Ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme është zhvilluar gjyqi për Leonard Dukën, për të cilin SPAK ka kërkuar dënimin me 32 vite burg, për organizimin dhe vrasjen e ish-policit Santiago Malko.

Në total SPAK ka kërkuar 157 vite burg për anëtarët e grupit të Leonard Dukës. Më konkretisht SPAK ka kërkuar për Leonard Dukën 32 vite burg, 25 vite për Erlis Dukën, 32 vite burg për Fatmir Hysenin, 22 vite burg për Aleksandër Manxhakun, 23 vite burg për Oltian Logën dhe 23 vite burg për Dritan Agajn.

Ndërkohë ditën e sotme në seancën gjyqësore ka qenë e pranishme e ëma e Santiago Malkos, e cila ka kërkuar dënimin me vdekje të Leonard Dukës.

E ëma e Malkos shprehu bindjen e plotë se djalin e saj e kishte vrarë Leonard Duka, madje sipas saj, në pabesi të plotë.

Nga ana tjetër, Leonard Duka ka këmbëngulur se është i pafajshëm në këtë histori, teksa shtoi se gjithçka kundër tij është e montuar nga Policia për t’i prishur imazhin.

Ndërkohë në 21 janar, në orën 11:45 do të jepet vendimi i GJKKO-së për këtë çështje.

Pjesë nga debatet në GJKKO:

E ëma e Santiago Malkos: Të dënohet me vdekje

Avokatja Melina Gjeta: Konkluzionet e SPAK nuk janë të bazuara në prova dhe ligj. S’ka asnjë provë, por vetëm deduksione të krijuara nga një proces hetimor jo i plotë dhe i paragjykuar, më shumë të bazuara në histori të raportuara në media. Dëshmitari Blendi Teta ka deklaruar para gjykatës se është kërcënuar dhe vënë nën presion nga Policia e Shtetit dhe Ervis Martini, dhe këto janë shkelje të rënda të ligjit. Dëshmia nuk i shërben të vërtetës, por fabrikimit të provës. Dëshmia e Tetës, i cili pretendon në gjykatë se e ka dhënë nën presion nga Ervis Martini, nuk mund të përdoret nga prokurori në konkluzionet përfundimtare. Dëshmia e Blendi Tetës konfirmohet edhe nga ajo e Ilir Selmanit, të bashkëpandehurit tjetër, duke i bërë ato të besueshme. Edhe Selmani ka thënë para kësaj gjykate se janë dhënë 500 mijë euro për të fundosur vëllezërit Duka. Prokuroria thotë se shkak për vrasjen është bërë hakmarrja për dy plagosje që dyshohet se ka kryer viktima Santiago Malko, por ato ngjarje janë ende pa autor dhe hetuesit i kanë pezulluar procedimet pasi nuk kanë gjetur autorët. Si mundet prokurori të përcaktojë autorin e atyre ngjarjeve, ndërkohë që personat kompetentë që i kanë hetuar nuk i kanë identifikuar? Transkriptet e Sky nuk janë prova të ligjshme dhe rezultatet e nxjerra nga to janë të paligjshme sipas legjislacionit shqiptar. Ato hyjnë në cenimin e lirisë dhe fshehtësisë së korrespondencës. Përgjimi i autoriteteve franceze përbën përgjim masiv, nuk ka qenë i orientuar. Identifikimi i bërë nga OPGj të kodeve ka qenë amator dhe jo i besueshëm, pasi nuk është ndjekur procedurë standarde. Vetë Leonard Duka ka deklaruar para gjykatës se ai nuk ka pasur në përdorim aplikacionin Sky.

Leonard Duka: Deklaroj që jam i pafajshëm dhe prokurori nuk ka asnjë fakt kundër meje. Kjo është e montuar nga policia që të më dëmtojnë mua. Kam besim te drejtësia.

Mamaja e Santiago Malkos: Leonard Duka ma ka vrarë djalin. Më solli Erlis Dukën dhe Ilir Selmanin dhe më tha që s’kam gjë me Santin, por doli e ma vrau djalin në mes të rrugës. Unë nuk dua dënim të përjetshëm, dua dënim me vdekje për këtë.