Të gjithë e mbajmë mend serialin shqiptar “Njerëz dhe Fate” që gozhdoi pas ekranit gjithë shqiptarët. Historia që përmbante na preku të gjithëve por ajo që nuk dinim është se regjisorja dhe aktorja, Egla Çeno, ka qenë ajo që ka krijuar personazhin e babait dhe Erës. Ajo rrëfen se për të realizuar këto dy personazhe është bazuar tek historia e saj. Ja çfarë tregon ajo:
“Po realizohej telenovela e parë shqiptare që më vonë publiku e njohu me emrin “Njerëz dhe fate”. Mu propozua por nuk kishte akoma një ide si do ishte. Mora laps e letër dhe nisa ta shkruaj. U nisa nga historia ime personale. Krijova të parin personazhin e babit tim i cili ka qenë kinooperator dhe vdiq në moshën 48 vjeçare kur unë isha ende adoleshente. Isha shumë e lidhur me të dhe doja që në një farë mënyre ai të vazhdonte të jetonte.” “Krijova “babin” dhe vajzën, që në telenovelë u quajt Era. Doja në një farë mënyre të materializoja marrëdhënien me tim atë. Ngjarjet më larguan nga Tirana drejt Gjermanisë për studime dhe e braktisa atë projekt. U lumturova shumë kur mora vesh që personazhi i babit tim kishte ngelur dhe akoma më shumë që rolin e luante Robert Ndrenika. Gjithashtu edhe për Erën. Eni është një mike e veçantë për mua edhe sot e kësaj dite dhe nuk mund të kishte pasur zgjedhje më të mirë për rolin e vajzës që kisha skicuar për vete. Sigurisht që do kisha dashur ta kisha çuar deri në fund, por nuk ishte e thënë”
E tashmë kuptohet pse këto dy personazhe ishin aq të dashur për publikun shqiptar sepse ishin reale pra të bazuara nga historia personale e aktores dhe regjisores Egla Çeno.