FIFA ka konfirmuar fondin rekord prej 871 milionë dollarësh për Kupën e Botës 2026, e cila do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Shuma e miratuar nga FIFA është pothuajse dy herë më e lartë se ajo e edicionit të fundit në Katar dhe paraqet një rritje prej 15% krahasuar me 727 milionë dollarët e parashikuar fillimisht.
Përveç fondit kryesor të shpërblimeve, FIFA ka parashikuar edhe bonuse të veçanta për kualifikimin dhe përgatitjet e skuadrave pjesëmarrëse. Çdo kombëtare e kualifikuar do të përfitojë 10 milionë dollarë, ndërsa për fazën e përgatitjeve do të marrë edhe 2.5 milionë dollarë shtesë.
Organizmi botëror i futbollit ka njoftuar gjithashtu shpërndarjen e 16 milionë dollarëve të tjera për mbulimin e shpenzimeve të delegacioneve dhe zgjerimin e kuotave për shitjen e biletave. Në total, fondi i përgjithshëm arrin në 871 milionë dollarë.
Sa i përket shpërblimeve sipas renditjes finale, kombëtaret që eliminohen në fazën e grupeve do të arkëtojnë 9 milionë dollarë shtesë secila. Skuadrat që ndalen në 1/16-at e finales do të përfitojnë 11 milionë dollarë, ndërsa ato që eliminohen në 1/8-at do të marrin 15 milionë dollarë.
Pjesëmarrja në çerekfinale do t’u sigurojë kombëtareve 19 milionë dollarë, ndërsa për katër skuadrat më të mira shpërblimet rriten ndjeshëm. Vendi i katërt do të përfitojë 27 milionë dollarë, fituesja e medaljes së bronzit 29 milionë dollarë dhe nënkampionia 33 milionë dollarë.
Në fund, skuadra që do të ngrejë trofeun e Kupës së Botës 2026 do të shpërblehet me plot 50 milionë dollarë, duke vendosur një rekord të ri financiar në historinë e kompeticionit më prestigjioz të futbollit botëror.
Komente
