri tani kemi dy procedime, por nuk ka pasur arrestime. Edhe në Lezhë dhe Laç kemi hetime, por në Krujë është rasti më i rëndë" përfundoi ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:15
Mashtrimi i dytë i pronarëve të ‘Fly Ernest’/ Inxhinieri: Qeveria të përgjigjet! Zv/ ministri: S'e di kush u paraqit për licencën

Mbrëmjen e sotme në emisionin Repolitix u komentua nga të ftuarit edhe mashtrimi që u zbulua nga investigimi i Shqiptarja.com dhe Report Tv zbuluan pak ditë më parë ku rezultoi se familja Xhelo e "Belle Air" fshihej pas "Fly Ernest", që iu pezullua licenca. Inxhinieri Arben Meçe u shpreh se qeveria duhet të përgjigjet për këtë që ka ndodhur, pasi është ajo që e jep licencën, por zv/ ministri i Transporteve Ilir Bejtja tha se nuk e di se kush është paraqitur për të marrë licencën nga kompania ajrore (lexo ketu te plote investigimin e plote).

Debati në studio
Drejtuesi i emisionit Denis Minga: Një pyetjet për kompaninë 'Fly Ernest', çfarë do të bëhet me ata që kanë humbur lekët?

Zv/ministri Ilir Bejtja:  Cdo kompani ka fonde sigurimi. Nëse falimenton, dhe kjo ka elementët e veta nga ekzekutimi i llogarive dhe asteve dhe kur mbaron u mbetet aksioneve deri në qindarkën e fundit. Është proces ligjor kur shpall falimentimi këto janë risqet.

Drejtuesi i emisionit Denis Minga:  Kjo mund të shërbejnë si lojë që shkojnë në falimentim, a duhet të ndryshohet legjislacioni?

Zv/ministri Ilir Bejtja:  Kemi pasur edhe kompani karburantesh që falimentoi para një viti me tollona. Ky është interes privat dhe jo publik. Cdo biletë që prihet ka një sistem që garanton marrëdhënieve e palëve për standardet dhe kushtet dhe garancia për të fluturuar. Ndodhin këto ngjaje, ata që kanë qenë të fundit që kanë prerë biletë humbin.

Gazetari Elton Qyno: A është marrë masë për sekuestro ndaj kësaj kompanie?

Zv/ministri Ilir Bejtja:  Nuk i bën ministria këto akte. Ne i ndalojmë licencën.

Gazetari Elton Qyno: E keni pezulluar?

Zv/ministri Ilir Bejtja:  Absolutisht është pezulluar.

Inxhinieri Arben Meçe: Ju kapët një fenomen, falimentimi është fenomen i ekonomisë së tregut. Por ajo që është shqetësuese për këtë kompani, është përgjigja që qeveria duhet të japë me doemos. 'Belle Air' çuditërisht një ditë të bukur largohet nga Shqipëria duke lënë një dëm të madh edhe rikthehet ai staf në një kompani tjetër dhe sjell të njëjtin dëm. Kjo është garancia që duhet të hapë shteti. Në këtë rast duhet të bëhet një analizë dhe fakti që "Belle Air" u rikthye si staf me një emër tjetër.

Zv/ministri Ilir Bejtja: Stafi një ditë do të punojë. Për cfarë të japë përgjigje qeveria që biletashitësja erdhi këtej matanë, por për pronarët, për aksionerët.

Gazetari Elton Qyno: Të njëjtët pronarë të Belle Air i ka te Fly Ernest sot, pas tre muajsh mund ti kesh me kompani Tomorri...

Inxhinieri Arben Meçe: Licencën e jepni ju, kush u paraqit?

Zv/ministri Ilir Bejtja: S'e di ta them kush u paraqit

Ora 23:08
Riparimi i pallateve, zv/ ministri: Ku ka falimentuar ndërtuesi do të kontraktohen firma të tjera


Zv/ ministri Ilir Bejtja theksoi se në rastet kur ndërtuesi ka falimentuar dhe nuk ka forcë ekonomike për të riparuar dëmet që ka pësuar pallati që ka ndërtuar do të kontraktohen kompani të tjera private për të rregulluar dëmet. "Brenda 70 ditëve, tani kanë mbetur 60, ne duhet të kemi marrë masat për përcaktimin e tenderimeve për dhënien e lejeve për objektet ku duhet ndërhyrë. Në rast se ai që e ka ndërtuar nuk ka ndodhur, do të ndërhyhet me kontratë me firmë ndërtimi. Ministria e Rindërtimit për këtë është. Do të kontraktohen kompani të tjera" tha ai.

Ora 22:32
Nesër duhet të dalë fatura e dëmeve të tërmetit, zv/ ministri: Ende s'ka mbaruar vlerësimi

Në 11 dhjetor të vitit të kaluar, ministri Bledi Çuçi deklaroi se në 16 Janar do të dalë fatura e parë e dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar. Por zv/ ministri Ilir Bejtja, anëtar i shtabit të emergjencës deklaroi në Repolitix se vlerësimi ende nuk ka përfunduar në të gjitha zonat e prekura dhe si rrjedhojë nesër nuk pritet që të kemi faturën e parë.

"Procesi i vlerësimit vijon, ka mbaruar në Krujë dhe Shijak, vijon akoma në Durrës. 4800 objekte në Krujë janë vlerësuar, 9 mijë në Shijak, 19 mijë në Durrës. 32600 objekte në qarkun e Durrësit janë vlerësuar. Edhe Laci dhe Lezha kanë mbaruar si vlerësim. Konferenca e donatorëve synon zgjidhjen në mënyrë definitive të problemit, rindërtimin e zonave të reja urbane.

Sot e kemi përcaktuar fondin për rindërtimin 20 mld lekë. Nëse do të duhet më shumë do të kërkojmë më shumë nga buxheti. Plani është për 22 mijë apartamente. Është ky planifikimi që kemi, mendojmë se me kaq zgjidhim problemin e strehimit për të prekurit nga tërmeti" tha ai.

Ora 21:54
Hetimet për tërmetin/ Inxhinieri Meçe: Arrestimet farsë! 486 pallate në Tiranë pa dosje

Inxhinieri Arben Meçe i ftuar në studion e emisionit Repolitix i cilësoi si farsë arrestimet për dosjen e tërmetit në Tiranë mbrëmjen e djeshme. Ai tha se akuza sjell arrestimet zinxhirë dhe jo sikur po ndodh tani dhe këtu akuzoi prokurorinë për paaftësi. Me të njëjtat akuza që janë arrestuar deri tani 31 zyrtarët dhe biznesmenët në Tiranë, Meçe tha se janë 486 pallate mbi 10 kate në kryeqytet për të cilët nuk ka asnjë veprim, edhe pse 100 nga këto godina kanë pësuar dëmtime nga tërmeti.

"Procesi është farsë, pasi janë tre kryetarë komunash, është e pamundur të arrijë deri te kryetari. Nëse kryetari i Farkës dhe Kasharit arrestohen, edhe piramida zinxhirë duhet të kishte analogji, nga kryetari, drejtorët, shefi i urbanistikës, juristi, inxhinieri, etj. Në Kashar është piramida, ndërsa në Farkë vetëm kryetari është arrestuar. Ka shumë gjëra që nuk shkojnë. Ai e dini ju se për 486 objekte mbi 10 kate në Tiranë nuk ka fare dosje, as kolaudim, as projekt dhe asgjë dhe qytetarët kanë bërë blerjet, por nuk marrin certifikatën.

Nga këta 486, 100 janë të prishur. Po të hapësh të gjitha dosjet, të gjitha kanë mangësi. Këta objekte nuk kanë kaluar asnjë procedurë për të cilën këta të tjerët janë arrestuar. Di që qytetarët që janë futur në këto objekte nuk kanë asnjë dokument pronësor, pasi nuk kanë akt kolaudimi, akt piketimi, dokumentin e sizmikës dhe as regjistrimin në ZVRPP, për të cilën këta janë futur në burg.

Këta 10-katësh kanë marrë leje ndërtimi, kanë bërë ndërtimin, kanë bërë kontratat e shitjes pa bërë regjistrimin. Të gjithë këto objekte u janë shitur qytetarëve dhe tani nuk kanë asnjë dokumentacion si është proceduar. Këta 30 veta që u kapën nuk kanë lidhje, pasi piramida e Kasharit duhet të jetë e njëjtë me atë të Farkës. Në Farkë është arrestuar vetëm kryetari.

Është paaftësi nga prokuroria. Nuk e mbyt njeri ngjarjen e Bashës me këtë hetim. Basha do të vijojë se do të bëjë procesin e domosdoshëm, ndërsa kjo do të venitet në mënyrë të turpshme" tha ai. Por zv/ ministri i Transporteve dhe Energjisë, Ilir Bejtja referuar disa prej zyrtarëve të arrestuar (zgjedhur nga Partia Demokratike) tha se 'përgjegjësia është individuale dhe nuk ka lidhje me forcat politike'.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • I demtuari: 15/01/2020 23:32

    Se cfare po luhet me donacionet sidomos me 15 miljon euro nga BE asnjeri nuk din asgje Asgje nuk eshte pare

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët