ReportTv mëson ekskluzivisht se krimi ekonomik dhe njësia e anti-trafiqeve do të kalojnë në filtër të gjithë shoferët me mjete luksoze të cilët janë proceduar për shkelje të shumta në rrugë, e nga ana tjetër rezultojnë të papunë, të paregjistruar pranë tatimeve apo sigurimeve shoqërore në vend.

Burime nga ky sektor bën me dije se vetëm përgjatë javës që shkoi katër mjete janë bllokuar nga hetimi i krimit ekonomik dhe njësia e trafiqeve pasi kanë rezultuar të vjedhura në Europë, ndërsa pas verifikimeve pronarët do ti nënshtrohen imtësisht edhe një kontrolli nga operacioni forca e ligjit OFL.

Pjesë e këtij operacioni janë ato mjete të cilat deri më tani edhe pse të gjobitura disa herë vazhdojnë e përdorin rrugët si pista garash apo janë përfshirë në veprime që kanë rrezikuar jetën e të tjerëve, përfshi parakalimet e gabuar me shpejtësi, driftin apo ndriçimet verbuese e zhurmat.

Në katër mjetet e bllokuara ka rezultuar se shoferët e tyre ishin 20-28 vjeçar të papunë, të paregjistruar pranë tatim taksave por me mjete luksoze me vlera deri në 150 mijë euro.

Ky operacion sqaruan hetuesit është shtrirë në të gjithë vendin dhe pjesë e verifikimit do të jetë, pronari, përdoruesi, punësimi i tij,  të ardhurat, numri shasisë së mjetit, dokumentet dhe origjina e krijimit të parave.

Përgjatë sezonit verorë vetëm në mjetet luksoze numri i të ndëshkuarve për shkelje të rënda arrin në mbi 600 të tillë shumica për shpejtësi mbi 110 deri në 275 km në orë.

ReportTv mëson se ky verifikim në terren vjen pas urdhrit të kryepolicit Ardi Veliu për të gjithë vartësit e tij, ndërsa detyra bazë i përket policisë rrugore për të kaluar në regjistër të gjitha të dhënat që do të mbledh në terren.

Edhe pse jo zyrtarisht në territorin shqiptarë mjetet luksoze përgjatë sezonit të verës arrin mbi 5000 në qarkullim kryesisht emigrant të përshirë në narkotrafik apo aktivitete të paligjshme jashtë vendit.

Pjesë e këtyre verifikimeve do të jenë edhe policitë homologe sqaruan burime për ReporTv kryesisht ato gjermane, italiane, franceze dhe ato angleze.