Më 2013 (kur Berisha u përzu me vota nga Kryeministria), për PD-në dhe aleatet e vogla të koalicionit të saj votuan rreth 694 mijë votues brenda vendit (rreth 14 mijëve u rezultuan votat e pavlefshme). Por ata ishin krejt të pamjaftueshëm, sepse për koalicionin e udhëhequr nga Rama votuan mbi 1 milion votues të këtushëm (“1 milion shuplaka” ndaj Berishës, i quajti Rama atëherë votat e tyre në mënyrë figurative).
Pasardhësi i përzgjedhur nga Berisha (Lulzim Basha) e filloi me bojkot dhe protesta rrugën e tij politike në krye të PD-së, por në zgjedhjet e 2017-ës për PD-në dhe aleatet e saj të vogla votuan vetëm 465 mijë votues të këtueshëm (rreth 9 mijëve u rezultuan votat e pavlefshme).
Basha e korrigjoi strategjinë para zgjedhjeve të 2021-shit, e si rezultat, u shpërblye nga elektorati i djathtë – rreth 651 mijë votuan për PD-në dhe aletet e saj të vogla (rreth 29 mijëve u rezultuan votat e pavlefshme).
Pas atyre zgjedhjeve, kur Berisha u shpall persona non grata nga SHBA, Basha guxoi ta përjashtonte nga PD-ja atin e tij shpirtëror politik. Por ky i fundit arriti ta rimarrë partinë, firmën dhe vulën e saj.
Por edhe pse i rikthyer fuqishëm në krye të partisë, dhe i përforcuar në koalicion me partinë e Metës, Berisha bindi vetëm 501 mijë votues brenda vendit që të votonin për koalicionin e tij tashmë të zgjeruar (rreth 19 mijëve u rezultuan votat e pavlefshme).
Dhe vijmë në ditët e sotme. Sipas ekstrapolimit statistikor të sondazhit më të fundit që realizova, më rezultoi se për koalicionin e Berishës do të votonin sot brenda vendit vetëm 400 mijë votues, ose 100 mijë më pak se më 11 maj 2025. Ndërsa nga ana tjetër, për PS-në do të votonin sot brenda vendit rreth 700 mijë votues, ose plot 300 mijë më shumë se sa për PD-në dhe aleatet e saj, dhe rreth 63 mijë më pak se se sa votuan për të më 11 maj 2025.
SHËNIM: Shpresa e Berishës se opozitarët në emigracion do të votonin në masë për PD-ASHM nuk u materializua më 2025 – nga 200 mijë emigrantë që e dërguan votën me postë, vetëm 47 mijë votuan për PD-ASHM...
*Në koalicionin e PD-së u fut më 2025 edhe LSI-ja e Metës
**Ekstrapolim statistikor i sondazhit të fundit
Komente










