Varfëria ekstreme dhe 'lufta' e përditshme për të siguruar bukën e gojës iu ka marrë jetën tragjikisht dy të rinjve nga Laçi. Dashamir Hajna, 28-vjeç dhe Drilon Lamaj, 27-vjeç, punonin në ish-uzinën e superfosfatit ku nxirrnin hekur për ta tregtuar për skrap, kur një pjesë e tavanit të ndërtesës u shemb dhe i zuri të dy poshtë.
Në vendin e ngjarjes humbi jetën menjëherë 27-vjeçari Drilon Lamaj, ndërsa shoku i tij edhe pse u transportua me shenja jete në drejtim të spitalit të Traumës në Tiranë, nuk ka mundur t'u mbijetojë plagëve të marra. Ai ndërroi jetë mëngjesin e sotëm. Ish-uzina e superfosfatit është një ngrehinë e vjetër e periudhës së regjimit komunist dhe ndodhet pranë qytetit të Laçit.
(Dy viktimat Dashamir Hajna dhe Drilon Lamaj)
Gërmimet nga dy të rinjtë për të nxjerrë hekur, kanë provokuar shembjen e ndërtesës e cila ndodhet në gjendje të rrënuar dhe në çdo moment mund të kthehet në burim vdekjeprurës. Dy të rinjtë Lamaj dhe Hajna vinin nga familje të varfra dhe luftonin çdo ditë për të siguruar bukën e gojës.
Në godinën e ish-Uzinës së Laçit thuajse çdo ditë ka njerëz në kërkim të hekurave të cilat më pas tregtohen për skrap. Aksidente të tilla aty ka pasur edhe më parë në këtë zonë. Në vitin 2013-të një 14-vjeçar humbi jetën, teksa po kërkonte për skrap, ndërsa autoritet vijojnë të heshtin duke mos marrë asnjë masë për të frenuar këtë fenomen mjaft të rrezikshëm.
Fatkeqesi e madhe!Dhe edhe per kete vrasje ka dore politika.A kishte dhe a ka mundesi qe keto germadha te jene nen kontroll te shtetit?po por vetem aty ku ka shtet dhe jo ne shqiperi!Ngushellime te sinqerta familjareve te tyre!
Përgjigju