Partia Socialiste në pushtet dhe Partia Demokratike në opozitë kanë arritur të dakordësohen për ndryshimet në rregulloren e parlamentit pas javëve diskutime dhe debateve të ashpra mes tyre. Në dakordësinë më pak se 24 orë para seancës plenare, preken raportimi i institucioneve të pavarura, votimi në komisionin e etikës për përjashtimet, mbyllja e seancës në orën 22:00, ndërsa komisionet parlamentare mbeten 11 duke mos ndryshuar.
1. Pikat ku u tërhoq PS
a) PS u tërhoq nga propozimi që çdo projektligj i kërkuar nga BE të shqyrtohej brenda një jave me procedurë të përshpejtuar.
b) PS u tërhoq nga përgjysmimi i kohës së diskutimit në seancë plenare.
c) PS u tërhoq nga propozimi që institucionet kushtetuese të mos raportonin në seancë plenare, duke pranuar qëndrimin e PD-së se raportimi në Kuvend duhet të bëhet nga çdo institucion që ka detyrim kushtetues për raportim.
2. Pikat që u pranuan nga PD:
a) U pranua propozimi i PD-së që forcon kontrollin parlamentar përmes ndërhyrjes së Kryetarit të Kuvendit në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të deputetëve për informacion. Sipas ndryshimit të pranuar:
- Kryetari i Kuvendit detyrohet t’i kërkojë institucionit përgjigje brenda 5 ditëve nga kalimi i afatit;
- në rast mosreagimi, i kërkohet titullarit të institucionit marrja e masave disiplinore deri në shkarkim.
b) U pranua propozimi i PD-së që kryetarët e komisioneve, kur kërkohet nga pakica parlamentare, të jenë të detyruar të thërrasin mbledhje komisioni ose seanca dëgjimore me titullarë institucionesh brenda dy ditëve nga paraqitja e kërkesës.
c) U pranua propozimi i PD-së që, me kërkesë të një kryetari grupi parlamentar, seanca plenare të ndërpritet në orën 22:00 dhe të rifillojë ditën pasardhëse.
d) U pranua propozimi që masat disiplinore të pezullohen automatikisht nëse ankimohen në Byronë e Kuvendit. Masat disiplinore nuk do llogariten më me ditë pune, por me ditë kalendarike. Sekretariati i Etikës me numër të barabartë anëtarësh.
Ndërkohë një ndër pikat më të debatuara ka qenë raportimi i institucioneve të pavarura në parlament. Palët kanë rënë dakord që fillimisht institucionet që raportojnë në serancën plenare të ulen ndjeshëm pasi tanimë do të shkojnë në seancë vetëm institucionet që në kushtetutë thuhet shprehimisht se duhet të raportojnë në seancë.
Institucionet do të thirren edhe në komisionet përgjegjëse por drejtuesit e tyre do të thirren vetëm në komisionin “Xhafaj” ku do të diskutohet rezoluta e komisionit përgjegjës në prani edhe të relatorit të saj.
Gjithashtu një tjetër pikë për të cilën kanë rënë dakord palët janë këshilltarët politikë ku PD kishte kërkuar që këshilltarët të jenë bazuar në numrin e komisioneve. Aktualisht PS ka 11 këshilltarë dhe PD vetëm 8, ndërsa tanimë të dy grupet më të mëdha do të kenë nga 11 këshilltarë
PD diskutoi në grup ndryshimet në rregullore, deputetët e PS do t'i mësojnë vetëm nesër paradite!
Të dy kampet politike duket se janë gati tanimë të votojnë ndryshimet.
Ajo që bie në sy është se kreu i grupit të PD-së Gazment Bardhi mësohet se të mërkurën pasdite ka mbledhur grupin parlamentar duke e informuar në detaje me të gjithë procesin e negociatave me PS-në dhe dakordësitë e arritura. Në krahun tjetër deputetët e PS-së pritet që vetëm nesër në mëgjes 45 minuta para nisjes së seancës parlamentare të vihen përballë ndryshimeve të rregullores të arritura me PD-në.
Komente










