Euro 2024/ Zvicra zbret Italinë nga 'froni' i Evropës, e mposht 2-0 në fazën e 1/8 në Berlin! Granit Xhaka titullar me shiritin e kapitenit

Euro 2024/ Zvicra zbret Italinë nga 'froni' i Evropës, e mposht 2-0 në fazën e 1/8 në Berlin! Granit Xhaka titullar me shiritin e kapitenit

Rasti i humbur nga Scamacca

BERLIN - Italia, kampione në fuqi e Evropës është jashtë Euro 2024. Për fazën e 1/8 në "Gjermani 2024" Zvicra mundi 2-0 Italinë dhe i pret kështu biletën e kthimit për në Romë të kaltërve. Me Granit Xhakën nga minuta e parë dhe me shiritin e kapitenit, helvetët ishin më kërkues qysh në minutat e para të ndeshjes.

Shqiptari Xhaka asistoi bukur për Vargas në minutën e 14, me sulmuesin që nuk u koordinua si duhet. Pas këtij momenti ishte Embolo që i vetëm me Donnarumman u "hipnotizua" nga gardiani italian, që bëri një pritje vërtet të bukur vetëm pak metra larg sulmuesit.

Duhej minuta e 37-të e ndeshjes që Vargas të asistonte për Remo Freuler, me këtë të fundit që zhbllokoi ndeshjen dhe i dha epërsinë djemve të Murat Yakin. Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me këto shifra, ndërsa fraksioni i dytë nisi me supergolin e Vargas.

Vetëm 29 sekonda nga nisja e pjesës së dytë bënë që Zvicra të gjente golin e dytë dhe të "vuloste" kalimin në çerekfinalen e Dusseldorfit në datën 6 korrik, teksa pret rezultatin e çiftit Angli - Sllovaki për të mësuar kundërshtarin e radhës. Rastin më të mirë te Italia e humbi Scamacca në minutën e 73, që vetëm përballë Sommer goditi shtyllën dhe humbi rastin të rihapte ndeshjen.

Nga ana tjetër Italia largohet e turpëruar nga një turne që ishte kampione në fuqi, teksa vlen për t'u përmendur se të kaltrit nuk kanë marrë pjesë në dy Botërorët e fundit. Gjithashtu, sot italianët u mposhtën në stadiumin ku në 2006 ngritën Kupën e Botës në finalen e fituar kundër Francës. Zvicra nuk fitonte kundër Italisë prej 31 vitesh. 1-0 ishte suksesi i fundit i helvetëve në 1993, duel i vlefshëm për kualifikueset e Botërorit 1994.

Në Grupin B të Euro 2024 Italia kishte rival Shqipërinë, Spanjën dhe Kroacinë, duke dalë me katër pikë nga grupi i renditur si vendi i dytë.

Formacionet zyrtare:

Zvicra (3-4-3): Sommer; Schar, Akanji, Rodriguez; Aebischer, Freuler, Xhaka, Rieder; Vargas, Ndoye; Embolo.

Italia (4-3-3): Donnarumma; Darmian, Bastoni, Mancini, Di Lorenzo; Barella, Fagioli, Cristante; El Shaarawy, Scamacca, Chiesa.

Notat e ndeshjes sipas Flashscore:

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:54
'Magjistari' Xhaka, la në hije të gjithë futbollistët e Italisë

Granit Xhaka po kalon momentet më të mira të karrierës së tij, sikurse te Bayer Leverkuseni ashtu edhe te Kombëtarja e Zvicrës.

Xhaka tregoi një tjetër paraqitje mbresëlënëse në mesfushë në Euro 2024, kësaj radhe sonte kundër Italisë, raporton KosovaPress.

Vetëm në pjesën e parë, Xhaka kompletoi më shumë pasime në fazën finale (22) se i gjithë ekipi i Italisë i kombinuar (gjithsej 21).

Ndërkaq, statistikat e tij gjatë gjithë ndeshjes janë fantastike.

Ndeshja e plotë e Granit Xhakës me statistika kundër Italisë:

101 prekje

100% duele ajrore të fituara

94/98 pasimet e kompletuara

16 hyrje në fazën e fundit të sulmit (shumica)

4 herë posedimin e fituar të topit

3 raste të krijuara (më së shumti)

1 pastrim

1 faull i fituar

Ora 22:16
‘Katastrofë, Italia humbet fytyrën dhe masakrohet nga Zvicra’/ Mediat italiane nuk i kursejnë kritikat ndaj kombëtares

Italia u eliminua në mënyrë të turpshme nga Europiani, teksa u mposht me rezultatin 2-0 nga Zvicra, në sfidën e dominuar totalisht nga helvetët, me skuadrën e Spaletit që ishte thuajse inekzistente në fushën e lojës. 

Nisur nga ky fakt, mediat italiane nuk kanë humbur kohë të “masakrojnë” kombëtaren e tyre duke e quajtur një katastrofë këtë eliminim. 

Gazzetta dello Sport: “Italia humbet fytyrën! Zvicra shëtit dhe fiton 2-0, të kaltrit jashtë kampionatit Europian”. 

Corriere dello Sport: “Dështimi i Italisë: Spaleti jashtë kampionatit Europian. Zvicra dominon dhe kalon në çerekfinale”.

SportMediaset: “Freuler dhe Vargas ndëshkojnë një Itali të keqe: Zvicra në çerekfinale, të kaltrit në shtëpi”. 

Tuttosport: “Fatkeqësia e Italisë, Zvicra dominon: Spaleti dhe të kaltrit eliminohen nga Europiani”. 

Calciomercato: “Italia katastrofë, e poshtëruar nga Zvicra dhe shkon në shtëpi: Spaleti humbet 2-0 dhe i jep lamtumirën Euro 2024”. 

Rai.it: “Italia e makthit: mposhtet 2-0 nga Zvicra. Të kaltrit eliminohen nga kampionati Europian”. 

Ora 21:30
‘Zvicra meritoi të fitonte’, Donnarumma i zhgënjyer! Tifozët e Italisë refuzojnë ndjesën e tij

Gianluigi Donnarumma nuk mundi t'u "kërkonte falje" tifozëve të Italisë pas eliminimit nga EURO 2024 në Zvicër, pasi u refuzua nga tifozët e zemëruar në tribuna.

Kampionia në fuqi e Evropës u eliminua në Gjermani, duke humbur 2:0 ndaj Zvicrës me golat e shënuar Remo Freuler dhe Ruben Vargas.

“Ne vetëm mund t'i kërkojmë falje të gjithëve. Vërtet dhemb. Ne u zhgënjyem sot dhe Zvicra meritonte të fitonte, kështu që nuk ka asgjë tjetër për të thënë”, tha Donnarumma për “RAI Sport” dhe “Sky Sport Italia”.

“Ne luftuam gjatë gjithë ndeshjes, përveç në fund ku ata u ulën pak më thellë dhe ne ishim në gjendje të merrnim iniciativën, por ne vërtet duhej ta kishim bërë më herët. Në pjesën e parë e humbëm topin shumë lehtë, u lamë shumë hapësira, nuk po shtypnim siç duhej. Ishte e vështirë, është një lojë shumë e vështirë për t'u gëlltitur, por kështu shkoi dhe ne duhet ta pranojmë këtë”, tha Donnarumma.

Donnarumma pa në kohë reale reagimin e tifozëve, pasi si kapiten ai mori të gjithë skuadrën e Italisë nën seksionin e tifozëve pas fishkëllimës së fundit për t'i përshëndetur. Nuk mori efektin që ai donte, pasi ata i fishkëllyen dhe u kërkonin lojtarëve të largoheshin.

“Nuk mendoj se jemi skuadra që pamë sot. Ishte jashtëzakonisht zhgënjyese, nuk u futëm kurrë në lojë, bëmë gabime të lira. I japim meritat Zvicrës për një paraqitje të shkëlqyer, por ne duhet të kishim bërë shumë, shumë më mirë. Ka shumë lojtarë të rinj të talentuar në skuadër që kanë nevojë për përvojë, kështu që ata mund të bëjnë mirë në të ardhmen. E kuptoj që është e vështirë të pranosh këto fjalë tani, por duhet të shikojmë nga e ardhmja”, tha Donnarumma./ KosovaPress

 

Ora 21:10
Eliminimi nga Euro 2024, Spalletti i Italisë: Me këtë ekip s'bëja dot më shumë! Marr përgjegjësi, do flas me presidentin

Trajneri i Italisë, Luciano Spalletti tha pas eliminimit nga Euro 2024 se me këta lojtarë nuk mund të bënte më shumë. Pasi Zvicra i mundi 2-0 në 1/8 e Evropianit, Spalletti merr përgjegjësitë dhe tregoi se do flasë me kreun e Federatës.

“Nuk kam pasur shumë kohë në dispozicion për ta përgatitur Europianin. Ishim nën ritëm dhe pastaj bëhet e vështirë. Goli i dytë na “preu gjunjët”. Për fat të keq ritmi dhe freskia bëjnë gjithmonë diferencën, nuk ishim në kushtet për të bërë diçka më shumë. Përgjegjësia është gjithmonë e trajnerit, zgjedhjet i kam bërë unë. Do të flas me Presidentin e Federatës sepse me mua është sjellë shumë mirë. Të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Spalletti.

Ora 20:22
Euro 2024/ Zvicër 2-0 Itali, notat e lojtarëve! Barella dështim, Xhaka lider! Vargas më i miri


Zvicra mundi 2-0 Italinë duke e eliminuar nga Europiani 2024. Sipas Flashscore dhe Sofascore, Barella ishte një dështim për italianët, ndërsa Xhaka një lider te Zvicra.

Sipas të dyja faqeve të specializuara, lojtari më i mirë në fushë ishte Ruben Vargas i vlerësuar me notën 8.4, teksa po i njëjti u shpall edhe nga UEFA si "Njeriu i Ndeshjes".

Tek Italia lojtarët më të vlerësuar ishin Federico Chiesa, Nicolo Fagioli dhe Bryan Cristante (6.9).

Notat e ndeshjes
S.DH/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Di my: 29/06/2024 22:11

    Zvicra finaliste

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Pogradec, po transportonte 17 emigrantë të paligjshëm drejt Tiranës, arrestohet 25-vjeçari

Pogradec, po transportonte 17 emigrantë të paligjshëm drejt Tiranës, arrestohet 25-vjeçari