Eksperti i IT-së, Demiri: Nuk kemi të bëjmë me futjen e bankave në e-Albania, qytetarët dhe bizneset do kenë mundësi të paguajnë shërbime

Lajmi pak javë më parë se të dhënat e një banke në Shqipëri ishin hakeruar, i pasuar nga lajmi  se banking-u online do të integrohej në eAlbania shkaktoi shumë reagime te qytetarët, kjo sidomos për shkak të informacionit të kufizuar në lidhje me atë se çfarë do të ndodhë vërtet.

Për të folur mbi këtë çështje në studion e Report TV me gazetarin, Arbër Hitaj, kanë qenë të ftuar eksperti i IT-së, Erion Demiri dhe analisti Fatos Çoçoli të cilët sqaruan atë çfarë qytetarët duhet të dinë përsa i përket shërbimeve online që bankat në Shqipëri ofrojnë dhe ndërlidhjen e tyre me eAlbania. 

Eksperti i IT-së, Demiri, sqaroi për publikun se si funksionon marrëdhënia e eAlbania me bankat e nivelit të dytë nga aspekti teknik, duke vënë theksin te fakti që mënyra se si po integrohen bankat në sistemin e shërbimeve digjitale është shumë e sigurtë dhe nuk përbën ndonjë rrezik të shtuar.

“Nuk do të kemi në eAlbania një buton që po ta klikosh të kryhet drejtëpërdrejtë pagesa, por në eAlbania do të gjenerohet një kod për pagesën në fjalë dhe ne pastaj këtë kod e përdorim tek aplikacioni i bankës, duke e bërë një transfertë të caktuar në app me anë të këtij kodi. Nuk shikoj asnjë lloj rreziku të shtuar. Mbetet i njëjti rrezik që vjen nga internet banking. Nuk do të kemi në eAlbania një faqe ku të na shfaqen të dhënat e llogarive tona bankare. Do të kemi aty vetëm një mundësi që të zgjedhim se te cila bankë duam të paguajmë dhe të gjenerojmë një kod që do të njihet nga ajo bankë”, tha Demiri.

Nevoja për të integruar banking-un online edhe në portalin eAlbania vjen në kuadër të digjitalizimit të gjithmonë e më shumë shërbimeve. Por analisti Fatos Çoçoli theksoi se ky proces nuk do të thotë aspak se bankat do të jenë në sportelet virtuale të eAlbania.

Ky koncept u mbështet edhe nga eskperti i IT-së, Demiri i cili bëri me dije se nuk do të ketë futje të bankave në eAlbania por theksoi se qytetarët dhe bizneset do të kenë mundësi që të paguajnë për marrjen e një shërbimi në portalin qeveritar.

“Nuk kemi të bëjmë me futjen e bankave në eAlbania. Bëhet fjalë që qytetarët dhe bizneset të kenë mundësi që me anë të bankave të paguajnë për marrjen e një shërbimi në portalin qeveritar. Por ndërkohë forma tradicionale, pra që të shkosh të paguash në vend fizikisht, mbetet në fuqi dhe pagesat online nuk janë absolutisht të detyrueshme, por me zgjedhje”, theksoi Demiri, i cili shtoi nga ana tjetër se ai personalisht sheh shumë avantazhe te pagesat virtualisht.

Ai tha se edhe pse bankat mund të tarifojnë një komision për shërbimet, ky komision është më i ulët krahasuar me atë që do të paguhej po të shkonim fizikisht në bankë.

“Kur banka ta ofron shërbimin virtualisht në portal, ke shumë të mira, përpos kursimit të kohës fizike. Me një klikim të thjeshtë merr shërbim me më pak kosto se po ta bësh veprimin në sportelin e bankës”, tha Demiri, duke sjellë edhe një shembull konkret. “Nëse më përpara për të bërë një pagesë për një certifikatë pronësie në eAlbania duhet të bëje një sërë veprimesh... të printoje një mandat, pastaj të shkoje ta printoje diku fizikisht e kështu me radhë, këto lloj shërbimesh të reja e shpejtojnë shumë këtë proces, kursejnë kohën e qytetarit dhe janë në të mirën e përgjithshme.”

Avantazhet e online banking janë lehtësisht të matshme edhe nga niveli i lartë i përdorimit të tyre. Kështu, analisti Çoçoli ndau një raport sipas të cilit nëse në vitin 2020 kishim 560,351 llogari bankare të lidhura me internetin, në vitin 2021 këto llogari kërcyen në 709,241, pra rreth 21% më shumë.

Por pavarësisht avantazheve e të mirave, përdoruesit e shërbimeve online dhe të banking-ut online mbeten të shqetësuar për sigurinë e këtyre shërbimeve. Sipas analistit të IT-së, Demiri, bankat kanë qenë gjithmonë alerte, edhe para sulmeve kibernetike, ndaj kanë nivele të larta sigurie. Edhe në rastin e një banke të sulmuar pak kohë më parë, ai theksoi se u prekën sisteme periferike, pa pasoja serioze për klientët.

“Krijimi i programeve kaq të sofistikuara për shërbimet online sigurisht që shoqërohen me probleme. Do të duhet kohë që të gjitha sistemet të jenë të gatshme të mbajnë të gjithë ngarkesën e lartë”, tha eksperti Demiri, duke shtuar se duke qenë se këto sisteme janë jashtë eAlbania, siguria e tyre është përgjegjësi dhe investim, në rastin konkret, e vetë bankave.

Edhe analisti Çoçoli theksoi rëndësinë për protokollet e sigurisë të cilat, me sa është diskutuar, kanë ardhur duke u pëmirësuar dhe do të përmirësohen edhe më tej, si nga portale si eAlbania, ashtu edhe nga vetë bankat. Sipas Çoçolit, protokollet e reja të sigurisë janë më të avancuara, parashikojnë dhe parandalojnë sulme edhe më të rënda.

Shqetësimi i dytë pas sigurisë është ai i aksesit të qytetarëve në shërbimet online, sa të thjeshtë e kanë ata t’i marrin këto shërbime.

“Me sa kam parë, AKSHI ka nisur një fushatë të madhe për informim rreth përdorimit të shërbimeve online. Në këtë rast do t’u takonte bankave të bënin një fushatë informuese, sepse është shërbim që ofrohet prej tyre”, tha eksperti i IT-së, Erion Demiri.

Ndërsa analisti Çoçoli tha se, pavarësisht se sasia e shërbimeve të ofruara online është e madhe, duhet punuar për të rritur edhe më tej cilësinë e këtyre shërbimeve. Por duke pasur parasysh kohën e shkurtër dhe sfidat e mëdha, procesi i digjitalizimit ka rezultuar i suksesshëm.

“Duke qenë se kemi kaluar në 95% të shërbimeve publike online, ne kemi marrë vlerësime si një rast i suksesshëm i digjitalizimit nga ndërkombëtarët, siç është OKB-ja që e ka theksuar këtë në një raport zyrtar”, u shpreh Çoçoli.  

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja