Dosja ‘Habilaj’, Shefi i Krimeve
Gjergji Kohila u largua në Greqi

Dosja ‘Habilaj’, Shefi i Krimeve<br />Gjergji Kohila u largua në Greqi<br /><br>
Ish-drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela, ish-shefi i postës kufitare në Dhërmi Sokol Bode dhe ish-shefi i krimeve të Rënda pranë policisë së Vlorës Gjergji Kohila, kërkohet të arrestohen nga prokuroria, pasi dyshohen se kanë trafikuar drogë, duke favorizuar grupin e drejtuar nga Moisi Habilaj. Urdhëri i arrestimit për ish-funksionarët e lartë të policisë, është lëshuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, që prej datës 21 nëntor 2017, ndërkohë prej 48 orësh, burimet pranë prokurorisë thonë se ende nuk janë ekzekutuar nga strukturat e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.

Dyshimet e para tregojnë se për këtë pjesë ka pasur dekonspirim, duke i dhënë mundësi tre personave të largohen, për të mos u arrestuar ende. Nga informacionet që administron Prokuroria e Krimeve të Rënda thuhet se ish-funksionari Gjergji Kohila është larguar drejt Greqisë ndërkohë nuk ka asnjë të dhënë lidhur me vendodhjen e dy ish-funksionarëve të tjerë si Jaeld Çela dhe Sokol Bode.

Çela sipas informacioneve eshte larguar nga vendi para se te firmosej urdher arresti. Në materialin e prokurorisë, e cila ia ka dërguar gjykatës thuhet se tre zyrtarët e policisë kanë bashkëpunuar me elementët kriminale të kësaj organizate, duke i favorizuar në disa raste për trafikimin nga Shqipëria në Itali të sasive të mëdha të lëndëve narkotike.

Prokuroria thotë se megjithëse Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila, kanë pasur dijeni për aktivitetin kriminal të këtij grupi, kanë zgjedhur të mosveprojnë, për shkak të pagesave financiare që ky grup kriminal jepte për ta. Madje në një rast, thotë prokuroria, kur vllezërit Habilaj dhe anëtarët e tjerë të grupit kriminal, po ngarkonin nga Porto-Palermo në një peshkarexhë italiane një sasi prej 1 tonë drogë,patrulla e policisë kufitare e postës së Dhërmiut, megjithëse ka konstatuar hapur trafikimin e drogës, nuk kanë vepruar për të kryer parandalimin e këtij trafiku. Ndërkohë për nxjerjen e urdhërave të arrestit ndaj tre zyrtarëve të policisë së Vlorës, prokuroria ka përdorur dhe materialet hetimore që kanë mbëritur së fundi nga prokuroria e Katanias në Itali.

Në përgjimet që kjo prokurori ka kryer, duket se janë administruar biseda ku përmenden zyrtarët e policisë së Vlorës, të cilët kanë bashkëpunuar ngushtë me anëtarët e tjerë të grupit të “Habilajve”.Në dokumentacionin e mbëritur nga italia bëhet fjalë për një grup kriminal që janë të implikuar rreth 40 persona. Pikërisht në këtë dosje, ka dalë dhe emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili përmendet nga Habilaj, duke nënkuptuar që Tahiri ka dijeni për aktivitetin kriminal dhe madje i blejnë dhe byzylykë floriri për nënën dhe gruan e ish-ministrit të Brendshëm. Moisi dhe Florian Habilaj akuzohen për trafikimin e rreth 3.5 ton kanabis në drejtim të Italisë përgjatë viteve 2013-2017, kohë kur antimafia italiane i mbante në përgjim.

Në këto përgjime, dy vëllezërit por edhe bashkëpunëtorët e tyre në këtë rrjet të trafikimit kanë përmendur pagesa të bëra në adresë të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri si dhe mbylljen e njërit sy nga strukturat e policisë lokale. Më 19 tetor, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi autorizimin e Kuvendit të Shqipërisë për arrestimin e Tahirit, por Partia Socialiste e rrëzoi këtë kërkesë duke e cilësuar të pabazuar në prova. Situata juridike e Tahirit u vështirësua pas 1 nëntorit 2017, kur një partullë policie ndaloi 25-vjeçarin Orest Sota në afërsi të fshatit Balldren në Elbasan, ndërsa gjatë kontrollit të makinës së tij u gjetën 863 mijë euro dhe dy patenta për drejtim mjeti lundrues të Tahirit. Avokatët e Sotës pretenduan se paratë i përkisnin babait të tij, biznesmenit Lefter Sota, por Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaroi se kishte dyshime se shuma prej 863 mijë euro i përkiste ish-ministrit Tahiri dhe kishte si burim aktivitetet kriminale.

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Moti i keq në vend, vështirësi në qarkullim drejt Valbonës, Thethit dhe Vermoshit

Moti i keq në vend, vështirësi në qarkullim drejt Valbonës, Thethit dhe Vermoshit