Në Gjykatën e Lezhës u zhvillua këtë të hënë një tjetër seancë ndaj Ruben Saraivës, i dyshuar si ekzekutori i biznesmenit të njohur nga Shëngjini, Ardian Nikulaj, i vrarë në prill të vitit 2023. Procesi, që vijon prej disa muajsh, ka përfshirë dëshmitë e të afërmve dhe personave të lidhur me ngjarjen, ndërsa këtë herë në sallën e gjyqit dëshmuan nëna dhe e afërmja e Edmond Haxhisë.

Të dyja dëshmitaret thanë para trupit gjykues se Edmond Haxhia kishte ardhur në Shqipëri me qëllim që të martohej dhe të plotësonte dokumentacionin për udhëtimin drejt Anglisë, ku ndodhej bashkëshortja e tij.

Nëna e Edmondit deklaroi se nuk ka asnjë dijeni për vendndodhjen e djalit të saj. Gjatë dëshmisë, ajo u shfaq e prekur emocionalisht dhe në disa momente kërkoi mbështetje rubenga avokati i mbrojtjes, Cakrani.

Në përfundim të seancës, prokurori i çështjes kërkoi thirrjen e një dëshmitari të ri, ndërsa avokati Cakrani rikërkoi paraqitjen në gjykatë të ish-bashkëshortes së Edmond Haxhisë.

Seanca e radhës u caktua për datën 17 nëntor, ku pritet të dëgjohen dëshmitë e reja që mund të hedhin dritë mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në Shëngjin dy vite më parë.