Malltezi: Dy ditët e Bardhës pas urdhërit të mbrojtjes

Malltezi: Dy ditët e Bardhës pas urdhërit të mbrojtjes

Bardha, nënë e tre fëmijëve, kishte shkuar te motra. Mendoi se do të gjente qetësi aty. Por erdhën e morën me forcë dhe e kthyen në shtëpinë ku dhunohej nga bashkëshorti. E mori familja e saj. Ajo që në vend që të ishte një oaz dashurie dhe paqeje, ishte bërë një tmerr dhune. Bardha, me 2 maj kishte mundur të merrte një urdhër mbrojtjeje, por si mund ta mbrojë ajo copë letër nga dhuna në shtëpizën e saj në lagjen në periferi të Elbasanit? U hodh sot, dy ditë më pas nga kati i tretë i pallatit të saj, duke ikur përjetë nga dhuna dhe nga ata që nuk e deshën. Policia, si të ishte një repart i specializuar psikologjik, si për të justifikuar gjestin e gruas shkroi: Fatbardha Likrama vuante nga depresioni... Ndoshta, në vendin tonë uniformat blu mund të kenë parë njerëz, gra të dhunuara të qeshin e të lumturohen ndërkohë që rrihen nga bashkëshortët? Ndoshta dikush në institucionet tona e konsideron dhunën si një mjet që nuk të con në depresion.

Banorët e lagjes, siç ndodh përherë në këto raste, i njihnin të gjithë për “zonja dhe zotërinj”. Ndërkohë, ndërsa trupi i gruas i mbuluar me çarçaf dergjej përtokë, fqinjët flisnin para mediave dhe fëmijë, djem dhe vajza me bishtaleca e kordele rozë e me pika, dëgjonin. Një nënë që hidhet nga kati i tretë në mes të lagjes, do të lerë gjurmë të pashlyeshme tek ata.  Askush në lagje nuk dinte çfarë ndodhte në shtëpinë e Bardhës, ndërkohë që familjarët e gruas së gjorë po “nxiheshin nga turpi” se ishte larguar në shtëpinë e motrës apo që kishte bërë denoncim për dhunë në komisariat.

Kush u turpërua nga denoncimi i Bardhës? Kush u turpërua se ajo kërkoi mbrojtje, kush e tërhoqi nga shtëpia e motrës për ta detyruar të hidhej nga kati i tretë duke këputur në mes jetën e saj prej gruaje që i tha stop dhunës? Turpi qesharak i provincës shqiptare, ka më shumë vlerë se sa jeta e një njeriu që dëshiron vetëm të jetojë pa dhunë ekzistencën e tij.

Në vitin e 52-të një grua është në kohën e saj më të bukur; fiton lirinë pas një jetë në shërbim të fëmijëve që janë rritur, shtëpisë për ta pastruar, bashkëshortit për t’i shërbyer. Në vitin e 52-të të jetës së saj një grua ka shumë për të shijuar, në një liri e një ndërgjegje të pjekur. T’i japësh fund jetës pikërisht në këtë moshë të bukur, është një thikë e mprehtë në brinjët e shoqërisë: Sa pak kemi kuptuar, sa pak kemi bërë për mbrojtjen e gruas së periferisë. Vëteflijimi i një gruaje të dhunuar është një dhimbje e madhe, është plagë tepër e rëndë kur një nënë vendos të vetëflijohet në vitet e saj të lirisë.

a.m./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja