Fenomeni që i gjakosi dhe nxiu fytyrën Berishës dhe çmendina shqiptare

Fenomeni që i gjakosi dhe nxiu fytyrën Berishës dhe çmendina shqiptare

Sali Berisha

Lajmi që prej ditësh po dominon median dhe diskutimin shoqëror është goditja me grusht e opozitarit Sali Berisha nga një person me probleme të shëndetit mendor. Incidenti ka prodhuar një sasi të tillë spekullimi, konspiracioni dhe absurditeti saqë duket se e ka çmendur median, politikën edhe shoqërinë tonë. Të gjitha duan të gjejnë diçka pas kësaj ngjarje sepse nuk mund të pranojnë banalitetin e saj.

Në vend që të na bëjë të mendojmë për problemin e shëndetit mendor që thellohet gjithnjë e më tepër në shoqërinë tonë, incidenti në fjalë ka prodhuar një pafundësi teorish konspirative, njëra më fantastike se tjetra. Ndërkohë në Shqipëri ka një rritje të frikshme të problemit të shëndetit mendor dhe një mungesë akoma më të frikshme të trajtimit cilësor të këtij fenomeni.

Në fakt fenomeni që i gjakosi dhe nxiu fytyrën Berishës shumë të tjerëve i ka kushtuar jetën. Në këtë aspekt doktori ishte me fat. Me numrin në rritje të personave me probleme të shëndetit mendor, me ekspozimin gjithnjë e më agresiv të Berishës në hapësirën publike, çudia nuk është ngjarja në fjalë, por mungesa e saj në 30 vitet e tranzicionit tonë të çmendur.

E megjithatë askush nuk merret me fenonomenin që nxorri në pah incidenti (kriza e shëndetit mendor) por më atë që ai “fsheh”. Disa argumentojnë se është Rama pas grushtit, edhe pse askush nuk argumenton dot se ç´punë i bënte Ramës ky grusht që i prishi festën e samitit evropian.

Të tjerë thonë se është vetë Berisha, sepse i duhej grushti për të fshehur dështimin e protestës. Ama as Berishës nuk i bënte punë ky grusht sepse i cënoi imazhin që ka tek pasuesit si i fortë dhe i paprekshëm. Berishistët nuk e dënojnë dhunën, thjesht i vjen turp kur janë preh e saj. Tronditja berishiste u shpreh qartë në deklaratën e Jozefina Topallit se kjo ishte ngjarja më e rëndë në 30 vitet e tranzicionit. E vërtetë për Topallin dhe berishistët ndonëse jo për Shqipërinë. 

Së fundmi, të tjerë arguemtojnë se grushti ishte vepër e shërbimeve sekrete të huaja, sidomos atyre Ruse. Sipas tyre shërbimet sekrete ruse nuk janë shumë të zënë me luftën në Ukrainë, me NATO-n, me BE-në, Kinën apo Washingtonin. Ata sytë i kanë tek doktorri ndaj kanë filluar të rekrutojnë të rinj shqiptarë me probleme të shëndetit mendor.

Duket se grushti ndaj doktorrit i ka çmendur të gjithë. Askush nuk është i gatëshëm ta shikojë incidentin në banalitetin e tij. Është shumë me e lehtë ta zbukurosh apo fshehësh atë pas teorive të konsipiracionit.

Në fakt ky është roli i këtyre teorive. Ato janë produkt i dëshpërimit dhe depresionit. Nuk është aspak rastësi që personat më të dëshpëruar kanë tendencat më të mëdha për konsiparacion. Është shumë e lehtë dhe e këndshme ta kuptosh dështimin në jetë si pasojë e forcave jashtë-toksore apo e komploteve ndërkombëtare dhe jo si pasojë e vendimeve të tua. Jeta është më interesante me alien, shërbime sekrete dhe komplote globale sesa me realitetin e një përditshmërie të mërzitshme, të varfër dhe të pashpresë. 

Në rastin konkret goditja që mori doktori nga një i sëmurë mendor si dhe rrahja barbare e këtij të fundit nga bodigardët e Berishës ishin skena të një banaliteti tejet të dhimbshëm. Kaq ishte e vërteta e këtij incidenti. Dhe si e tillë ajo ishte shumë pak për tu pranuar si nga shoqëria, si nga politika edhe nga media. Realiteti i hidhur i një opozite që sulmohet nga një person me probleme të shëndetit mendor dhe që udhëhiqet nga një çmenduri politike është tepër për tu përtypur.

 

E gjithë fabula e opozitës berishiste është një marrëzi ku nuk e gjen dot llogjikën as si kujtim tejet të largët. Ajo do arrijë disa objektiva njëkohësisht edhe pse secila prej tyre është e pamundur edhe veçmas. Do rrëzojë Edi Ramën me revolucion dhe protesta në rrugë. Do ndryshojë politikën e jashtëme të Britanisë dhe SHBA-ve sapo Trump të vijë në pushtet (ndonëse ky i fundit është më larg se kurrë nga presidenca e SHBA-ve).

Do i bëj presion BE-së duke destabilizauar Shqipërinë sepse kështu do ndryshojë politikën e saj të jashtme pro-Ramës. Do rrëzojë me gjyq në Francë sekretarin e shtetit të SHBA-ve Anthony Blinken. Dhe do fitojë zgjedhjet paralamentare të vitit 2025 me ligjërimin antikorrupsion ndonëse në krye ka Ilir Metën që njihet si politikani më hajdut i tranzicionit, dhe Sali Berishën që është politikani më i refuzuar nga Shqiptarët (75% nuk e duan).

Ky është realiteti i dhimbëshëm i opozitarizmit dhe demokracisë sonë. Përballë çmendurisë opozitare agresori i Berishës duket pothuajse normal. Artikulimet e tij pa sens nuk janë më të pallogjikëshme se fabulat absurde të opozitës me teori konspiracioni global apo me fushata anti-korrupsion që udhëhiqen nga Ilir Meta. Kjo është e vërteta e thjeshtë dhe e papërtypshme që duhet fshehur pas teorive konspirative.

Ndaj një grusht sa banal edhe pa logjikë prodhon shpjegime dhe debate akoma më të çmendura nga media, politika dhe shoqëria jonë. Çdo ditë shpikim narrativa gjithnjë e më absurde për të mos e parë në sy banalitetin e realiteti ku jetojmë. Kjo është çmenduria jonë. Ndoshta nuk është rastësi që na e nxori në pah një person me probleme të shëndetit mendor.   

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Gati shqipe', turi me diasporën, Rama sot takim me shqiptarët e Londrës! Pamje nga salla

'Gati shqipe', turi me diasporën, Rama sot takim me shqiptarët e Londrës! Pamje nga salla