Teksa po mbahet seanca paraprake për dosjen SASPAC, Gjykata e Posaçme ka rrëzuar këtë të martë (7 prill) kërkesën ish-ministrit të Shëndetësisë dhe ish-kreut të menaxhmit të fondeve të BE-së, Ilir Beqaj për zëvendësim të masës së sigurisë. Pas 21 muajsh në qeli Beqaj ofroi si garanci pasurore 20 mijë euro për lirimin e tij në seancën gjyqësore të 31 marsit.

Po në 31 mars GJKKO rrëzoi kërkesën e bashkëpunëtorit të Beqajt, Ermal Kurtulaj, për liri, edhe pse ai kishte ofruar garanci pasurore.  Beqaj dhe Kurtulaj ndodhen në burg që prej 4 korrikut 2024, kur u arrestuan lidhur me dosjen e abuzimeve me fondet e Bashkimit Evropian në SASPAC.

Sipas SPAK, Ilir Beqaj, në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm i SASPAC-ut, ka urdhëruar Kurtulajn, me të cilin kishte njohjet të hershme pasi kanë qenë ortak të shoqërisë Intech+, që të zbatojë vetëm përgjatë viteve 2022-2023 prokurime fiktive në kundërshtim me ligjet e BE për projektet e EUSAIR, paratë e të cilave përfundonin në xhepat e Beqajt. Tenderat, sipas SPAK, bëheshin vetëm për efekt dokumenti dhe më vonë se nga lidhja dhe zbatimi i kontratës me kompani të ndryshme.

Beqaj akuzohet për 5 vepra penale në dosjen e SASPAC, mes të cilave korrupsion pasiv, shkelje e barazisë në tenderë, falsifikim dokumentesh, mashtrim, mashtrim në bashkëpunim dhe mosdeklarim pasurie në rastin e 50% të kuotave të restorantit “Gzona”, i quajtur ndryshe si “Albanian Food and Hospitality Lab, një apartamenti në Vlorë dhe një makine.

Ndërkohë ndaj Beqaj vijon paralelisht edhe procesi tjetër për koncesionin e sterilizimit. Në kuadër të kësaj dosjeje, SPAK ka vendosur në sekuestro preventive apartamentin e dyshuar të fshehur nga Beqaj, 3 llogari bankare të të pandehurve me vlerë rreth 200 mijë euro gjithsej, 19.4% e aksioneve të “Gzona” dhe 3 makina.

_____________

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë