SARANDË- Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni kundër ndërtimeve pa leje në Sarandë, që çoi në shkrirjen e Policisë. Shefi i komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari dhe 3 inspektorë, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj u ndaluan nga butë pasi dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke favorizuar dhe toleruar ndërtimet pa leje në zonat më të lakmuara bregdetare të jugut, Sarandë dhe Ksamil.

Dyshimet janë se efektivët kishin krijuar skema me qëllim përfitimi të paligjshëm, si edhe dyshohet se kanë favorizuar ndërtimet pa leje që ishin të lidhura me grupet kriminale në territorin e Sarandës.

I gjithë ky aksion nisi pas një denoncimi të mbërritur në Policinë e Shtetit, për një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi në lagjen numër 1 në Sarandë, që çoi në arrestimin e 8 punëtorëve dhe shpalljen në kërkim të pronares Arjola Dhrami Bajo. Për këtë ndërtim, Policia e Shtetit njoftoi shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat kryen prishjen e ndërtimeve.

Ndërtimi pa leje, siç shihet në videon më poshtë, dyshohet se lidhet me një seri ngjarjesh kriminale që kanë tronditur qytetin muajt e fundit. Sipas burimeve pranë policisë, prona ku po kryheshin punimet rezulton të ketë qenë në emër të Isuf Jaçajt, i cili mbeti i vrarë pas një shpërthimi me tritol në automjetin e tij në tetor të vitit 2025. Hetuesit dyshojnë se pas atentatit mund të qëndrojë një grup kriminal me bazë në Kamëz, i cili po verifikohet edhe për përfshirje në episode të tjera kriminale në Sarandë.

Në pronën që dyshohet se ishte marrë me forcë nga ky grup, po ndërtohej një beach bar që synohej të vihej në funksion gjatë sezonit turistik. Për lejimin e ndërtimit, dyshohet se janë dhënë ryshfete ndaj drejtuesve lokalë të policisë.

Ishte kryepolici Skënder Hita që njoftoi Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës, vijuan veprimet për nxjerrjen e përgjegjësive për punonjësit e policisë, të cilët nuk kishin kryer detyrën për moslejimin e këtij ndërtimi.

AMP bëri ndalimin e shefit të Komisariatit dhe 3 inspektorëve, të cilët akuzohen për “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, vepra këto të kryera në bashkëpunim, jo vetëm për këtë rast, por edhe të tjera. Pas aksionit, Hita i ka pezulluar nga detyra katër punonjësit dhe ka nisur procedurat për përjashtimin e tyre nga Policia e Shtetit.

Po ashtu, Hita ka pezulluar menjëherë nga detyra dhe Shefin e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Sarandë, Komisar Blerim Tafçiu, pasi nuk është paraqitur për tu marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore që po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore

EMRAT E POLICËVE TË NDALUAR
Gëzim Bashllari, me detyrë Shef Komisariati;
Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve
Ajdin Ismailaj, specialist për rendin
Robert Çullaj, specialist zone
I PEZULLUAR NGA DETYRA
Shefi i e Krimeve në Sarandë, Blerim Tafçiu

Shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:25
Saga e krimeve që fshihet pas ndërtimeve pa leje në Sarandë/ Prona ishte e Isuf Jaçajt, i ekzekutuar me tritol! Kupola e policisë mori ryshfet nga bandat

1759615212_isufjacaj.jpg

Isuf Jaçaj

Ndërtimi pa leje i zbuluar nga policia të enjten në Sarandë dyshohet se lidhet me një seri ngjarjesh kriminale që kanë tronditur qytetin muajt e fundit. Sipas burimeve pranë policisë për gazetarin e Report Tv Sokol Dema, prona ku po kryheshin punimet rezulton të ketë qenë në emër të Isuf Jaçajt, i cili mbeti i vrarë pas një shpërthimi me tritol në automjetin e tij në tetor të vitit 2025.

Hetuesit dyshojnë se pas atentatit mund të qëndroj një grup kriminal me bazë në Kamëz, i cili po verifikohet edhe për përfshirje në episode të tjera kriminale në Sarandë. Në pronën që dyshohet se ishte marrë me forcë nga ky grup, po ndërtohej një beach bar që synohej të vihej në funksion gjatë sezonit turistik.

Për lejimin e ndërtimit, dyshohet se janë dhënë ryshfete ndaj drejtuesve lokalë të policisë. Për këtë çështje, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar shefin e Komisariatit të Policisë Sarandë, si dhe tre vartës të tij, të dyshuar për shpërdorim detyre dhe përfshirje në skemën korruptive që lejoi vijimin e punimeve.

Ora 10:10
Drejtuesit e policisë së Sarandës 'njësh' me krimin! Lamallari: Kush shkel ligjin ‘të heqë uniformën’

Për shkrirjen e komisariatit të Sarandës, nën dyshimet se drejtuesit kanë favorizuar ndërtime pa leje, përfshirë dyshimet se subjektet janë të lidhur me krimin, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, tha se në radhët e policisë nuk ka vend për askënd që bëhet palë me shkelësit e ligjit e që bashkëpunon me element kriminalë.

Në reagimin e tij, Lamallari theksoi se në radhët e Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend për askënd që bëhet palë me shkelësit e ligjit apo që tradhton besimin e qytetarëve.

"Në Policinë e Shtetit nuk ka dhe nuk do të ketë vend për askënd që bëhet palë me shkelësit e ligjit, që abuzon me detyrën apo bashkëpunon me elementë kriminalë. E përshëndes me respekt operacionin në Sarandë, ku Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe vetë Policia e Shtetit, bashkëvepruan për të arrestuar drejtues e punonjës policie të bërë njësh me shkelësit e ligjit.

Kjo provë vullneti për të pastruar radhët e Policisë së Shtetit nga çdo element që cënon ligjin dhe besimin e publikut, nuk është e para dhe nuk do të jetë as e fundit. Në çdo rast abuzimi, që nga symbyllja përpara ndërtimeve pa leje deri tek kompromisi me elementët kriminalë, reagimi do të jete me zero tolerancë. Efektivët që tradhtojnë popullin dhe abuzojnë me detyrën, do të identifikohen, goditen dhe përballen me drejtësinë. Përgëzime dhe kurajo lidershipit të ri të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore dhe Policisë së Shtetit. Asnjë hap mbrapa", shkroi Lamallari.