Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e Gazsjellësit TAP

Përshëndetje të gjithëve!

Nuk ka dyshim që përmes Gazsjellësit TAP, Shqipëria vendoset përfundimisht në një prej arterieve më të rëndësishme energjetike sot në Europë.

Avantazhet e kalimit të këtij Gazsjellësi në territorin tonë janë realisht të mëdha. Madje, nuk do ta ekzagjeroja nëse do të thosha të panumërta, po të kemi parasysh nga njëra anë aspektin gjeostrategjik dhe nga ana tjetër të gjithë zinxhirin e përfitimeve direkte që i vijnë Shqipërisë, që nga investimi i konsiderueshëm, tek rrugët e reja të dijes në këtë drejtim e deri tek punësimi indirekt, që siç e nënvizoi edhe ministri, është hallka e fundit e një zinxhiri zhvillimesh shumë pozitive.

Megjithatë, përtej llogarive gjeostrategjike unë dua të nënvizoj faktin se në pak muaj pas inaugurimit të punimeve për rrugët e aksesit dhe ngritjen e urave, TAP-i është shndërruar në një prej motorëve kryesor të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.

Për momentin 56% e punimeve të parashikuara për fazën e parë të ndërtimit të rrugëve të aksesit dhe të urave kanë përfunduar. Brenda vitit parashihet të përfundojë ndërtimi dhe rehabilitimi i plotë i mbi 100 km rrugë dhe i 43 urave, në një investim që vetëm në këtë pjesë e tejkalon vlerën e 60 milionë eurove.

Është po ashtu një konfirmim i mirëpritur fakti se këto rrugë aksesi dhe këto ura në zonat e largëta kanë ndikuar drejtpërdrejtë në një rritje të nivelit të jetesës përmes rritjes së aktivitetit ekonomik të komuniteteve rurale.

Fermerë të Qarkut të Korçës, nga Vishocica, në Trestenik, në Vithkuq e Shtyllas; fermerët e qarkut të Beratit, nga Çorovoda në Potom dhe nga Semani në Topojë të Fierit, tashmë kanë një akses direkt shumë të lehtësuar për në tregjet e vendit.

Nga ana tjetër, vetëm në Çorovodë janë me qindra familje që janë shndërruar në përfituese të qerave për tokën ku kalon Gazsjellësi. Këto të ardhura kanë ndikuar drejtpërdrejtë në jetën të familjeve të gjithë këtyre territoreve, në zona ku konstatohet se në më shumë se 20 vjet shteti nuk ka bërë asnjë investim.

Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm që dua ta nënvizoj sot është përmasa sociale e këtij angazhimi. TAP ka kontribuar gjatë vitit 2015 në rehabilitim shkollash, ka kontribuar në organizimin e fushatave për sigurinë dhe për shëndetësinë, në 38 shkolla dhe 18 komunitete.

Ka marrë përsipër për 234 familje të prekura nga përmbytjet kompensimet në Kutalli dhe në Urën Vajgurore. Po ashtu, janë në finalizim edhe projekte të tjera për rehabilitime shkollash; projekti turistik për pamjen panoramike të kanionit të Osumit dhe zgjerimin e Urës kryesore në qendër të Çorovodës; programi social dhe mjedisor që pritet të ketë një impakt shumë të rëndësishëm në jetën e komuniteteve që jetojnë në gjurmët ku do kalojë gazsjellësi. E këtu, besoj që, ia vlen të nënvizohet një fakt, që nga njëra anë është absolutisht merita e Ministrit të Energjisë që qysh ditën e parë në detyrë, ngriti një skuadër speciale të posaçme, për të trajtuar të gjitha aspektet e problematikës që duhet te zgjidhë shteti në kohë reale për TAP-in dhe për të lehtësuar të gjitha rrugët e burokracisë, që në jo pak raste në të shkuarën e kanë bërë shtetin shqiptar qesharak, në raport me investimet e mëdha.

Faktikisht, në këtë aspekt, unë jam i kënaqur që kemi marrë vazhdimisht vlerësime shumë pozitive nga grupi i investitorëve dhe e konstatoj me krenari befasinë e tyre të vazhdueshme, për faktin që shteti shqiptar u përgjigjet në kohë reale dhe me eficencë të plotë.

Nga ana tjetër, ne e kemi vënë re me keqardhje që kontrata e nënshkruar nuk ka pasur asnjë lloj përfitimi simetrik të shtetit shqiptar si me vendet e tjera ku kalon TAP-i, deri tek vendi fqinj në jug dhe kemi çelur negociata për të marrë një përfitim simetrik, sepse besojmë që nuk ka asnjë arsye që Greqia apo të tjera vende të përfitojnë për të njëjtën punë, për të njëjtin shërbim, për të njëjtin disponibilitet dhe Shqipëria mos të përfitojë asgjë.

Jemi shumë të kënaqur me faktin që nga pala e TAP-it kemi gjetur gatishmërinë në dëgjimin e shprehjes së këtij shqetësimi dhe po ashtu gatishmërinë për të negociuar një përfitim simetrik që për ne është i domosdoshëm, për ta vënë Shqipërinë në të njëjtin nivel me të gjithë vendet e tjera dhe nga ana tjetër për t’u dhënë mundësinë komuniteteve edhe njerëzve në vendin tonë që të përfitojnë drejtpërdrejtë nga paketa e veçantë e financimit që TAP-i vë ne dispozicion të vendeve ku kalon.

Jam shumë besimplotë që ky negocim do të mbyllet së shpejti, do të mbyllet me sukses dhe dua t’i falenderoj përfaqësuesit e palës tjetër këtu për gatishmërinë dhe ndjeshmërinë e treguar në raport me kërkesën tonë, besoj shumë legjitime.

Tashmë me mbërritjen e tubacioneve të gazsjellësit, projekti hyn në një fazë të re dhe shumë të rëndësishme të zbatimit të tij. Detajet teknike të kësaj faze janë impresionuese. Nuk po rendis këtu tonelatat dhe gjatësitë në metra dhe kilometra, por thjesht dua të nënvizoj edhe një tjetër kënaqësi, që një kompani e madhe franceze, si kompania Spiecagap e cila e fitoi tenderin për ndërtimin e lotit të Gazsjellësit nga Bilishti në Topojë të Fierit, dhe që ka një histori të jashtëzakonshme suksesi prej rreth një shekulli, tanimë fillon punën në Shqipëri.

Është një kompani që ka dorëzuar me siguri të plotë mbi 50 mijë kilometra tubacione në të gjithë botën dhe është një kompani lider në këtë fushë. Pikërisht këtu në Spitallë, ne e konsiderojmë ardhjen e një baze kaq të rëndë dhe kaq të rëndësishme materialesh si një ogur të mirë për projektin tonë të krijimit të zonës së lirë ekonomike, ku synojmë të përthithim, rreth 1 miliard dollarë investime dhe të hapim të paktën 15 mijë vende punë në 5 vitet e ardhshme.

TAP është një partner kryesor i qeverisë në përpjekjen për të ndikuar drejtpërdrejtë në aspektin social dhe jo më pak i rëndësishëm në këtë përmasë është edhe punësimi, direkt dhe i tërthortë i mijëra shqiptarëve edhe nëpërmjet trajnimeve dhe programeve të specializimit profesional, të cilat sipas të gjithë informacioneve që kemi janë impresionuese.

Dua t’i falenderoj përfaqësuesit e TAP këtu, për ngritjen e një grupi qendrash trajnimi të cilat pajisin me dije dhe aftësi specifike, qindra persona të punësuar në procese të ndryshme të ndërtimit të kësaj vepre madhështore, inxhinierike dhe na ndihmojnë në një përpjekje të përgjithshme si qeveri për të rritur dijet dhe kapacitet profesionale. E ky formim do të bëjë që gjithë këta njerëz që marrin dije shumë specifike të jenë të gatshëm më pas, jo vetëm në tregun vendas, por edhe më gjerë si specialistë shqiptarë.

Një vit më parë më kujtohet që folëm për 500 shqiptarë të punësuar direkt që në fazën e parë, e cila po shkon drejt përfundimit. Në fakt, kemi parashikuar vetëm gjysmën sepse numri i të punësuarve direkt është 1 mijë. Ndërkohë që është disa mijëra të tjerë punësimi i tërthortë për të gjithë shërbimet që vijnë në mbështetje të këtij investimi. Ashtu sikundër jo më pak e rëndësishme është edhe rritja progresive që presim nga importi i naftës në shërbim të këtij investimi.

Si përfundim dua të nënvizoj se nëse sipas një studimi të universitetit të Oxford, të cilit i jemi referuar që daton që në vitin 2013, nga fillimi i punimeve për TAP-in deri në fund të 2018 parashiheshin 160 milionë euro rritje në prodhimin e brendshëm kombëtar, faza e parë e punimeve ka dëshmuar se impakti i parë i TAP-it në ekonomi është dhe do të jetë edhe më pozitiv se kaq. Po ashtu me fillimin e rrjedhjes së gazit në 2019 sipas këtij studimi të ardhurat do të shumëfishohen dhe në 20 vjet ekonomia shqiptare do të përfitojë mbi 1 miliard euro. Shpresoj që edhe këtu studimi të jetë, nuk po them i gabuar, por konservativ, dhe shifra të jetë më e madhe.

Ajo që vlen për t’u theksuar si konkluzion është se TAP nuk është për ne thjesht një investim në vetvete, por është një moment i rëndësishëm që na jep mundësinë të shkojmë më tutje, duke ndërtuar Gazsjellësin Adriatiko-Jonian, që do të lidhë vendin tonë me Malin e Zi, Bosnjën dhe Kroacinë. Një synim i qeverisë sonë, që tanimë është pjesë e procesit të Berlinit dhe është përfshirë në axhendën e përbashkët të bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor, që do të diskutohet, së bashku me Korridorin e Kaltër, që është autostrada turistike që mbyll unazën e Mesdheut dhe që kalon në të njëjtën gjurmë, në Paris, në stacionin e tretë të procesit të Berlinit, në korrik të këtij viti.

Po ashtu ndërtimi i segmentit të TAP deri në Kosovë është një tjetër synim i yni për të bërë një lidhje më shumë me Kosovën pas përfundimit të linjës së tensionit të lartë gjatë këtij viti.

Siç e tha dhe ministri një tjetër element me rëndësi është dhe vënia në punë e TEC-it fantazëm të Vlorës për të cilin janë investuar miliona dhe që më në fund besojmë se mund të përdoret duke e përdorur gazin si burim energjie.

E duke marrë parasysh dhe të dhënat e para shumë optimiste për mundësinë e zbulimit të një rezerve të re gazi në Shqipëri, një rezerve që për momentin parashihet të jetë e barabartë me çfarë Shqipëria ka parashikuar si pjesë të shfrytëzueshme për të nga TAP-i, vendosemi në kushte të reja strategjikisht dhe besoj se dhe puna për hartimin e masterplanit të gazit që ka nisur ministria me mbështetjen e BE, është në kohën e duhur dhe është një hap më tutje në drejtimin e duhur.

Shumë faleminderit për vëmendjen!

Ju uroj suksese në vazhdimin e mëtejshëm me po këtë cilësi, me po këtë shpejtësi dhe me po këto surpriza pozitive, kompanisë dhe të gjithë elementeve përbërës të saj. I siguroj dhe njëherë se ndryshe nga ç’kanë dëgjuar para se të vinin në Shqipëri dhe ndryshe nga çfarë mund të prisnin nëse ne nuk do vinim në qeveri, gjithçka nga ana e qeverisë shqiptare do të jetë e garantuar në kohë reale dhe do të largohen në fund me idenë se në Shqipëri nuk ka asnjë burokraci, gjë që në fakt nuk është e vërtetë.

 Ju faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Mundësi Valiev fitoi medaljen historike për Shqipërinë, Rama: Një lajm që flet shumë! Komitetit ynë Olimpik ka rilindur