Energjia, problem i pazgjidhu

Tarifat e energjisë elektrike kanë ardhur vazhdimisht në rritje për qytetarët shqiptarë, pavarësisht se në tregjet e huaja çmimet kanë pësuar luhatje, duke shënuar edhe rënie për periudha të tëra. Aktualisht, tarifat për familjarët janë 7.7 lekë për kilovatorë dhe 13.5 lekë për kilovatorë, të ndara në dy kategori tarifore, që i përkasin një konsumi deri në 300 kilovatorë dhe mbi 300 kilovatorë.

Lidhur me tarifimin, qeveria Berisha fillimisht ka kundërshtuar ndarjen në dy shkallë tarifimi, që e kishin vendosur socialistët në pushtet. Më pas, ai tha se nuk do të lejojë mungesën e energjisë elektrike, pavarësisht nga çmimi që do të detyrohej të paguante shteti për të blerë energjinë e munguar nga importi. Pjesa e parë u la siç ishte, pasi ka një logjikë ekonomike, që detyron konsumatorin të kursejë me sa mundet energjinë, për të mos kaluar në tarifimin e dytë, që është më i lartë.
Në vitin 2010, Enti Rregullator iu përgjigj pozitivisht kërkesave të të gjithë aktorëve kryesorë në tregun elektrik, duke miratuar rritjen e tarifave. Nga kjo, aktualisht qytetarët vërejnë sot, muaj pas muaji, të skandalizuar, fatura tepër të rënda, krahasuar me të kaluarën, që kanë rënduar nivelin e jetesës së tyre, për më tepër, në një kohë, kur edhe nafta, ushqimet, e shumë shërbime ofrohen në treg me çmime shumë më të larta se më parë. Nisur nga rezultatet e papritura pozitive të vitit 2010 të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare nga ana financiare, qeveria ushtroi ndikimin e vet që Enti rregullator të mos merrte një vendim për rritje të tarifave, që kërkohej me forcë nga KESH, OST dhe CEZ. Jo vetëm kaq, por ERE vendosi që të mos ketë rritje tarifash deri në fund të vitit 2014, por pranoi rritje të tarifës së shitjes për KESH-in. Performanca e KESH-it për vitin 2011 u kthye në situatat e mëparshme, me fatura të fryra importesh, pasi rreshjet e jashtëzakonshme të një viti më parë mbaruan, ndërkohë që për vitin 2012 kjo situatë është më se skandaloze sa i përket prodhimit të energjisë në vend. Çmimi i energjisë jashtë arriti shifra rekord, ndërkohë që asnjë burim serioz i prodhimit të energjisë nuk u shtua në vend.

Shqipëria, pavarësisht nga retorika e "superfuqisë energjetike rajonale" e kryeministrit apo dhënia e qindra licensave për HEC-e të vegjël, vazhdon të ketë probleme me dritat, këtë herë të karakterit financiar, që nuk mund të zgjatin përjetësisht. Sipas ministri Nasip Naço, shqiptarët janë të garantuar se drita do ketë për të gjithë, 24 orë në 24. Ne nuk presim vetëm nga kushtet atmosferike nëse do të bjerë apo jo shi. Kemi vite që punojmë. Vitin e kaluar kemi ndërtuar linjën e interkonjeksionit Elbasan-Tiranë-Podgoricë, një linjë 400 kilovolt që të bëjë të mundur në çdo kohë të importojmë, tha ai. Problemi është se ku janë paratë për të paguar energjinë nga importi?

Enti Rregullator i Energjisë elektrike ka bërë të ditur se metodologjia aktuale e llogaritjes së çmimeve nuk i ka lejuar të planifikojë koston e importit të energjisë për KESH-in gjatë vitit 2012, por humbjet që mund t'i krijohen Korporatës nga këto importe mund të kompensohen në tarifën e vitit të ardhshëm. Llogaritë e ERE-s nisen nga parashikimi që prodhimi vjetor i energjisë në Shqipëri është 4.2 miliardë kilovatorë, sa është edhe mesatarja shumëvjeçare e sistemit. Por, KESH pritet të ketë prodhim shumë më të ulët këtë vit dhe detyrohet të mbulojë diferencën me importe, të cilat kushtojnë. Korporata ka mbetur aktualisht me arkën bosh dhe po i drejtohet qeverisë në mënyrë të përsëritur për të marrë garanci bankare që i lejojnë të hyjë në borxhe me bankat.

Zona të tëra të vendit vazhdojnë, si më parë, të mos paguajnë për energjinë që konsumojnë dhe shteti e kompania e shpërndarjes ka kohë që grinden se kush e ka fajin për këtë. Ndërkohë, detyrimi për ata që nuk paguajnë praktikisht bie mbi supet e klientëve të rregullt dhe në zërin "energji e vjedhur" vit pas viti shënohen miliarda kilovatorë.

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri