Edhe një vend i vogël mundet

Edhe një vend i vogël mundet

Tiranë

Ekziston ideja se  “shtetet e mëdha  e kanë të vështirë për të dështuar dhe shtetet e vegjël shumë më të vështirë për të pasur sukses…”. Në të njëjtën  tendencë edhe ‘megalomania’ e të vegjëlve  për të kopjuar modelet e shteteve të mëdha. Ndërkohë, statistikat botërore  paraqesin fakte se mjaft shtete të vegjël gjenden në krye të  renditjes botërore për nivel suksesi. Sigurisht, që në lojën e kombeve, madhësia ka shumë rëndësi, sepse vendet e mëdha kanë tregues të pakrahasueshëm me vendet e vegjël në popullsi, ekonomi, fuqi ushtarake, burime dhe ambicie të mëdha dhe ato vazhdojnë të dominojnë botën. Organizatat ndërkombëtare është ‘fusha’ ku duket se vendet e vegjël luajnë si të barabartë me të mëdhenjtë, edhe pse ato e dinë që edhe këtu rregullat i përcaktojnë të mëdhenjtë në parimin ‘Secili shtet për vete’ siç thotë Ian Bremmer.

Që shtetet janë aktorët kryesorë në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe ato luajnë mbi bazën e fuqisë këtë e pranojnë të gjithë, por sistemi ndërkombëtar krijon plot hapësira që edhe të ‘vegjlit’ të kërkojnë suksesin e tyre dhe jo gjithmonë madhësia përcakton përfundimin. Mjaft vende të vegjël janë sot nga më të  suksesshmit në fusha të ndryshme të zhvillimit, por  ky fakt rrallë theksohet. Për ne, si një vend i vogël dhe gati përherë në fund të renditjes do të kishte interes të njihet rruga,  se si mjaft vende të vegjël arritën në  krye të renditjes për nivele zhvillimi, si ato sfiduan diferencat e madhësisë dhe të fuqisë, në cilat instrumente fuqie (ekonomike, diplomatike, ushtarake apo të informacionit) ato  u mbështetën. Fakti që vendet e vegjël të suksesshme janë me shumicë ndihmon për të parë me optimizëm edhe mundësitë e shqiptarëve që jetojnë në shtete të vegjël.

Ka përkufizime të ndryshme për përcaktimin shtete të ‘vegjël’, por duket se më i përdorshmi është ai i  David Mitran,  që konsideron si të ‘vegjël’ vendet me popullsi nën 10 milionë banorë. Përdorimi dhe pranimi i përhapur mbi bazën e popullsisë referohet për shkak të tre përparësive. Së pari, të dhënat përkatëse janë përgjithësisht të disponueshme, veçanërisht për studime bashkëkohore. Së dyti, vija ndarëse midis shteteve të vogla dhe më të mëdha mund të vendoset saktësisht. Së treti, madhësia e popullsisë thuhet se ka korrelacion, më të madh, me tregues të tjerë të madhësisë së shtetit, të tilla si GDP, indeksi i zhvillimit njerëzor, perceptimi i korrupsionit, barazia gjinore, arsimimi e të tjerë për të cilët institucione prestigjioze japin statistika se ku shfaqet suksesi i vendeve të vogla.

Së pari, shumica e statistikave referohen në GDP.  Në një botë që adhuron paratë, (GDP) për person si kriter,  dukshëm në 14 nga 20 vendet e para në botë qëndrojnë ato që cilësohen si vende të vegjël ndërsa 10 të parat janë vetëm vendet të vegjël. Ato nuk janë vetëm vendet nordike, por edhe në Azi, Oqeani, kontinentin amerikan, por edhe  e në çdo rajon të  botës. Këtë e publikon FMN, BB  dhe CIA (List of countries by_GDP-2020). Për analogji,   Shqipëria është e 112, Kosova 110 dhe Maqedonia e Veriut e  96 duke ju përshtatur relacionit edhe të vegjël edhe të varfër.

Së dyti, kriteri i GDP, për frymë, nuk është i vetmi standard që tipizon  mirëqenien e popullatës. Shumë preferojnë Indeksin e  Zhvillimin Njerëzor, i cili  referohet në parametra për  arsim, shëndetësi, strehim, barazi gjinore, etj.  Dhe në  20 vendet e para, përsëri vendet e vegjël përbëjnë shumicën (12) ndërsa pesë vendet e para mbahen janë vetëm vende të vegjël. Ato janë: Norvegjia, Australia, Zvicra, Danimarka, Holanda. Interesante është fakti se  nuk mjafton vetëm të jesh një vend ‘gjigand’ për të qenë i zhvilluar. Shqipëria renditet e 69-ta.

Së treti, vendet e vogla duket se kanë edhe më shumë mundësi të jenë më pak të korruptuara. 13 vendet në  20 vend më pak të korruptuara janë vende të vegjël, të krahasueshme me Shqipërinë.  Korrupsioni, tashmë, njihet si një e keqe universale. Është aspirata e qytetarëve kudo në botë  për të jetuar në një shoqëri pa korrupsion. Transparency International,  sëbashku me 8 institucione të tjera prestigjioze, publikon  Indeksin e Perceptimeve të Korrupsionit për çdo vit. Dhe në 20 vendet më pak të korruptuara gjatë 2018,  13 prej tyre janë vende të vegjël. Tetë vendet e para më pak të korruptuara janë: Danimarka, Finlanda, Suedia, Zelanda e Re, Holanda, Norvegjia, Zvicra, Singapori. Edhe Islanda, Belgjika, Austria, Irlanda,  dhe Uruguai janë në vendet më pak të korruptuara. Nuk ka ndikim as madhësia, as pozicioni gjeografik e as historia e një shteti, por vetëm qeverisja. Shqipëria renditet e në vendin e 120, Kosova e Maqedonia renditen në vendin e 93.

Së katërti, vendet me nivelin më të lartë të arsimimit: 8 nga 11 vendet e para janë vende të vegjël.  Burimet njerëzore sot në botë konsiderohen si burimi më i rëndësishëm i fuqisë së një vendi. Vendet përcaktojnë të tashmen dhe perspektivën kur arsimojnë dhe trajnojnë cilësisht  qytetarët e vet. Forumi Ekonomik Botëror ka publikuar listën e 11 vendeve më të arsimuara në botë. Vendet renditen në si  më poshtë: (1) Singapori, (2) Finlanda, (3) Holanda, (4) Zvicra, (5) Belgjika, (6) Danimarka, (7) Norvegjia, (8) SHBA, (9) Australia, (10) Zelanda e Re, (11) Islanda. Dallohet qartë se 8 nga 11 vende  janë vendet e vogla. Shqipëria renditet në vendin e 111 nga 154 vende.

Çfarë i bën të veçantë këto vende?  Mendimi më i parë,  që të vjen pas kësaj renditje është se madhësia e një vendi nuk është kusht i domosdoshëm për të pasur sukses, pra mund të gjendet mjaft optimizëm që edhe vendet e vegjël munden, jo vetëm të mbijetojnë, por edhe të renditen tek më të mirët e botës. Së dyti ajo që duket se i bashkon këto vende të vegjël në suksesin e tyre  është modeli i qeverisjes së mirë, jo të korruptuar, me barazi të lartë gjinore dhe me indekse gjithëpërfshirëse në rritje.  Së treti  në suksesin e tyre ato kanë në themel standardet e arsimimit dhe trajnimit të cilat kanë vlerë për sot dhe të ardhmen. Dhe së katërti, ndoshta edhe më kryesorja, kur kanë ndërtuar objektivat kombëtare , këto vende të vegjël kanë ndërtuar një strategji të qartë  zhvillimi, strategji kombëtare, jo thjesht elektorale, ndaj ato sot përfaqësojnë  zhvillim  me orientim të qartë, ekonomik, politik dhe të sigurisë.  Ndryshimi i elitave nuk ndryshon strategjinë dhe objektivat kombëtarë, por ritmet për realizimin e tyre.

Dhe në fund, sigurisht që këto vende të vegjël nuk kanë qenë gjithmonë në krye të renditjes. Disa prej tyre janë me histori më të hershme dhe disa të tjerë edhe më të rinj se vendi ynë. Shumica e tyre kanë kapërcyer probleme shumë më të mëdha se madhësia që ato kanë  dhe ndryshe nga shumica e vendeve të tjera që kanë ngecur ose vërtiten rreth vetes.  Në themel të vendeve të vegjël të suksesshëm qëndron një pakt, një strategji, një marrëveshje  kombëtare mbijetese dhe zhvillimi. Konsensusi, kohezioni dhe qartësia në rrugën e zhvillimit të tyre ka qenë çelësi i suksesit. Dhe ndërkohë që bota globalizohet çdo ditë, e vetmja  mënyrë për vendet e vegjël është që të orientohen vetëm mbi objektiva të qarta strategjike të vlerësuara e të pranuara me bazë objektiva të interesave kombëtare.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Du Du' dhurata për Krishtlindje e Xhensilës për vajzën e saj 

'Du Du' dhurata për Krishtlindje e Xhensilës për vajzën e saj