Një tjetër lajm i rëndë mësohet për humbjet nga koronavirusi në vend. Ish kryebashkiaku i Pukës, Beqir Arifaj ka humbur betejën me Covid-19. Ai ka ndërruar jete ne orët e para te mëngjesit të sotëm.
Mësohet se megjithëse tamponi i kishte dalë negativ, ai ka shfaqur probleme shëndetësore dhe ishte dërguar për në Turqi, por nuk ka arritur të mbijetojë.
Beqir Arifaj është një tjetër personalitet i rëndësishëm i politikës në vend i cili humb jetën prej koronavirusit.
Një javë më parë COVID-i i ka marrë jetën Bashkim Koplikut, ish- zëvendëskryeministër dhe ministër i Brendshëm i qeverisë së parë të Partisë Demokratike më 1992 dhe dy herë deputetë në parlamentin e Shqipërisë.
Ndërkohë që vetëm ditën e mërkurë kanë humbur betejën me virusin vdekjeprurës Kozeta Noti, pedagoge e italishtes, përkthyese, njëherazi përfaqësuse e shoqërise civile si dhe mjeku 48-vjeçar në QSUT, Bledi Nini.
Dje, Ministria e Shëndetësisë raportoi 10 humbje jete dhe 656 raste të reja me COVID-19 në vendin tonë.
Lajmi kryesor:
Sot 645 raste pozitive, 18 viktima me COVID-19! Infektohet presidenti i Federatës së Boksit! Humbin jetën 'Frida Kalo' shqiptare e ish-kryebashkiaku i Pukës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta sot të ish-kryebashkiakut të Pukës, Beqir Arifaj.
Basha shpreh vlerësimin e tij për Arifajn si ish arsimtar dhe punën për Shqipërinë e zhvilluar dhe demokratike.
"Mësova me hidhërim të thellë për ndarjen nga jeta të Beqir Arifajt, arsimtarit, politikanit dhe ish-Kryetarit të Bashkisë Pukë. Ngushëllimet, lutjet dhe mendimet e mija janë me familjarët që humbën babain dhe bashkëshortin e përkushtuar, dhe me gjithë miqtë dhe kolegët e tij.
Beqir Arifaj do të kujtohet përherë me mirënjohje nga brezat e nxënësve që arsimoi me pasion dhe dhembshuri, nga familjet pukjane për të cilat punoi pa pushim dhe nga të gjithë ne miqtë e kolegët e tij të betejave për Shqipërinë e zhvilluar dhe demokratike. U prehtë në paqe!", shkruan Basha në twitter.