Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe njëkohësisht kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e zgjeruar të Forumit të Gruas Socialiste

Mirëdita!

Ishte  një e shtunë shumë e bekuar sepse e fillova me çamët dhe tani do ta vazhdoj me gratë, Arsyeja pse u vonova ishte se duhet të respektoja ftesën e kongresit të PDIU-së.

Megjithatë, nuk do e kisha bërë këtë gjë disa kohë më parë, kur Pandi nuk ishte akoma aq i afërt me ju, por isha i bindur që vendi im bosh nuk do ndihej fare sepse Pandi ishte këtu që në fillim për t’ju mikpritur, dhe nuk ishte e rastit që në fjalën e saj Kryetarja tha “I nderuar Edi Rama, i dashur Pandi”. Kështu që, faleminderit dhe për atë “miku më i mirë i grave socialiste”, por jam miku i dytë më i mirë pas Pandit.

Nuk kam shumë gjëra për të thënë, dhe nuk dua të përsëris çfarë kemi thënë dhe rithënë, megjithëse është mirë që disa prej tyre të përsëriten.

Është mirë të përsëritet se Partia Socialiste është me krenari partia e grave dhe e vajzave shqiptare.

Partia Socialiste është me krenari partia që ka krijuar një hapësirë deri dje të pamendueshme për pjesëmarrjen e grave dhe të vajzave në politikë dhe në vendimmarrje, duke imponuar si kusht që në çdo këshill bashkiak, 50% e përfaqësuesve të komuniteteve të jenë gra dhe vajza, por duke shkuar përpara edhe pa imponime ligjore të kësaj natyre, si partia që i ka dhënë jetë qeverisë me numrin më të madh të grave në historinë politike të këtij vendi, dhe me më shumë gra sesa të gjitha gratë e përfshira në qeveri, deri në ditën kur u krijua qeveria jonë e re.

Ashtu sikundër, jam vërtet i bindur që duhet përsëritur fakti se Partia Socialiste udhëhoqi dhe vendosi bashkë me të tjerët, që prania e grave në Kuvend të rritet në mënyrë të ndjeshme. Sot kemi një Kuvend, që nuk është kuvendi i kriminelëve, por është kuvendi me numrin më të madh të grave dhe vajzave në historinë e këtij vendi.

Përpjekja e përbindshme për ta kriminalizuar Partinë Socialiste është në fakt reagimi i kuptueshëm i atyre që përballë Partisë Socialiste janë të vegjël në përmasë, janë të vegjël në alternativë, janë të vegjël në ide, janë të vegjël në qytetari dhe janë shumë të vegjël në raport me sfidat dhe problemet që ka vendi.

Përpjekja për të kriminalizuar Partinë Socialiste, përpjekja e përbindshme për të drejtuar gishtin e akuzës ndaj Partisë Socialiste si partia që solli në Parlament kriminelët, është përpjekja e atyre që të gjitha shpresat për t’u përballur me forcën e vizionit, të programit, të lidershipit dhe të skuadrës së Partisë Socialiste, i kanë varur tek më e pashpresa armë, kriminalizimi. Kriminalizimi i çdo ideje të re, kriminalizimi i çdo projekti të ri, kriminalizimi i çdo vendimmarrje, kriminalizimi i çdo reforme, në një rrugë reformash që shprehin qartë për këdo që do të shikojë, dhe për këdo që do të dëgjojë, - dhe kjo është shumica dërrmuese e shqiptarëve, - vendosmërinë e Partisë Socialiste për të qenë në lartësinë e historisë së saj si partia që ka barrën të ndërtojë, të rindërtojë, të ndërtojë e të rindërtojë pa pushim. Si partia që ka barrën t’i flasë gjeneratës tjetër, jo me gjuhën e llafeve, por me gjuhën e fakteve. Si partia që ka barrën të rezistojë përballë të shkuarës, përballë avazit të vjetër, dhe avazi i vjetër nuk është thjesht dhe vetëm avazi i Partisë Demokratike e cila, askush s’duhet ta harrojë, nuk ka pasur asnjëherë me vete shumicën e shqiptarëve, dhe ka qeverisur dy herë, jo sepse ka qenë shumicë në popull, por sepse ka përfituar nga dasia brenda familjes së madhe e të bashkuar të së majtës shqiptare.

Por nuk është vetëm Partia Demokratike, është e gjithë rezistenca e interesave të së shkuarës. Është e gjithë rezistenca e atyre që e kanë vështruar gjithmonë ngushtë Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. E atyre që sot e përdorin fjalën Shqipëri gjithmonë e më shumë, sepse për Shqipërinë mendojnë gjithmonë e më pak. E atyre që guxojnë të shkojnë deri në pikën sa të pretendojnë se mund të ballafaqojnë Partinë Socialiste me Shqipërinë, si një ballafaqim të kundërtash, ndërkohë që Partia Socialiste është jo e përsosur, por pa as më të voglin dyshim shprehja më kuptimplotë e ambicies për të ndërtuar Shqipërinë e gjeneratës tjetër.

Edhe çfarë ne kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë me gratë e me vajzat është pjesë e kësaj ambicie. Edhe hapësira që ne jemi përpjekur të krijojmë dhe që tanimë jemi në kushtet që mund ta krijojmë bashkërisht me gratë dhe vajzat, sepse tani gratë dhe vajzat kanë shumë më tepër fuqi në Partinë Socialiste, - është shprehje e vendosmërisë sonë për të krijuar një shoqëri të ekuilibruar. Sepse një shoqëri ku gruaja është më pak e respektuar dhe më shumë e penguar sesa burri, është një shoqëri e destinuar të jetë ekonomikisht e dobët, shoqërisht e lëkundur dhe faktikisht pa një të ardhme të sigurt.

Nuk është e rastit që po të shikojmë ekonominë e vendeve, dhe të vëmë përballë pasqyrën e situatës ekonomike me pasqyrën e marrëdhënieve mes grave dhe burrave, do të shikojmë se aty ku kjo e dyta flet për pabarazi, ajo e para flet për varfëri. Aty, ku kjo e dyta flet për diskriminim, ajo e para flet për padrejtësi sociale. Aty, ku kjo e dyta flet për një hendek, ajo e para tregon qartë se hendeku mes të sotmes dhe të ardhmes është aty, dhe nuk ka shans që ky hendek mes së sotmes dhe të ardhmes të zvogëlohet, nëse nuk shoqërohet me zvogëlimin e përditshëm e hendekut në të drejta, në liri dhe në mundësi mes burrave dhe grave, djemve dhe vajzave.

Por nga ana tjetër, duke thënë të gjitha këto, Partia Socialiste ka edhe një virtyt tjetër, që nuk i thotë sot shqiptarëve se sa të lumtur duhet të jenë duke parë atë që ne kemi bërë. Nuk i thotë sot shqiptarëve sesa të kënaqur duhet të jenë duke parë atë që ne po bëjmë. Por u thotë sot shqiptarëve drejt e në sy, kemi bërë jashtëzakonisht shumë për të mundur të bëjmë së bashku atë që ky vend meriton, dhe mbi të gjitha që fëmijët tanë meritojnë. Nuk i kemi rënë rrugës së shkurtër që të  nxjerr gjithmonë gjatë, siç na ka nxjerrë për 20 e kusur vite, duke menduar thjesht dhe vetëm për mandatin tjetër. Por kemi nisur rrugën e gjatë, duke menduar që çdo mandat ta vëmë në dispozicion të gjeneratës tjetër.

Reformat tona nuk kanë qenë parakalime, nuk kanë qenë as masa të atypëratyshme për të lehtësuar dhimbjet. Nuk kanë qenë as makijazh për të fshehur plagët, por kanë qenë dhe janë operacione të dhimbshme për t’i kuruar me rrënjë këto plagë. E kjo kërkon forcë, përveçse vizion, zotësi dhe durim. Dhe është e pashmangshme që duke bërë këtë, mos të përballesh me një alternativë që të thotë “kjo mund të bëhet më mirë”, por të përballesh me gjithë këtë llum me të cilin ne po përballemi, dhe të marrësh përsipër gjithë pjesën e baltës që të takon sipas pozicionit ku je, në këtë betejë që nuk është një betejë sot për sot, mes një grupimi politik dhe një grupimi tjetër politik, por është një betejë midis “ose të vazhdojmë avazin e vjetër, ose të vazhdojmë betejën për gjeneratën tjetër”. Avazi i vjetër është ai që kemi përditë parasysh, është ai që thotë gjithçka në këngën e vet pambarim për sa e zezë është të jesh socialist, sa e zezë është të jesh pjesë e Partisë Socialiste, sa edhe më e zezë është të kesh një mandat përfaqësimi nga Partia Socialiste, dhe çfarë katrani me bojë është të jesh në krye të Partisë Socialiste.

 

Ky është avazi i vjetër, dhe për ta ilustruar këtë nuk mbarojnë shpifjet, akuzat, gojëdhënat, thashethemet. Por ne çfarë duhet të bëjmë? Ne duhet vetëm të shkojmë përpara, ne duhet vetëm të mos harrojmë asnjë çast se pse po bëjmë këtë që po bëjmë, dhe pse morëm përsipër që ditën e parë rrugën më të vështirë, jo rrugën më të lehtë, për të lënë pas nesh një gur të rëndë themeli në një shtëpi që të jetë shtëpia e denjë për gjeneratën tjetër.

Shikoni vajzat e djemtë që lindën kur u përmbys regjimi, dhe kur filloi historia e një ndryshimi që u kthye në një avaz të vjetër. Shikojini 25-vjeçarët e sotëm dhe vetëm përfytyroni sa më mirë do të ishte për ta sot Shqipëria nëse çka ne po e bëjmë me shumë vite vonesë për të vendosur barazi në  trajtim, hapësira mundësisht të barabarta dhe kështu me radhë të ishte bërë që në krye të herës.  

Si do të ishin sot, në çfarë kushtesh, 25-vjeçarët e sotëm të Shqipërisë, nëse nuk do të kishin kaluar nëpër xhunglat e teksteve që i prodhonte korrupsioni, jo pasioni për t’ju dhënë dije fëmijëve tanë? Si do të ishin 25-vjecarët e sotëm, nëse do të  kishin pasur mundësinë të zgjidhnin arsimin profesional qysh në krye të herës dhe jo të turreshin të gjithë  si dele, të yshtura nga hosteni i nevojës për të marrë votat e radhës, drejt universitete të hapura pa kriter dhe ka karar?

Sa më shumë do të kishte sot, Shqipëria, profesionistë, artizanë, krah të kualifikuar pune dhe sa më shumë do të kishte sipërmarrës të vegjël që do të vinin nga rruga e arsimit profesional si mjeshtër, për të krijuar kompanitë të tyre të vogla në shërbim të komuniteteve, kompanitë e tyre të vogla të elektricistëve, hidraulikëve, marangozëve e kështu me radhë?

Sa më shumë do të krijonte Shqipëria, mundësi për sipërmarrjet e huaja, që edhe kur vijnë në Shqipëri, duhet që t’i marrin nga jashtë teknikët? Nuk po flas për inxhinierët.

Nuk është marrë vesh sot, por që ditën e parë që Shqipëria, një nga pasuritë e veta me të mëdha ka naftën, rezervat ujore, potencialin hidroenergjitik. Ku janë teknikët dhe inxhinierët e naftës? Ku janë teknikët  dhe inxhinierët e hidrocentraleve? Ku është forca e kualifikuar e punës, që jo vetëm do të kishte marrë punë, por do të kishte krijuar histori suksesi me kohë nëpër të gjitha hapësirat ku u çelën mundësi për investime në këto fusha. E dini ku janë? Janë me kokrra në Kanada dhe i marrin nga Kanadaja dhe i sjellin këtu, kompani të huaja. Shqiptarë të shkolluar këtu, por jo në kohën e Saliut.

Si do të ishte sot, situata me papunësinë dhe me punësimin, nëse gjerat do të kishin shkuar, siç ne kemi filluar të çelim rrugën për ku duhet të shkojnë? Por nuk është një rruge që të nxjerr matanë në një kohe të shkurtër, sepse nuk ka pemë që mbillet si farë dhe në një stinë të jep të gjitha kokrrat, nuk ka shpi që ndërtohet nga oxhaku, por duke u ndërtuar nga nëntoka, kërkon kohën e vet për të shkuar deri tek oxhaku.

Ajo që është më e rëndësishme është që ne nuk jemi të kënaqur. Po të hynim në një debat pakënaqësie për shumëçka, unë dhe Pandi, të jeni të sigurt që do të diskutonim me orë dhe nuk do ta kuptonte njeri se kush është kryeministri dhe kush është miku i tij që ishte kryeministër, por do të shikonin dy njerëz, sinqerisht dhe seriozisht të preokupuar për gjërat që nuk shkojnë si duhet  dhe duhet të shkojnë më mirë.

Kjo do të thotë që ne nuk jemi jo të mbytur, por as të prekur nga kënaqësia apo vetëkënaqësia për çfarë kemi bërë dhe po bëjmë. Por ne të gjithë sëbashku duhet të bëjmë çmos që të mos lejojmë që shqiptarët, për shkak të 1001 arsyeve të vërteta të bien pre e këngës së avazit vjetër. Sepse avazi i vjetër nuk ka vizion, nuk ka program nuk ka lidership nuk ka alternativë, ka vetëm një rrugë, të kthehemi andej nga erdhëm, të shkojmë aty ku ishim se kur ishim më keq ishim më mirë. Të gjitha ato që propozohen janë të njëjtat gjëra që u provuan dhe u rezultuan ashtu si rezultuan dhe ndërkohë çfarë thuhet? Askush nuk merret me reformat dhe me mënyrën se si ato janë konceptuar, mënyrën se si ato janë futur në zbatim ku natyrisht mund të ketë shumë gjera për të diskutuar.  Të gjithë merren me personat,  të gjithë merren me kush është më kriminel, kryeministri, ministri i brendshëm, ministrat me rradhë, deputetët, kryetarët e bashkive?! Pa shpresë, pa asnjë shpresë.

Nëse do të kishte një fije sinqeriteti në një betejë që është një maskaradë tallëse, fyese, përçmuese për popullin shqiptar e atyre që mendojnë vetëm për pushtetin e tyre, mendojnë vetëm për pasuritë e tyre të vëna në mënyrë të paligjshme apo për pasuritë e tyre që do të donin të vinin në mënyrë të paligjshme. Atëherë duhet të ishin këta njerëzit më të interesuar për reformën në drejtësi, jo ne.

Nëse ne do të ishim kjo bandë uzurpatorësh që gdhihemi duke thithur drogë në vend të kafesë, - unë me Pandin për shembull imagjinojeni - dhe pastaj shtrojmë dreka me gjakun e popullit dhe pastaj në darkë numërojmë paratë me makineri të sjella nga jashtë sepse numërimi me dorë është i pamundur për shkak sasisë së madhe të parave që vjedhim çdo ditë, atëherë këta duhet të ishin në revolucion për të votuar reformën në drejtësi.     

Atëherë këta duhet të ishin të parët që të kërkonin atë që ne kemi kërkuar që ditën e parë, procesin e skanimit me kontroll ndërkombëtar të çdo gjykatësi dhe çdo prokurori të Republikës së Shqipërisë, që do të rrijë në atë detyrë, skanimin e pasurisë, skanimin e karrierës, skanimin  e vendimmarrjes, skanimin e aftësisë. E vetëm pasi të kalojnë në këto katër pika le të vazhdojnë të hetojnë dhe të gjykojnë të tjerët. Nuk kërkojnë këtë. Kërkojnë që si ti rrotullojnë gjërat dhe gjërat të mos ndryshojnë. Nëse ne do të ishim kjo banda dhe do të dispononim këto forca, parafytyroni ju se si mund t’i kishim përdorur gjyqtarët dhe prokurorët.

Mund të arrestonim çdo “shenjt” dhe të akuzonim për çdo vepër dhe ta dënonim në maksimum. Shikoni se çfarë ndodh nëpër gjykata. Goditet qeveria, goditet interesi publik, pa asnjë gajle dhe kjo është arsyeja pse këta të tjerët preferojmë këto gjykata, këta gjykatës. Sikur këta të kishin realisht problemin se Shqipëria duhet shpëtuar nga kjo organizatë kriminale të cilën e drejtoj unë me mbështetjen e Pandit edhe me mbështetjen e të gjithë grave dhe vajzave që janë pjesë e PS, nëna, motra, - atëherë këta duhet të kërkonin ta përmbysnin sistemin. Këta duhet të kërkonin ta asgjësonin Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Këta duhet të kërkonin me urgjencë një sistem që të bënte të mundur përmes skanimit, por edhe gjithë mënyrës se si është i strukturuar, jo vetëm që banda jonë të mos ta kontrollonte dot, por përkundrazi që të provonte një për një të gjitha akuzat që bëhen për organizatën tonë kriminale. Por këta nuk kanë asgjë për të provuar. Kam bërë një gjyq me këta në Gjykatën e Lartë dhe çoheshin si pula dhe thonin, “s’kemi gjë ne me këtë, ne këto na i tha partia, pyesni partinë, ne nuk jemi këtu për të sjellë prova, prova jonë është që partia jonë e tha. Ne besojmë partinë tonë dhe për sa kohë ne besojmë partinë tonë, çfarë thotë partia jonë është e vërtetë, pra është provë.”

E fundit në këtë kapitull, si ka mundësi që organizata jonë kriminale është e mirëpritur në Bruksel, në Ëashington, pritet në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti dhe organizata jonë kriminale mbështet dhe mbështetet 100 % në produktin e bërë nga ekspertët ndërkombëtarë për reformën në drejtësi. Si shpjegohet që organizata kriminale do ekzaktësisht atë që do Amerika, atë që duan SHBA dhe BE, ndërkohë që revolucionarët që po kërkojnë të shpëtojnë Shqipërinë nga kjo bandë duan diçka tjetër – që të mos themi se çfarë duan tamam, sepse kemi dhe takim ditën e hënë dhe të mos prishim atmosferën, - si shpjegohet?!

Shpjegohet vetëm me një mënyrë. Këta shqiptarët të cilëve ju qajnë hallin se Edi Rama po ju thotë dembelë, Edi Rama po ju thotë kriminelë, Edi Rama po ju thotë çeçene etj, etj, i marrin me të vërtetë për budallenj.

Kanë vetëm një qëllim, t’ia u fryjnë kokën, siç thoshte ati djallëzor i kësaj politike Adolf Hitleri, “nëse do ta tërheqësh popullin tënd për hunde, sajo gënjeshtra sa më të mëdha dhe përsëriti sa më shpesh dhe ke për të parë se çdo ti bëjë populli yt qeverisë”. Kështu kujtojnë këta. E pasi mbarojnë fjalimet aty në parlament dalin tek kafja dhe tallen. E keni parë Saliun, pasi e bëri Fatos Nanon kriminelin më të madh, -se këto akuzat i ka dhe copy-paste, mjafton të shikoni historinë 20 vjeçare, janë të njëjtat që përsëriten, -doli aty dhe tha çfarë faji kam unë që i merrni seriozisht fjalët e mia, politika kjo është. Është lojë. Kur loja mbaron, lojtarët përqafohen, secili shkon në shtëpinë e vet, me ndryshimin që fituesit marrin kupën, në politikë fituesit marrin pushtetin dhe pastaj populli “shohim e bëjmë”. Vetëm kështu shpjegohet.

E thashë dhe në kongresin e PDIU-s, rrokanisën kokën e popullit “do na e kapi sistemin Edi Rama. Prandaj sa të jetë gjallë Edi Rama duhet të vendosim në Kushtetutë që jo 3/5, por 2/3 duhet të votojnë.” Shumë dakord! Kujtoni se do ti pranojnë 2/3?! Unë dua shumë t’i pranojnë. Unë jam gati, ne jemi gati. S’ka problem sepse ne nuk duam ta kapim sistemin e drejtësisë. Ne duam që ta çlirojmë nga kthetrat që e kanë kapur, që nuk janë kthetrat tona, se ne nuk kemi kthetra me thënë të drejtën, se po t’i kishim, disa nuk do ishin në parlament, por do ishin në burg.

Faleminderit për durimin tuaj!

Dua të falënderoj përzemërsisht, jo për formalizëm të gjitha shoqet në panel, që nga Vali që është dhe një nga promotorët e parë në kohëra të shkuara, deri tek Blerina që e ka blerimin e parë në kodrat e PS.

Dua t’i falënderoj sepse janë që të gjitha, - Eglantina, Lindita, Vasilika, zonja e ushtrisë, natyrisht, - përfaqësuese të denja të asaj që është në fakt PS. Mjafton të shikoni këtë panel dhe më gjeni një njeri me mënd në kokë që thotë kjo tribunë është tribuna e një organizate kriminale.   

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Ministria e Jashtme: Mbështesim përpjekjet e SHBA, Egjiptit dhe Katari për të arritur paqen mes Izraelit dhe Hamasit