Gjykata e Posaçme ka rrëzuar këtë të martë (7 prill) kërkesën ish-ministrit të Shëndetësisë dhe ish-kreut të menaxhmit të fondeve të BE-së, Ilir Beqaj për zëvendësim të masës së sigurisë. Pas 21 muajsh në qeli Beqaj ofroi si garanci pasurore 20 mijë euro për lirimin e tij në seancën gjyqësore të 31 marsit.
Po në 31 mars GJKKO rrëzoi kërkesën e bashkëpunëtorit të Beqajt, Ermal Kurtulaj, për liri, edhe pse ai kishte ofruar garanci pasurore. Beqaj dhe Kurtulaj ndodhen në burg që prej 4 korrikut 2024, kur u arrestuan lidhur me dosjen e abuzimeve me fondet e Bashkimit Evropian në SASPAC.
Gjatë fjalës së tij Beqaj theksoi se vendimi për rrëzimin e kërkesës për ndryshimin e masës as nuk e befason dhe as habit. Sipas tij, që pas 10 shkurtit 2025, që përkon me arrestimin e kryebashkiakut Veliaj, asnjë zyrtari apo ish zyrtari të lartë nuk i është privuar liria, prandaj dhe ndryshimi i masës së sigurimit ndaj tij do të dukej si zbehje e luftës kundër korrupsionit.
Beqaj tha se ai mbahet në kafaz edhe në kundërshtim me disa nga vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që e kanë cilësuar këtë praktikë si një mënyrë që bën të perceptohet se i akuzuari, edhe pse i parrezikshëm, shfaqet si një “kriminel i rrezikshëm”.
Sipas SPAK, Ilir Beqaj, në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm i SASPAC-ut, ka urdhëruar Kurtulajn, me të cilin kishte njohjet të hershme pasi kanë qenë ortak të shoqërisë Intech+, që të zbatojë vetëm përgjatë viteve 2022-2023 prokurime fiktive në kundërshtim me ligjet e BE për projektet e EUSAIR, paratë e të cilave përfundonin në xhepat e Beqajt. Tenderat, sipas SPAK, bëheshin vetëm për efekt dokumenti dhe më vonë se nga lidhja dhe zbatimi i kontratës me kompani të ndryshme.
Beqaj akuzohet për 5 vepra penale në dosjen e SASPAC, mes të cilave korrupsion pasiv, shkelje e barazisë në tenderë, falsifikim dokumentesh, mashtrim, mashtrim në bashkëpunim dhe mosdeklarim pasurie në rastin e 50% të kuotave të restorantit “Gzona”, i quajtur ndryshe si “Albanian Food and Hospitality Lab, një apartamenti në Vlorë dhe një makine.
Ndërkohë ndaj Beqaj vijon paralelisht edhe procesi tjetër për koncesionin e sterilizimit. Në kuadër të kësaj dosjeje, SPAK ka vendosur në sekuestro preventive apartamentin e dyshuar të fshehur nga Beqaj, 3 llogari bankare të të pandehurve me vlerë rreth 200 mijë euro gjithsej, 19.4% e aksioneve të “Gzona” dhe 3 makina.
Fjala e plotë e Beqajt
E nderuar zonja gjyqtare,
Kërkoj që të më mundësoni që mbrojtjen në këtë seancë ta bëj në sallë dhe jo në kafazin e sigurisë. Sipas rregullave të sigurisë në gjykata.
E bëj sot këtë kërkesë para jush, sepse sot jeni ju ajo që keni vendosur qe unë duhet te rri në burg në pritje të gjykimit. Them në pritje të gjykimit sepse akuza më është njoftuar para 13 muaj e 20 dite (415 dite).
Veprimet hetimore kanë nisur prej 37 muaj e 7 dite (1132 dite).
Procedimi penal është regjistruar prej 31 muaj e 1 dite (941 dite)
I burgosur jam prej 21 muaj e 3 dite (638 dite).
Mbajtja në kafazin e sigurisë më cenon mbrojtjen efektive. Kështu arsyeton GJEDNJ:
* Në çështjen Svinarenko dhe Slyadnev kundër Rusisë, GJEDNJ konstatoi se mbajtja e të pandehurve ne nje kafaz metalik perben trajtim degradues ne kuptim te nenit 3 të KEDNJ-se dhe demton rende prezumimin e pafajesise ne kuptim te nenit 6.
* Në çështjen Ashot Harutyunyan kunder Armenise, Gjykata theksoi se nje "kafaz hekuri" krijon menjëherë perceptimin se i akuzuari eshte nje "kriminel i rrezikshëm", sidomos ne rastet kur nuk ekziston asnjë rrezik real per sigurinë publike, situatë kjo që i ngjan drejtpërdrejt rastit tim.
* Në çështjen Khodorkovskiy dhe Lebedev kundër Rusisë, GJEDNJ u shpreh edhe më prerë se mbajtja e të pandehurve në kafaz:
* dëmtoi komunikimin me mbrojtesit;
* kufizoi pjesëmarrjen reale dhe të ndërgjegjshme në proces;
* minoi të drejtën për një proces të drejtë.
Këto vendime tregojnë se kafazi i sigurisë nuk është thjesht një detaj i organizimit të sallës, por shkelje në vetvete e nenit 3 dhe nenit 6 te KEDNJ-se, kur nuk provohet domosdoshmëria dhe proporcionaliteti i tij.
Më kujtohet që kryeministri Fatos Nano nuk ka qenë në kafaz në gjykimin ndaj tij, por ka qenë në sallë.
Aktualisht, kryetari i bashkisë së Stambollit në gjykimim ndaj tij është në sallë dhe jo në kafaz.
Vendimi për rrëzimin e kërkesës sime për ndryshimin e mases as më befason dhe as më habit. Mesa duket, një politikan ish-ministër duhet të rrijë me patjetër në burg. Me të drejtë a pa të drejtë, në paraburgim apo në vuajtje dënimi, pak rëndësi ka. Zjarri i luftës antikorrupsion duhet mbajtur gjithnjë ndezur. KEDNJ, GJEDNJ, Kushtetuta, procedura penale janë aksesorë kozmetikë para luftes kunder korrupsionit.
I bëhet qejfi ndërkombëtarëve. I bëhet qejfi edhe opozitës që kërkon monitorim ndërkombëtar pasnesër në Gjykatën e Lartë, paçka se ngaterron me qellim një masë shtrënguese “arrest në shtëpi” me lirim nga burgu.
Zjarri nuk mund të mbahet ndezur me degë, ashkla, shkarpa apo gjethe. Ky zjarr do kërcuj, do trungje.
Zyrtari i lartë i më i fundit me liri të privuar prej 14 muajsh është Erion Veliaj.
Para tij është Ilir Meta (18 muaj me liri të privuar).
Më i hershëm jam unë (21 muaj me liri të privuar).
Seicili i padënuar.
U kërkoj ndjesë të dyve qe i përmend pa miratimin e tyre paraprak.
Meqë pas 10 shkurt 2025 nuk i është privuar liria asnjë zyrtari apo ish zyrtari të lartë, ndryshimi i masës se sigurimit ndaj meje do të dukej si zbehje e luftës kundër korrupsionit.
Meqë akuza pretendon se është fjala për të drejtë europiane,
Meqë organi i akuzës pretendon se une kam cënuar rrugën e Shqipërisë në integrimin europian,
Meqë gjykatat janë shprehur për zbatim të tërthortë të legjislacionit europian,
Meqë jam sot para Strukturës së Posaçme Antikorrupsion,
Si dhe për ti bërë qejfin deri në fund ndërkombetarëve,
Dua të sjell para të nderuarës gjykate Direktivën europiane për Luften kundër Korrupsionit.
Nuk kam mundur ta sjell më parë pasi është miratuar në datë 26 mars 2026 nga Parlamenti Europian, vetëm një ditë para seancës së mëparshme.
Meqë Struktura e Posaçme ndjen se i është ngarkuar misioni historik të luftojë korrupsionin që Shqipëria të anërarësohet në BE, po sjell para jush çfarë thotë dhe kërkon BE për vete për korrupsionin dhe luftën kundër tij.
Direktiva fillon me:
“Korrupsioni mbetet një problem i rëndësishëm në nivel të Unionit, duke kërcënuar stabilitetin dhe sigurinë e shoqërive, duke përfshirë edhe mundësimin e krimit të organizuar dhe krimeve të tjera të rënda. Korrupsioni minon institucionet demokratike dhe vlerat universale mbi të cilat është themeluar Unioni, veçanërisht sundimin e ligjit, demokracinë, barazinë dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Ai rrezikon zhvillimin, prosperitetin dhe qëndrueshmërinë dhe përfshirjen e ekonomive tona. Luftimi i korrupsionit është thelbësor për forcimin e cilësisë së demokracisë dhe për realizimin e plotë të sundimit të ligjit. Për të parandaluar dhe luftuar në mënyrë efektive korrupsionin, kërkohet një qasje gjithëpërfshirëse dhe shumëdisiplinore. Qëllimi i kësaj Direktive është të trajtojë korrupsionin me anë të ligjit penal, duke lejuar një bashkëpunim më të mirë ndërkufitar midis autoriteteve kompetente.”.
Ndërsa në nenet 3-11 identifikojnë sjelljet e ndaluara që vendet anëtare të BE duhet të përfshijnë në ligjet penale respektive.
Neni 3 - Ryshfeti në sektorin publik (Bribery in public sector)
Neni 4 - Ryshfeti në sektorin privat (Bribery in privat sector)
Neni 5 - Përvetësimi i paligjshëm (Misappropriation)
Neni 6 - Trafikimi i ndikimit (Trading in Influence)
Neni 7 - Ushtrimi i paligjshëm i funksioneve publike (Unlawfull exercise of public functions)
Neni 8 - Pengimi i drejtësisë (Obstruction of Justice)
Neni 9 - Pasurimi nga veprat penale të korrupsionit (Enrichment from corruption offences)
Neni 10 - Fshehja (Concealment)
Neni 11 - Nxitja, ndihma dhe inkurajimi, dhe tentativa (Inciting, aiding and abetting, and attempt)
Neni 7 është praktikisht “shpërdorimi i detyrës”. Përmbajtja e nenit është “Shtetet Anëtare marrin masat e nevojshme për të siguruar që, kur janë të qëllimshme, të paktën disa shkelje të rënda të ligjit në kryerjen ose moskryerjen e një veprimi nga një zyrtar publik në ushtrimin e funksioneve të atij zyrtari përbëjnë vepra penale. Shtetet Anëtare mund ta kufizojnë zbatimin e këtij Neni në kategori të caktuara të zyrtarëve publikë.”
Por nga përmbajtja norma penale është më e ngushtë se neni aktual 248 i KP shqiptar.
Europa thote “kur janë të qëllimshme”, ligjit penal shqiptar nuk i intereson me ose pa qellim, por vetem dashja.
Europa thotë “disa shkelje të rënda”, ligji penal shqiptar eshte dispozite blanket.
Me interes është edhe Neni 17 (Privilegjet në lidhje me hetimin dhe ndjekjen penale të veprave penale të korrupsionit dhe imuniteti nga ato) me përmbajtje: “Përveç nëse është në kundërshtim me kushtetutat, parimet dhe ligjet e tyre kushtetuese, Shtetet Anëtare duhet të marrin masat e nevojshme për të siguruar që “privilegjet në lidhje me” dhe “imuniteti nga” hetimi dhe ndjekja penale që gëzojnë zyrtarët kombëtarë për veprat penale të përmendura në këtë Direktivë të mund të hiqen.”.
Shqipëria nuk ka imunitet si për hetim ashtu edhe për ndjekje penale për askënd. Këtë qe kërkon BE Shqipëria e ka të miratuar dhe të provuar.
Ftoj, si organin e akuzës ashtu edhe gjykatën, të mbajnë në konsideratë përcaktimet e kësaj direktive në luftën kundër korrupsionit.
Po kthehem edhe një here te kërkesa fillestare.
E nderuar zonja gjyqtare,
Më mundësoni të mbrohem siç përcakton GJEDNJ.
Prezenca ime më sallë nuk i sjell asnjë rrezik askujt. Në Komisionin hetimor parlamentar kam qënë për rreth 16 orë jashtë një kafazi sigurie. Besoj se për 12 muaj në seancë paraprake kam qënë korrekt me gjykaten dhe të gjitha palët në proces. Mund te merrni edhe vlerësim për sjelljen time nga IEVP Durres dhe DPB.
Ju lutem më jepni një përgjigje që tani.
_____________
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









