Hoxha shkruan: “Ky aksident nuk do të “shkatrrojë” Partin, i thuaj Hysenit (Gogo Nushi, shën.redaktorit). Ata që të pyesin u thoni që ajo bëri një gabim dhe ushtërija e jonë i dha dënimin. Dhe mjaft...”, flet prerë Hoxha, ndërsa pak më sipër ka urdhëruar që për këtë çështje të mos flitet në shtyp.
Më kaq Hoxha e quan të mbyllur çështjen Ramize Gjebrea. Dhe ç’ëhstë ëm interesantja, kjo letër ku ai mban këtë qëndrim është shkruar po më 4 prill, pra në të njëjtën datë, kur Nako Spiros iu shkrua si nga Hoxha edhe nga Nexhmije Xhuglini dy letrat e ngushëllimit për pushkatimin e Gjebresë. Por kjo ditë, 4 prilli i 1944, duket të ketë qenë ditë vendimesh të mëdha. Vetëm në adresë të Nako Spiros sa mandata kanë mbërritur. Çështja e të fejuarë së tij të pushkatuar duhej të varrosej, të heshtej, ndërsa në fund të kësaj letre, që po e botojmë të plotë, jep dy mandata të tjera.
“Zef Mala të mos shkojë në Kosovë. Përkundrazi ta dekoroni me një plumb kres. Ay s’është i mirë dhe duhet të zhduket...”, komunikon qartë dhe prerë Hoxha, ndërsa pak më poshtë jep të njëjtin urdhër edhe për Zai Fundon.
“Ç’ështja e Zai Fundos mbetet ajo që ka qënë. Ç’ështja e autokritikës s’na intereson dhe as që duhet të përmëndet si kundër që e kanë bënë në Korçë, gjë që e popullarizon. Ay mbetet armik i poshtër i Partis.... Prandaj dhe ky po të gjendet po atë fat. Në këtë pikë u thuaj shokëve që të mos gabohen”.
Fakti që kjo letër si edhe dy të tjerat (ngushëlluese) për Nako Spiron janë shkruar në të njëjtën ditë, ndriçon shumë portretin psikologjik të Hoxhës dhe synimet e qarta që ai kishte e që i shprehte hapur, në fillim të ’44-ës, për të spastruar rrugën që e çonte drejt majës.
Me interes është reagimi i Nako Spiros, pas këtyre letrave. Në përgjigje të tyre, Nako Spiro sjell fakte mjaft interesante, si për çështjen Gjebrea, si për përpjekjet e ethshme brenda partisë për pozicionin e numrit 1. Këto letra të Nako Spiros, po të prillit 1944, do i sjellim në vijim të kësaj dosje.
Letra e Hoxhës me urdhra ekzekutimesh
I dashuri shok Nako,
Kursi që kishin filluar shokët mbaroj me sukses, ishin gadi 30 e ca shokë të brigadave, përfituan mjaft dhe kemi mjaft shpresa që të japin rezultate të mira.
I. – Për çështjen e Kongresit të dytë që do të mbahet në Mal të Zi neve e kuptojmë rëndësin e saj edhe ca më shumë rëndësin e lidhjes që duhet të bëjmë. E sullëm dhe e përdruadhëm shumë çështjen pse vajtja e një delegati, jo vetëm në Konferencë por lart, do të jetë e pa çmueshme për ne. Ty mund të ishe një nga ata shokët që do ta kryejë mirë atë punë por menduam shumë gjëra, e sidomos rreziqet e mbëdha të rrugës, për një shok si ty, gjith ashtu dhe largimin nga tereni në këto momente me shumë rëndësi. Ajo punë nuk mund të mbarohet për dy javë, mund të mbarohet dhe për dy muaj dhe për tre muaj, mbrritja e tyre dhe kthimi që andej është problematike, por edhe vajtja e domosdoshme.
Prandaj ne vendosmë që të shkojë Shpuza (i cili të shkojë dhe lart) dhe një të tretë të cilin caktoje ty por që të jetë atej nga Tirana. Delegatija thotë Alqin ose Piro Dodbiba e ndo një tjetër. Shokun Nesti po e vëmë në korent të situatës të partis, të ushtëris, të kërkesave dhe pyetjeve që do të bëjë si dhe mbi shumë gjëra. Ti mund të bisedoç me të kur të vijë. Vajtja e këtyre duhet të bëhet shpejt, prandaj pasnesër ne nisim Nestin për në Pezë, me këmbë dhe andej ay do të hyjë në Tiranë. Ju pregatitni në këtë kohë shokët e tjerë, u jep udhëzime e ç’do gjë mbi rininë. Po në këtë kohë të çoni njeri te vendi i Malit ose që ta kuptoç më mirë te vendi i Bishtukut dhe ata të pregatitin lidhjet dhe mënyrën e kalimit të këtyre shokëve, mënyrë kalimi sa më të sigurt dhe aq më të mirë.
Të mos kursejmë paret, Nestit do i japim pare me vëthë. Po ju çojmë fotografimin e Nestit ti bëni një letrë njoftim. Të gjitha këto të jenë gadi kur të vijë Nesti. Shpresojmë që Nesti më datën 10-11 të jetë në Tiranë dhe të nisen me një herë. Jemi duke pregatitur nga ana tjetër (por jo në lidhje me këtë Kongres të Rinis) të gjejmë mënyrën për të kaluar ndo një o dy shokë lart që të bëjnë lidhjen. Të shohim si do na dalij; ja u propozuam aliatëve, por ata si na hera na i sjedhin rotull.
II – Si kundër që na shkruani në letrë situata atje është e vështirë e si do mos për kuadrot e Partis. Në letrat e juaja shohim se shumë shokë po na i zënë dhe na i vrasin. Në as një mënyrë pra nuk duhet ti rrezikojmë kuadrot. Nga ana tjetër nevojë e ngutshme paraqitet në ushtëri, për kuadrot. Prandaj jemi të mendimit që më parë se ç’do gjë ju duhet të procedoni në nxjerrjen për në Pezë, të shokëve ilegalë (natyrisht të atyre që nuk prishin punë në qytet) si dhe të atyre shokëve që s’japin shumë fruta aty.
Sa për shokët që kanë qënë në ushtëri e që janë strukur në Tiranë, me një herë ata të nxiren në Pezë. Vepro në këtë drejtim dyke marë parasysh situatën qytetit, punën që duhet zhvilluar aty dhe nevojën e madhe që kemi për këto kuadro në ushtëri. Mer parasysh dhe reziqet që ka për kuadrot tona po të rrinë brenda, por shiko edhe që të mos dobësohet tereni në qytet pse situata po rrokulliset në favorin t’onë dhe duhet të kemi shokë të mirë nër qytete që të vërtitin punën. Ata shokë që do të dalin, të shkojnë në Pezë dhe atje të presin urdhërat t’ona.
Njëkohësisht ti të na dërgoç emërat e tyre dhe karakteristikat e gjith se cilit. Nevojë të madhe kemi për Komisarë dhe zëvëndës Komisarë, prandaj mendohu për ata që do na çoç. Për partizanët e tjerë përpiquni ti nxirni, mos i mbani brenda dhe s’jemi as pak dakord me atë direktivën që ka dhënë qarkori e Hyseni (Gogo Nushi) që ata të legalizohen bile dhe të bëjnë dhe deklarata që s’japin fare në politikë. Ky është një gabim dhe duhet pa tjetër të tërhiqet këjo direktivë. I thuaj Hysenit të mos jetë aqë kategorik dhe kovarda me direktivat e Partis dhe se Shqipnija s’është Tirana.
Direktivat s’duhet në as një mënyrë të shtrembërohen. Me qënë se jemi te puna e Hysenit, bisedo me të për çështjen e vendimit që kanë marë për dënimin e Ramizes. Ay shkruan se është dakord me vendimin që është marë. Ja shpjego nga ana tënde dhe nga ana e jonë se ajo është sektarizmë nga ana e tij dhe jo një shëkim i drejtë i çështjes. Partija mbrohet me qëndrime të drejta dhe jo me sektarizmë pse ahere biem në gabime të tjera. S’jemi dakord përsëri që të mbrohet ose të flitet për këtë çështje në shtyp, si thotë Hyseni (Gogo Nushi). Në as një mënyrë jo. Armiku dhe të grijë ç’të dojë, dhe si kur të mos ngjiste këjo gjë, ay flet e shan. Ky aksident nuk do të “shkatrrojë” Partin, i thuaj Hysenit. Ata që të pyesin u thoni që ajo bwri një gabim dhe ushtërija e jonë i dha dënimin. Dhe mjaft.
Dhamë urdhër për formimin e Brigadës së VIII shpejt do të inaugurohet. Kuadrot i caktuam nga ata elementa që kemi në terenë të Vlorës e të Gjirokastrës, por presim ata që do të na çoni që ti forcojmë. Brigadën e dytë dhe të IIItë, ose më mirë ato mbeturinat duhet pa tjetër të nisen për në jugë. Po u dwrgoj për këtë gjë, këtë letrë Daliut dhe Beqirit. Këndoje. Në qoftë se s’është Daliu, jepi urdhër që të veprojë Beqir Balluku në vend të Daliut dyke marë me vethe dhe ata të Brigadës së III-të si pas urdhërit që ju çoj. Tok me ta të vinë dhe ata që do të nxirni ju nga qyteti si kuadro ashtu dhe partizanë. Në qoftë se ata që do të nxirni harinë në Pezë, të mos presin urdhërin tjetër por të nisen me mbeturinat e brigadave. Të vijë me ta Gogua që është në Elbasan, tok me defterët e Historis së Partis.
Hezitimi i hedhjes së traktit ka qenë një gabim i madh nga ana e juaj e sidomos nga ana e jote. Ti dije fare mirë se ay trakt kishte dalë nga kishte dalë dhe as një minutë nuk duhet të hezitoje për ta hedh. As çështja e stilit, as firma e boshnjakut dhe as kritikat e Sejfullahut s’duhet të të ndalonin. Sejfullahu në ka qarje dhe ti bëjë ku duhet dhe jo të ndalojë një gjë që vjen nga nalt. Mbasndaj s’jemi të një mendimi që firma e Boshnjakut të hiqej përkundrazi të lihej dhe të vepronte boshnjaku si të donte, por si do qoftë këjo çështje e vendit s’ka dhe shumë rëndësi sa ajo e para që është inadmissible.
Për çështjen e Shules, të anullohet ay vendimi i parë. Situata e lyp tash që Shulija të qëndrojë atje ku është deri sa ta shohim momentin më të përshtatshëm. Peza s’mund të qëndrojë bosh, dhe Myslimi i cili është i lidhur kaqë ngushtë me ne sa ay ka fituar besimin. Që ta heqim Shulen andej duhet të çojmë jo një njeri si do ku do. Dyli që është në Pezë të niset për ne. Në qoftë se gjen njësin të niset më parë se mbeturinat e Brigadave pse mendojmë ta çojmë në terenin e Gjinokastrës.
Po të çojmë ca material grek për të qënë në korent të situatës atje. Na jep mendimin dhe ti (nuk lexohet qartë, shënim i redaktorit)......
Mendojmë se tash mund ta organizojmë Kongresin e Rinis. Prandaj cakto njerzit që do të mbajnë referatet gjith ashtu jep udhëzimet nër ato vënde që nuk janë zgjedhur këshillat dhe caktuar delegatë që ti zgjedhin dhe ti kenë gadi. Vendin do ta caktojmë ne dhe do të të lajmërojm, do të marim masa dhe për kapërximin e delegatëve të Tiranës, Shkodrës dhe Durrësit që s’mund të vinë dot me automobil. Për ata të Shkodrës do të jetë pak zor por ki kujdes u shkruaj që të zgjedhin legale ose që mund të vinë në mënyrë ilegale deri në Tiranë. Passi të vinjë dhe Halimi do të të shkruajm më gjatë mbi këtë çështje mund të të japim dhe disa udhëzime për referate si edhe për kohën që do të caktojmë dhe vendin se ku do të bëhet.
Ti vetëm pregatitu në përgjithësi, bën pllanin e punës dhe në letrën tjetër do të të shkruajm prapë.
Artikullin për organin e K.C që të kemi kërkuar, mos haro të na i çoç brenda 10-15 ditë. Mos haro se ne nuk harojmë.
I thuaj Gogos që të çojnë sa më parë radiot dhe i thekso se ato janë më me rëndësi se punët e tjera. Përpiquni me rregullue radiot aty që të mund të lidhemi, pse ne më duket se e kemi në rregull këndej.
Po të çojmë komunikatën e aksioneve. E shtypni. Bëni ç’mos që të përdorni shtypshkronjën. Teknika të mos çalojë të paktën.
Z.M. (Zef Mala, e shkruar dhe e fshirë më pas) të mos shkojë në Kosovë. Përkundrazi ta dekoroni me një plumb kres. Ay s’është i mirë dhe duhet të zhduket. Gjeni mënyrën që të mos kuptohet, por në as një mënyrë të mos lihet mas dore këjo punë si kundër i ka lënë mas dore shoku Hysen të tjerat këshilla që i kemi dhënë dhe për të cilat është përgjegjës.
Ç’ështja e Zai Fundos mbetet ajo që ka qënë. Ç’ështja e autokritikës s’na intereson dhe as që duhet të përmëndet si kundër që e kanë bënë në Korçë, gjë që e popullarizon. Ay mbetet armik i poshtër i Partis dhe hesapë dhe autokritikën s’mund ta bëjë as këtu as në Itali po atje lart ku e kanë dënuar. Prandaj dhe ky po të gjendet po atë fat. Në këtë pikë u thuaj shokëve që të mos gabohen.
Kur të ma dërgoni dhe me material bëni dhe veçanërisht nga një pako për Greqi dhe po të keni mundësit dhe na një pako për ç’do brigadë.
Të fala shoqnore
Taras
4/4/44
Shkrimi u publikua sot (06.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)