Diku në Myzeqe në fillim të viteve ‘60 një vajzë e vogël jetonte ditët e fëmijërisë në një kasolle internimi. Vendi quhej “Ferma Çlirimi” Fier, një emër kontradiktor përballë fatit të njerëzve të inrnuar që mbaheshin aty në kushte burgimi dhe lirie të mohuar.

Vajza e vogël quhej Nesrete Bushati, me një histori familjare në Shkodër po ashtu me burgime të babait, xhaxhait dhe internim të tyre më vonë në një zonë të izoluar të Shkodrës. Nesi, siç e thërrisnin të afërmit ishte larguar nga familja e saj në internim që në moshën 3 vjeç dhe duke ndjekur gjyshen e saj Hatixhe Kazazin kishte përfunduar në këtë fshat internimi në Fier ku mbahej i izoluar daja i saj Osman Kazazi. Fati i saj dhe i gjithë familjes për afro 4 dekada do të lidhej ngushtë me fatin e dajës së saj Osmanit, pranë të cilit do të kalonte vitet e fëmijërisë së hershme, do të kalonte ditët e ankthit kur atë do ta riarrestonin për së dyti pak vite më vonë, do të përjetonte udhëtimet drejt burgut për ta parë për vite me rradhë, pastaj heshtjen dhe ndarjen prej tij që ia impononte diktatura e në fund një ribashkim në rrethana të çuditshme pas një keqkuptimi të gjatë shumë vjeçar.

"Kujtimet e para unë i kam rreth moshës 4-5 vjeç, që aty fillon sepse më herët është më e vështirë t’i mbash mend. Kur unë kam qenë 3 vjeç, daja mbaroi dënimin e parë dhe u internua fillimisht në fermën “Çlirimi” të Fierit dhe pastaj në Shtyllas, pjesën më të madhe të internimit. Në kohën që daja është internuar, familjarët, duke filluar, gjyshja pothuajse rrinte tërë kohës aty, ndërsa motrat e Osmanit e bënin me radhë.

Në fermën “Çlirimi” unë kam jetuar gati 1 vit sepse daja donte që unë të isha aty vazhdimisht", thotë Nesrete Bushati Jegeni.

Nesi kujton se për herë të parë mamaja e saj mbërriti në atë kamp internimi për të vizituar Osmanin bashkë me vëllain e saj të porsalindur.

"Për herë të parë erdhi me vëllanë tim të vogël sepse im vëlla lindi në 1959-n, pra në kohën që daja u internua, lindi im vëlla. Dhe mami ka ardhur pak më vonë për ta takuar meqenëse ishte i vogël vëllai im dhe bile tim vëllai i kanë vënë emrin Shpëtim pikërisht për këtë moment, duke menduar që, meqë Osmani doli nga burgu dhe u internua dhe ky do ishte fundi i burgosjes së Osmanit, edhe e menduan si një shpëtim dhe i vunë edhe emrin vëllait Shpëtim", thotë ajo.

Nesi kujton se në atë kamp internimi ka një kujtim të hidhur e traumatik, i cili i la shenjë të fortë duke i treguar në një ditë të vetme anën më brutale të diktaturës.

"Në moshën 4-vjeçare, unë kam një kujtim shumë të hidhur këtu. Pasi unë isha duke ndenjur te daja me tezen e vogël, më të voglën, Sabirenë, e mbaj mend që kapanoni i internimit ishte një kapanon i gjatë, shumë i gjatë, që ishte ndarë në dhoma. Dhe dhoma e parë që ishte edhe më e vogël, ishte e Osmanit dhe të tjerat ishin më të mëdha dhe ishin për familje më të mëdha. Në atë kohë aty erdhi, u internua edhe një familje me të cilën ne kishim shumë miqësi, pasi babai i tyre ishte mik me dajën, me Osmanin, pasi ishte anëtar i Ballit Kombëtar dhe pastaj ai arriti të arratisej, të ikte, por familja mbeti këtu dhe tërë kohën kanë qenë të internuar. Dhe ata kishin të njëjtën histori. Kishin një vëlla të vetëm, ishte familja Meço ose Meço Rrapaj thirreshin ata. Vetëm një vëlla, Fadilin, që u burgos vazhdimisht dhe këto ishin 4 motra, kishin gjyshen dhe mamanë e tyre dhe tërë kohën këto e kanë kaluar në internim.

Meqenëse ishim familje që njiheshim shumë me njëri-tjetrin, ishim shumë të afërt, pothuajse një familje, shkonim, rrinim te njëri-tjetri. Si duket nuk e shikonte Sigurimi me sy shumë të mirë këtë marrëdhënie, se ishim si një familje, bile ata kishin një dhomë të madhe dhe meqenëse ishin të gjitha gra, ne flinim aty. Daja flinte te dhoma e vet dhe ne flinim atje tek ato", tregon Nesrete Bushati Jegeni.

Atë ditë që Nesi e kujton me dhimbje ishin njoftuar se do t'i vinte për vizitë Osmanit njëra nga motrat e tij, dhe pasi ata do ti dilnin për ta pritur Nesi 4-vjeçare do të rrinte në kamp tek zonjat fqinje. 

"Dhe me një telegram na lajmëruan që në filan ditë do të vijmë, por ata vinin të ngarkuar me ushqime dhe kështu që duhej të dilnim në Fier. Deri në Fier ishte stacioni i autobusit dhe pastaj duhej bërë në këmbë rruga. Bile unë e mbaj mend, rrugën nga Fieri ku dilte daja na priste, sigurisht me leje, se duhej të merrte një leje që ta lejonin të dilte nga vendi ku ishte internuar dhe deri në Fier të shkonte për të na pritur neve, mua më mbante në krahë sepse nuk na merrnin. Vetëm kamionë mund të kishte që lëviznin, por kamionët nuk të merrnin kur e dinin që ishe i internuar. Dhe daja më mbante gjithmonë në krahë, mbaj mend, se isha e vogël dhe ishte një rrugë goxha e gjatë për të ecur në këmbë. Kështu që tezja dhe daja do të shkonin të prisnin këta të tjerët që do vinin nga Tirana, do të shkonin në Fier", thekson ajo.

Pasi ata ishin larguar nga kampi, Nesi kujton mbërritjen me zhurmë të një kamioni para dhomave të tyre të internimit. Ajo kujton urdhrat e prerë të burrave që mbërritën me kamion që iu bërtisnin grave, të cilat Nesi po qëndronte duke i urdhëruar të mblidhnin plaçkat me nxitim se do ti largonin prej aty....

"Edhe u thanë këtyre që do të mblidhni urgjentisht rrobat sepse ju do të tranferoheni. – Po ku do të ikim? – Do ta merrni vesh kur të shkoni. – Po, - i thanë ata, - ka mundësi të presim pak se ne kemi këtë vajzën e vogël që nuk është e jona? Dhe duhet të presim familjarët e saj që të vijnë dhe pastaj ne mund të nisemi. – Absolutisht jo, - thanë, - merreni me vete edhe këtë fëmijë, nuk duam t’ia dimë. Dhe e kam të gjallë në mendje se si i kanë marrë ato rrobat e tyre, i kanë hedhur në kamion kështu sikur, nuk di ta shpjegoj, në një mënyrë çnjerëzore",shton ajo.

Nesi kujton se edhe gjyshen e familjes një zonjë e moshuar, dhe e verbër mbi të 80-tat e hipën mbi kamionin e hapur mbi plaçkat e hedhura në karroceri, bashkë me gjithë anëtarët e tjerë të familjes. Bashkë me ta në atë kamion e pa veten edhe Nesi e vogël e traumatizuar, pa e ditur ku po i çonin dhe nëse do ta shihte më familjen e saj apo jo.

"Gjatë rrugës, kaluam në Fier, kaluam edhe Fierin, edhe filloi një shi i imët dhe mbaj mend që çfarë kishin ato batanije na mbuluan që të mos lageshim. Unë qaja gjatë tërë kohës: ku po na çojnë? Doja njerëzit e mi. Dhe ai i Sigurimit, se e mbaj mend, ka qenë, njëri ishte i veshur ushtarak, polic, dhe tjetri ishte civil, që ai duhej të ishte i Sigurimit. Ai bile doli një moment, hapi atë xhamin e pjesës së përparme të kamionit, edhe doli, tha: mbylljani gojën asaj, atij fëmije, se na çmendi duke qarë. Edhe unë fillova të qaja non stop pastaj, nga frika. Kur më në fund, kaluam edhe Roskovecin dhe këta i çuan në Kurjan dhe mbaj mend, rezervuari i Kurjanit, vinte makina rreth e rrotull rezervuarit dhe pastaj ngjitej në kodër ku ishin shtëpitë. Ishin disa shtëpi, 3-4, që kishte kryesisht të internuar aty. Dhe ishte i mbushur në maksimum me ujë dhe unë kur e pashë atë rezervuar u tmerrova dhe fillova të qaja: obobo do na mbysin teze Beti (se Beti ishte motra më e madhe e familjes). Dhe unë që qaja me të madhe: bobo po na mbysin. Aq u tmerrova dhe e kam kështu atë moment", shprehet Nesrete Bushati Jegeni.

Si të kishte jetuar një skenë filmi dramatik, Nesi kujton çdo detaj të asaj dite. Kujton edhe mbërritjen majë kodrës ku ishin shtëpitë dhe një oborr i mbuluar nga balta.

"Ishte një oborr tërë baltë dhe si i kanë hedhur nga kamioni ato rrobat në baltë! Nuk pyetën fare, vetëm kështu, i shkarkuan, i hodhën në baltë dhe ato pastaj duke qarë kap rrobat, ku t’i sistemonin, ku t’i lanin, sapo kishin vajtur. U sistemuan disi dhe 3 ditë këta të mitë po u luante mendja se s’dinin se ku ishim. Mendoje, tërë rrugës nuk u thanë se ku do t’i çonin. Vetëm në momentin kur i kanë çuar dhe e morën vesh që këtu do të qëndrojnë", nënvizon Nesrete Bushati Jegeni.

Aty në atë vend të panjohur  Nesi do të qëndronte 3 ditë. Askush nga të afërmit e saj nuk e dinte se ku ishte vogëlushja. Derisa një moment njëra nga vajzat e fqinjve që e kishin marrë me vete arriti të njoftojë dajën e saj Osmanin në fermën “Çlirim”.

"Pastaj, më e madhja nga vajzat e asaj familjeje ka zbritur në Roskovec, edhe i ka lajmëruar këta të mitë që jemi në filan vend dhe hajdeni merreni Nesin, se unë e kam emrin Nesrete, por Nesi më thërrasin shkurt. Edhe ka ardhur pastaj tezja dhe më ka marrë. Edhe kujtoj atë momentin kur erdhi duke qarë. Qaj ato e qaj tezja, se ua dinin vuajtjet njëri-tjetrit. Ky ka qenë një moment që nuk e harroj kurrë", thotë ajo.

***

Kjo ngjarje e një kohe të largët, kur Nesi ishte vetëm 4 vjeç shenjoi edhe marrdhënien e saj me dajën Osman Kazazi, thelbin e persekutimit të të cilit do ta zbulonte vit pas viti, episod pas episodi...

Osman Kazazi i lindur në Tiranë më 9 korrik 1917, ishte  djali i vetëm i Abdulla Kazazit e Hatixhe Huta.  Vëllai i vetëm i 5 motrave, Osmani u rrit në një familje qytetare tiranase. Pasi mbaroi shkollën fillore në Tiranë, Osmani vazhdoi studimet në "Gjimnazin e Shkodrës dhe në shtator 1939 regjistrohet në universitein 'La Sapienza"në Romë, dega farmaci, ku studioi për 3 vite. Ne Romë, midis te internuarve e studentëve shqiptar antifashist fillon aktivitetin e tij politik për lirinë e kombit të tij dhe për vendosjen e demokracisë.

Në verën e vitit 1942 Osman Kazazi  kthehet për pushimet verore dhe vendos të ndërpresë studimet e t'i bashkohet rezistencës antiitaliane në Shqipëri duke marrë pjesë aktivisht në rradhët  e Ballit Kombëtar, sidomos në shtypin e kësaj organizate e në organizimin e rezistencës antifashiste në Tiranë. Me mbarimin e luftës dhe ardhjen në pushtet të komunistëve nis kalvari i vuajtjeve të tij në diktaturë, pasi ende pa mbaruar mirë lufta, më 14 Nëntor 1944, komunistët e arrestojnë si aktivist të Ballit Kombëtar dhe e dënojnë me 15 vite burg.

"Në burgun e parë daja është arrestuar më 14 nëntor 1944, kur ishte vetëm gjysma e Tiranës e marrë nga komunistët e asaj kohe, pra pa u marrë e tërë Tirana është arrestuar daja", thotë ajo.

Në kohën kur lindi mbesa e tij Nesi, Osmani ishte ende duke vuajtur burgimin e tij të parë. Vetëm gjatë viteve të internimit dhe pak kohë para burgimit të tij të dytë, ai do të  mund të përjetonte vitet fëminore të mbesës së tij....

"Pak kohë më pas, e transferuan edhe dajën, e çuan në Shtyllas. Atje kishte një dhomë të vogël, por kishte edhe një depo ku gatuanim. Gjyshja pjesën më të madhe të kohës e kalonte aty. Tezet pastaj, se tezet herë me punë, herë i nxirrnin nga puna, herë i fusnin në punë, pastaj prej dajës prapë i nxirrnin. Dhe aty ka jetuar deri në 1964-ën, d.m.th. si të thuash, ndër 40 vitet që daja bëri burg, ishin vitet më të lumtura të gjyshes se kishte edhe mundësinë të rrinte me djalin.

E donin aq shumë njëri-tjetrin. Daja ka qenë edhe si natyrë shumë i dashur dhe d.m.th. bënte shumë edhe pas motrave, edhe pas nënës. D.m.th. nuk ndodhte që në mëngjes të nisej për në punë pa i përqafuar të gjithë me radhë, duke na përfshirë edhe ne fëmijët. E kishte kështu rutinë këtë gjë. Edhe nëna, sigurisht, që as bëhej fjalë që do ta përqafonte, bile më shumë sesa gocat. Me gocat ishte më e rreptë, si të thuash, në sensin që më e ftohtë, më e rreptë, se i dukej sikur tani ato ishin që do ta mbanin barrën e shtëpisë edhe kur Osmani të ishte jashtë, se Osmani kishte shumë gjëra për të shijuar", shprehet ajo.

Pas vitit 1964, siç shpjegon Nesi, Osmani u lirua nga internimi dhe kaloi 2 vite në Tiranë. Ato dy vite janë të mbushura me kujdes ekstrem dhe lumturi të vogla familjare.

"Mbaj mend që daja, edhe ato 2 vite që ka ndenjur jashtë, pothuajse s’dilte fare sepse e gjurmonin gjithmonë dhe ishte edhe ajo frika e këtyre të familjes që, më mirë mos dil se mund të të shpëtojë ndonjë fjalë sepse edhe nuk e përmbante veten kur shikonte gjëra që nuk i pëlqenin. Nuk mundej ta mbante pa e folur. Edhe ishte gjithmonë kjo frika dhe pothuajse nuk dilte fare. Mbaj mend vetëm te tezet që ishin të martuara, te ndonjë farefis aty përballë, që ishin te Kazazët aty përballë, d.m.th. në një rreth shumë të ngushtë. Edhe në kinema kur shkonim, në kinema mbaj mend, se ne e kemi pasur shtëpinë te kinema “17 Nëntori”, edhe shkonim komplet familja që e merrnim d.m.th. edhe dajën me vete.

Shkonim të tërë, s’bëhej fjalë që të shkonte daja me në shok ose me një. E kishte shumë të ngushtë pra, edhe te shokët kur shkonte, shkonte, edhe kishte frikë në fakt se thoshte, jo për veten, mendonte se mund t’i bënte dëm të tjerëve ku do shkonte, Këto kanë qenë 2 vitet e dajës, por, jashtë shtëpisë d.m.th., por gjithmonë i lumtur që ishte me familjen. Pastaj erdhi prapë 1966-a që iu rikthye përsëri asaj jete plot peripeci e vuajtje", thotë ajo.

Ishte një ditë që e kishin perceptuar me frikë kushedi sa herë në ato dy vite lirie të rrejshme. Dukem e ndjekur hap pas hapi, i përgjuar 24 orë pa ndërprerje Osman Kazazi arrestohet për së dyti në  tetor 1966. Kjo fletë e aktakuzës së tij shpjegon gjithçka. Regjimi ishte betuar ta mbante përgjithmonë në burg këtë legjendë të qëndresës. Edhe pse ai  dhe familja ishte ruajtur në ekstrem, regjimi do ta gjente mënyrën dhe do ta akuzonte se ai kishte mendime dhe ide kundër regjimit komunist.

“Me datën 31 tetor 1966, Organet e Punëve të Brendshme arrestuan për veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor të pandehurin Osman Kazazi, banues në qytetin e Tiranës.

Nga hetimet e zhvilluara rezultoi: i pandehuri Osman Kazazi ka qenë i dënuar me 15 vjet heqje lirie për veprimtari armiqësore, si eksponent i organizatës tradhtare të Ballit Kombëtar. Pas lirimit nga burgu, për rrezikshmëri shoqërore, është internuar për 5 vjet në rrethin e Fierit.

I pandehuri Osman Kazazi, si element armik i vendosur kundër pushtetit, fill pas lirimit nga burgu, si gjatë kohës së internimit dhe në vazhdim deri në ditën e arrestimit të tij, ka zhvilluar biseda armiqësore me persona të ndryshëm kundër pushtetit popullor, biseda të cilat kanë synuar minimin dhe dobësimin e pushtetit popullor...”

Pas këtij arrestimi, Osman Kazazi nuk do ta përjetonte më lirinë deri në grahmat e fundit të diktaturës.

Nesi thotë se, pas burgimit të tij të dytë, familja e tronditur do të riniste shtegtimin e dhimbshëm nëpër burgjet ku diktatura do ta izolonte Osman Kazazin. Në ato shtegtime dhimbjeje, me trastat në krah, e ëma e Osmanit, Hatixhja, shoqërohej gjithmonë nga njëra prej vajzave. Por me kalimin e viteve, ajo që kishte më shumë mundësi për ta shoqëruar do të ishte nëna e saj. Nesi kujton se në ato vizita shpesh shkonte edhe ajo për ta takuar dajën e saj në burg, derisa një ditë ia ndaluan rreptësisht.

"Kur kam qenë në klasën e 7-të, ka qenë hera e fundit që unë kam shkuar të takoj dajën në burg sepse këta të kryesisë së Frontit e thirrën tezen e vogël dhe i thanë që po i edukoni shumë keq fëmijët duke i çuar të takojnë një armik klase, një armik të popullit dhe po i frymëzoni gabimisht. Duhet ta kuptojnë fëmijët që ai njeri nuk duhet takuar. Dhe për të na mbrojtur neve, në fakt e konsultuan këtë gjë edhe në një takim me dajën, ia thanë kështu si, normale, nuk mund të flitej hapur, edhe në letra shkruhej me nënkuptime, edhe bisedat në burg bëheshin me shumë nënkuptime. Dhe ai d.m.th. qe kategorik: absolutisht jo, - tha, - duhet t’i mbrojmë fëmijët. Dhe që nga ai moment, unë nuk kam mundur të shkoj ta takoj dajën dhe për herë të parë, pas shumë vitesh, ka qenë shumë e dhimbshme, ne jemi takuar kur daja doli nga burgu në 1986-n dhe bile unë atë ditë jam kthyer edhe vonë në shtëpi sepse kam punuar në sallë operacioni, si infermiere salle operacioni në Sanatorium, dhe patëm një urgjencë fatkeqësisht dhe unë jam kthyer vonë. Kur kam hyrë në derë, daja tha: Nesi? D.m.th. me një dyshim, është apo s’është?”, thotë Nesrete Bushati Jegeni.

Ai takim pas shumë viteve ndarje është po ashtu i pashlyeshëm në kujtimet e Nesit. Daja që ajo kujtonte nuk ekzistonte më. Vuajtjet e burgut dhe vitet kishin lënë shenja të forta tek ai. Ishte afro 70 vjeç me një pamje të rrënuar shumë larg asaj që Nesi mbante mend. 

"Kam mbetur kështu kur e kam parë. Daja ka qenë me flokë kaçurrelë. Unë e mbaja mend me flokë kaçurrelë dhe ishte totalisht i qethur, kur kishte dalë nga burgu. I thinjur totalisht. Dhe jemi përqafuar. Sigurisht ishte shumë mallëngjyese, qaj unë, qaj ai. Shtëpia ishte mbushur plot me njerëz", nënvizon ajo.

Atë natë të dy, dajë e mbesë, do të zbulonin se veç mallit, fati dhe rrethanat e largësisë mes tyre ju kishin ngritur edhe një kurth.

“Pak kohë pasi u takuam me njëri-tjetrin ka nxjerrë një fotografi të një reviste, një kopertinë reviste, nga xhepi dhe tha: kam vite që e ruaj këtë dhe mendoj se je ti. Ishte një kopertinë e revistës “Shkenca dhe jeta” që dilte atëherë. Aty ishte një nxënëse në laboratorin e Kimisë të shkollës “Sami Frashëri”. Edhe unë e kam mbaruar gjimnazin te “Sami Frashëri”. Me flokë të zinj kaçurrelë, të kapur nga prapa, të lidhur bisht, identik siç i mbaja unë. Dhe ky mendonte se isha unë në atë foto, pasi unë kam mbaruar gjimnazin me mesataren 10, por shkolla nuk bëhej fjalë, nuk m’u dha asnjëherë. Bile më caktuan të marr se merrje, po të mbaroje me 10-a merrje një medalje atëherë, dhe kishe të drejtë të zgjidhje degën që doje, dhe në momentet e fundit ma hoqën këtë të drejtë dhe ia dhanë dikujt tjetër sepse u mor vesh që kisha këto probleme. Dhe daja tani mendonte se më kishin nxjerrë mua në atë revistë, por s’bëhej fjalë.

Në pozitat që isha unë, s’më nxirrte kush aty. Dhe ai kishte vite që e ruante, me mendjen që isha unë. Nuk ia kam thënë atë moment se nuk doja ta zhgënjeja. Të nesërmen ia kam thënë: ti e ke ruajtur dhe mirë ke bërë që e ke ruajtur, por s’jam unë aty. Nuk jam unë aty, se dhe mua nuk, kush më nxirrte në kopertinat e revistave të asaj kohe. Dhe nuk di ta përshkruaj atë moment se ç’pamje mori fytyra e tij. Mendoje çfarë, një zhgënjim, një dhimbje, se kishte vite që e ruante me mendjen se isha unë dhe doli që kishte ruajtur dikë tjetër. Ndoshta edhe e ka përqafuar çdo ditë, para se të, çdo natë para se të flinte, i ziu. Por s’isha unë. Dhe kjo është një pjesëz e diçkaje që tregon se si njerëzit në atë kohë ndaheshin me njëri-tjetrin”, thotë ajo.