Dy vëllezër të fisit Thani në Dukagjin e kishin tronditur regjimin me rezistencën e tyre gjatë ditëve të masakrave komuniste në veri. I pari Zefi do ta paguante me jetë pasi komunistët do ta pushkatonin ndërsa tjetri Prek Thani, do t’i thyente prangat e do të arratisej nga burgu, duke e vijuar luftën në arrati... Si u hakmor regjimi duke burgosur gjithë burrat e familjes dhe si do vijonte jeta me persekutim e pasardhësve....
Dy ngjarje që lidheshin me dy djemtë e Tomë Nokës, do ta shokonin popullsinë e e Dukagjinit: pushkatimi i Zefit dhe arratisja spektakolare e Prek Tomë Thanit. Ndërkohë i gjithë fisi ishte vënë në persekutim të egër dhe meshkujt mbi 16 vjeç do të kalonin njëri pas tjetrit kalvarin e vështirë të burgjeve të komunizmit.
Tomë Noka e Nik Noka, dy nipërit e Prelë Nikë Lucës, ndarë nga jeta pas ditëve të vështira me tortura në vitin 1945, për fat të mirë, nuk do ta shihnin këtë tragjedi që luhej tek pasardhësit e tyre. Ata kishin mbyllur sytë me shpresë se ajo derë e fisme që kishte lindur e rritur gjithmonë trima, do të vazhdonte ta mbante gjallë patriotizmin dhe do të trashëgonte breza të tjerë trimash....
Në fisin e Prelë Nik Lucës në Plan të Dukagjinit, regjimi komunist kishte shkaktuar terror e viktima që në ditët e para të diktaturës.
Dy nipërit e prelë Nikë Lucës, Tom Noka e Nik Noka ishin arrestuar me akuza absurde dhe ishin përballur në hetuesi me tortura çnjerëzore. Kishin luftuar gjithë jetën e tyre në mbrojtjen e atdheut, në çdo betejë ku ushtritë sllave kishin depërtuar në trojet shqiptare, kishin lënë dëshmorë prej fisit të tyre, e megjithatë, regjimi komunist nuk i kishte kursyer.
Gjergj Prela, së bashku me kushërinjtë e tij Gjon Mhill Thani dhe Nosh Rrushaj, tregojnë se goditjet prej komunizmit do të ishin nga të gjithë anët, dhe do ta pësonin të gjithë pasardhësit e Prelë Nikë Lucës, në të gjithë degët e fisit, persekutim, që do të zgjaste për gjatë gjithë viteve të regjimit komunist.
Vuajtjet e pasardhësve të Tom Nokës
Tom Noka, gjyshi i Gjergjit, kishte lënë 4 djem, Prelë Tomën, Prek Tomën, Pjetër Tomën dhe Zef Tomën. Ky i fundit ishte dhe martiri i parë i familjes i pushkatuar prej komunistëve.
Gjergji dhe Gjoni tregojnë fillimisht për pushkatimin e Zef Tomës.
“Kur u dorëzua Pal Thani, kam pasur një xhaxha ushtar në kodrën e Shëngjergjit, e kapën, i bënë akuza të rreme siç deshën ata: ke punuar me Pal Thanin, ke mbajtur patër Anton Harapin, në fund e pushkatuan edhe atë në kodrën e Shëngjergjit”.
Kështu e tregon historinë e martirit të parë të familjes, Gjergj Prela, ndërsa kushëriri i tij Gjoni, shton se Zefin para se ta pushkatonin e kishin torturuar.
“E torturuan në mënyrë çnjerëzore, ku e kanë prerë edhe me thikë e futur kripë nëpër plagë vetëm për të pranuar gjëra që nuk ishin të vërteta”, thotë Gjon Mhill Thani.
Pushkatimi i Zefit, pas torturave të paimagjinueshme, kishte lënë përshtypje të rëndë në të gjithë fisin, duke paralajmëruar vuajtje të tjera për ta.
Gjergji thotë se pas kësaj ngjarje të përgjakshme, “filluan burgimet mbarë, të njerëzve tanë. E morën në burg Prel Tomën, Nok Nikën, Nikoll Nikën, Pjetër Tomën, të gjithë i kaluan nëpër burgje. Nok Nika ka bërë 20 vite burg, kurse këta të tjerët në mungesë provash i kapnin e i lëshonin disa herë”.
Gjergji thotë se veç të atit Prelë Tomës kishin arrestuar edhe xhaxhanë e tij Prekë Tomën, i cili do ta trondiste regjimin me arratisjen e tij spektakolare nga burgu i improvizuar ku e mbanin.
“Prek Toma ishte 17-18 vjeç. Erdhi policia e mori dhe e çoi në postën e Zharrit, në burg. Aty e lidhën me hekura, ka këputur hekurat me dhëmbë në birucat e postës së Zharrit. Kisha e Zharrit pat qenë bërë postë policie atëkohë. Ai e theu derën, ka zgjidhur këmbë e duar, ka thyer derën, ka dalë jashtë. Ka ikur në Jugosllavi”, thotë Gjergji.
Gjoni shton me keqardhje se ata gjithherë kishin qenë shtëpi atdhetare, “por na detyruan me gjithfarë mënyrash të lëshonim vendin”.
Gjatë asaj arratisje siç tregon vetë Gjergji, Preka ishte rrethuar e pas një shkëmbimi zjarri dhe banorët e zonës kishin pandehur se ai kishte mbetur i vrarë.
“U rrethua bashkë me Kol Palin. Dikush i paditi. U rrethuan. Krisi pushka. Aty, u plagos Kol Pali ndërsa Preka iku e doli malit përpjetë. Kola i plagosur mori poshtë, ra në Kir në bregun e ujit atje. Më vonë, pasi Preka kishte dalë lart në bjeshkë, ishte kthyer, diku rreth mbrëmjes dhe kishte pyetur disa çobanë: “çfarë ishin ato pushkë?” Ai nuk e dinte nëse Kola kishte mbetur i vrarë apo jo. Ccobanët i kishin thënë se ishte vrarë Prek Thani. Po me kë ka qenë? – kishte pyetur Preka pa ju rënë sy se ai ishte vetë Prek Thani. “Ka qenë me Kol Palin”, - i ishin përgjigjur ccobanët. – “Po Kola? – Kola ka shpëtuar por kanë vrarë Prekën”. Ky Preka ishte vetë”.
Gjergji tregon më tej se pas asaj dite, xhaxhai i tij Preka 18-vjeccar, pasi ishte siguruar se shoku i tij ishte gjallë, kishte kaluar kufirin pa e ditur se ç’po ndodhte me familjen e tij në Shqipëri.
Gjergji vijon më tej rrëfimin e tij duke zbuluar fatin e familjes së mbetur. Gjyshen e tij me një djalë të pushkatuar dhe tjetrin të arratisur e kishin marrë dhe internuar së bashku me Prelën, babanë e Gjergjit dhe nënën e tij.
Ndërkohë që familjarët ishin në internim në Shkodër, Gjergji thotë se xhaxhai i tij, Preka ishte rikthyer fshehurazi në vendlindje, me shpresë për tu ritakuar me familjarët e tij, por sërish ishte detyruar të largohej i vetëm.
“Pas 1 viti erdhi te babai këtu poshtë, mbi Shkodër. U takua me të dhe iku prapë, për të mos u kthyer më në Shqipëri përgjatë gjithë viteve të diktaturës në vijim”, thotë Gjergji.
Vite më vonë kur Sigurimi i Shtetit do të merrte vesh se i arratisuri Prek Toma kishte ardhur e ishte takuar me të vëllanë e internuar Prelën, do ta përdornin këtë fakt për ta riarrestuar babanë e gjergjit Prelën. Ishte vitit 1962, kur ai burgoset sërish për 9 vite rresht, duke lënë gruan me 8 fëmijë, në rrugë të madhe.
“Pas 12 vitesh, më 1962, në gusht 1962, kapën babanë tonë Prel Tomën, e arrestojnë përsëri. Edhe e akuzuan, se ishte takuar me diversantë. Ky nen, e kapte deri në 6 vite, ata, nuk mjaftoheshin me 6 vite ndaj morën edhe 3 dëshmitarë të tjerë, dhe i shtuan akuzën për agjitacion e propagandë, duke i shtuar edhe 6 vite të tjera dënim. I dënuar me 12 vite burg, ai përfitoi vetëm 3 vite falje prej një amnistie dhe 9 vitet e tjera i kaloi në burgje”, - thotë Gjergji, duke shtuar më tej se fati i prek Thanit vijoi në arrati.
“Prek Thani iku në Amerikë, jetoi atje deri më 1991. Nuk u mor më, s’erdhi më në Shqipëri për sa kohë qe diktatura, ndërkohë që të gjithë meshkujt e familjeve tona, të gjithë nëpër burgje, dil e hyr, dil e hyr...”.
Gjergji thotë se historia e xhaxhallarëve dhe e babait të tij mbyllej në fund të regjimit me këtë bilanc të dhimbshëm e prej 4 djemve të gjyshit të tij, Tom Nokës vetëm xhaxhai i Gjergjit, Pjetri mundi tu qëndrojë disi larg burgjeve, por edhe ai i përjetoi burgjet prej së jashtmi me përgjegjësinë për të mbajtur vëllanë e kushërinjtë në burg e njëkohësisht për të mos rënë në kurthet që regjimi ngrinte pareshtur....
E njëjta atmosferë terrori ishte edhe në familjen e vëllait të gjyshit të tij, Nik Nokës dhe pesë djemve të tij, të cilët do të përjetonin burgje dhe persekutim të pandërprerë.
Vuajtjet e pasardhësve të Nik Nokës
Kushëriri i Gjergjit, Gjon Mhill Thani është një prej nipërve të Nik Nokës. Babai i tij Mhilli kaloi po ashtu vite të vështira në burgjet e komunizmit.
“Gjyshi im Nik Noka la 5 djem. Një më i madhi ishte Noka, të cilin e kanë futur 4 herë në burg. Biles herën e katërt është dënuar për agjitacion e propagandë me 7 dëshmitarë, të gjithë fals, të gjitha këto vite i ka bërë në burgjet më të vështira”, thotë Gjoni.
Ai tregon se xhaxhai i tij Nokë Nika, do të kalonte pothuajse gjysmën e viteve të diktaturës në burgjet komuniste. Burgimet e gjata, sipas Gjonit, ishin sfidë jo vetëm për ata që kalonin tortura brenda në burgje, por edhe për gjithë familjarët që duhej ti bënin ballë presioneve jashtë e njëkohësisht të mbanin gjallë të afërmit e tyre të burgosur, me ushqime e veshmbathje.
“Xhaxhanë tim Nok Nikën e kanë futur në burg, 4 herë. Herën e fundit biles ka bërë 8 vite burg për agjitacion e propagandë, edhe torturat kanë qenë nga më çnjerëzoret, duke e futur në një kuti druri, si arkivol edhe duke ia shtrënguar me vida, me mjetet e tyre, duke i ndezur qiriun për ta djegur, duke i futur vezë të ziera nën sqetulla. E më në fund, ai kur u lirua pak jetoi sepse torturat kanë bërë të vetën.
Ndërsa babanë tim e kanë futur 4 herë në burg e janë munduar me çdo mënyrë ta dënojnë, por ka qenë shumë i shkathët nga goja dhe nuk kanë mundur ta dënojnë në masë të madhe por në total i ka bërë 7-8 vite burg. Madje një herë ka pasur 22 dëshmitarë kundër, por nuk kanë mundur ta dënonin sepse nuk kishin material të bollshëm, fakte, sepse deklaratat ishin, më shumë ishin deklarata të cilat i kishin bërë vetë ata, dhe ishin pa baza”, - rrëfen Gjoni.
Nosh Rrushaj, po ashtu është një tjetër nip i Nik Nokës. Babi i tij Kolë Nika, nuk përjetoi burgje të vështira si vëllezërit apo kushërinjtë e tij, por i mbështeti ata nga jashtë përgjatë gjithë viteve të diktaturës. Ai siç tregon Noshi, i kishte numëruar gjithë vitet e burgut që kishin bërë burrat e fisit të tyre.
“Kam dëgjuar babanë tim, vetëm me Partinë e Punës, kanë bërë rreth 53 vite burg, 24 herë në burgje, s’e kanë lënë burgun asnjëherë pa 1 deri 5-6 meshkuj të fisit tonë”, tregon ai.
Gjoni vijon rrëfimin e tij për tre xhaxhallarët e tij Kol Nikën, Gjok Nikën e Ndue Nikën, që ishin tre vëllezërit më të vegjël të familjes së tyre. Sipas tij, ata punuar dhe i bënë ballë regjimit pa e ulur kokën deri në ditët e fundit të diktaturës.
Hidrocentrali që çoi dritat në Dukagjin para Partisë
Noshi, djali i Kolë Nikës, tregon sot se si vëllezërit Nika, punëtorë si askush në ato anë, ndërtuan vetë edhe një minihidrocentral, sipas mësimeve prej njerëzve të ditur, që Noka xhaxhai i madh, kishte marrë në burg gjatë viteve të burgimit të parë.
“Noka, ishte në burg dhe duke ndenjur me njerëz me shkollë, me priftërinj, mësoi prej tyre, se pak a shumë në masë të madhe edhe burgu ka dhënë pak mësim, ai që ka dashur. E mësoi mjeshtërisht për vete, si ai, si babai, edhe xhaxhai tjetër Noka. Kur doli prej burgut i mori vëllezërit e vet, nisën punimet, i bëri dritat para shtetit, në fshatin e tyre në Plan”, tregon Noshi, ndërsa kushëriri i tij Gjoni shton: “Hidrocentrali prodhonte një energji jo shumë e madhe prej 120 llambash, me ujin e Gurrës e cila kalonte afër shtëpisë tonë. E kanë lutur në atë kohë gjithë katundin që të merrnin drita prej nesh, por ata prej frikës së komunizmit ngaqë ishim të persekutuar nuk kanë pranuar të merrnin. Vetëm një shtëpi e mori”.
Noshi tregon më tej se iniciativa e tyre për të elektrifikuar fshatin ishte parë me sy të keq prej funksionarëve të regjimit. E për shkak se ata ishin të persekutuar askush në fshat nuk kishte guxim të merrte prej tyre energji elektrike.
“Ku e more ti këtë iniciativë? Kush të mësoi? Si e si të mund të zbulonin kush ia dha idenë e dritave. Por xhaxhai Noka, nuk tregonte. Më mirë pranonte të vdiste se të pranonte të nxirrte kush e kishte mësuar në burg” , - tregon Noshi, duke saktësuar se ata i çuan dritat në Plan të Dukagjinit shumë më herët se regjimi ta çonte elektrifikimin në ato zona.
Vitet e diktaturës do të rridhnin me këtë ritëm në familjet e pasardhësve të Tomë Nokës e Nik Nokës. Persekutimit të vazhdueshëm secili prej tyre do ti përgjigjej me urtësi dhe punë. Siç dëshmojnë Gjoni dhe Noshi, në familjet e tyre persekutimi vijoi deri në fund. Shumë herë e shihnin veten në zgrip, por bënin kujdes të mos binin në kurthet e ngritura.
“Nuk na kanë lejuar të çojmë asnjë fëmijë në shkollë të lartë, as në shkollë të mesme. Shumë janë munduar të na persekutojnë, të na bllokojnë, sa nuk na jepnin asnjë shpërngulje për t’u larguar prej katundit, vetëm të na mbanin nën kontroll. Edhe të doje të uleshe në Shkodër, nuk të jepnin leje. Babain biles disa herë e kanë nxjerrë edhe para popullit, se ke ikur pa leje.
Edhe mbiemrin na e kanë ndryshuar e nuk na kanë lënë një mbiemër, siç e kishim Thani, por edhe vëllait me vëlla, na kanë caktuar një mbiemër tjetër që nuk ka ekzistuar kurrë te ne, për të shpartalluar fisin”, - dëshmon Gjoni, duke vijuar se regjimi komunist përdori lloj-lloj mënyrash për t’i paralizuar, sidomos shtëpitë e mëdha e fiset e mëdha.
Sipas tij, qëllimi kryesor i komunizmit ishte shkatërrimi i fiseve të mëdha të bajrakut të Planit.
Komente












