“E nderuara zonja Dekane e HUC-it,
I nderuar zoti Gershman,
Shkëlqesia Juaj, zoti Ambasador Hoxha,
Zonja dhe zotërinj!
 Ndihem shumë i nderuar për ftesën dhe mikpritjen e ngrohtë që më keni ofruar, mua si dhe delegacionit që më shoqëron prandaj dëshiroj që t’ju falënderoj sinqerisht! Portretet bardhë e zi të ustait të fotografisë e të foto-gazetarisë, Norman Gershman, syrit të mprehtë të cilit duket sikur nuk i ka shpëtuar asgjë duke gërmuar thellë në shpirtrat e shqiptarëve të thjeshtë, kryesisht myslimanë, na bën që të meditojmë e të marrim frymë thellë, sepse përpara shikimit tonë po na shpalosen figurat e atyre heronjve të heshtur që rrezikuan gjithçka, shtëpitë, madje edhe jetën e tyre për t’u ardhur në ndihmë e shpëtuar hebrenjtë.
Fotografitë e Lime Ballës, Babait legjendar të bektashinjve Haxhi Dede Reshat Bardhit, të Princ Leka Zogut I, të Edip Pilkut, i cili shpalos me krenari certifikatën e nderit si i “Drejtë mes Kombeve”, familjes Biçaku apo Koca, pinjollëve të familjes së shquar Domi apo Frashëri, të Ali Ohrit, apo të doktor Zymës e shkodranit Tef Pogu, të djemve të Ali dhe Ragip Krajës, të Petraq Xhimitikut, të Afërdita Gjergjanit apo Refik Veselit e Beqir Qoqjës, e sa e sa të tjerëve, i mbeten gjithkujt që i sheh të gdhendura në kujtesë për aq kohë sa gjallon, sepse heroizmi dhe altruizmi mban vetëm emrin e përveçëm “shqiptarë të ndershëm e të drejtë mes kombesh”.
Besa, ky tipar dhe virtyt unik i shqiptarëve, nuk është thjesht kodi i nderit i myslimanëve, por edhe i bektashinjve, katolikëve, madje edhe i ortodoksëve apo i ungjillorëve shqiptarë, pra i të gjitha bashkësive fetare shqiptare. Është një lloj trashëgimie gjenetike e trashëguar e mëkuar brez pas brezi ndër rrjedhat e shekujve nga populli im i lashtë dhe autokton në trojet e veta të gadishullit ballkanik.
Në Institucionin e Presidentit të Republikës, nën kujdesin tim të veçantë dhe të Zonjës së Parë e kemi shndërruar në një traditë të bukur dhe kuptimplotë festimin e përvitshëm të Hanukas, Festivalit të Dritave, në mënyrë që të kujtohemi çdo vit se lufta, çnjerëzorja, shtypja dhe skllavërimi që nga kohët e shkuara, edhe për shkak të lirive fetare, nuk ka përfunduar ende.
Që nga koha e Makabenjve të lashtë e të pamposhtur në kështjellën e tyre legjendare të Masadës e deri më tani, tiranët janë munduar t`u mohojnë njerëzve shprehjen e lirë të besimit të tyre dhe të drejtën e ligjshme për të jetuar të lirë. Hanukah simbolizon luftën dhe përpjekjet heroike të të gjithë popujve, që duan të triumfojnë mbi shtypje të tilla si dhe mrekullinë që mund të arrijë njerëzimi kur është i mbushur dhe mbështetur në besim të palëkundur dhe kurajë.
Festimi i përvitshëm i kësaj dite të shenjtë, por edhe i festave tona fetare, të cilat i ndajmë me njëri-tjetrin pavarësisht përkatësisë myslimane apo të krishterë na ngjallin bindjen se besimi dhe këmbëngulja janë kolonat e palëkundura, mbi të cilat mbështetemi në kohë të vështira duke na ndihur që të kapërcejmë mosmarrëveshjet, dallimet dhe mungesën e tolerancës e të jetojmë në paqe e harmoni. Ky festim vishet me një kuptim tepër të veçantë në Shqipëri, ku harmonia dhe liria fetare janë në themel të kombit dhe demokracisë. Dhe këtë liri të besimit, këtë harmoni e bashkëjetesë të rrallë e gëzon edhe bashkësia e vogël, por e vjetër hebreo-shqiptare, e cila pasqyron me krenari dhe mishëron me besnikëri e dinjitet traditat, vlerat dhe tiparet më të mirë të të dy kombeve prej nga rrjedh.
Popujt dhe vendet tona i lidh një miqësi dhe mirëkuptim me rrënjë shekullore, të cilat u farkëtuan veçanërisht gjatë periudhës së errët të Shoah-ut, por edhe përgjatë tallazeve historike me të cilat jemi përballuar e mbi të cilat kemi triumfuar duke u mbështetur pa kushte tek-njëri tjetri. Uroj me gjithë shpirt që miqësia dhe bashkëpunimi mes shqiptarëve, hebrenjve dhe amerikanëve të thellohen e forcohen më tej, duke u bazuar në këtë traditë të farkëtuar përgjatë sfidave dhe vështirësive shumëvjeçare si dhe përmes punës e vullnetit tonë të përbashkët!
Dëshiroj ta përfundoj përshëndetjen time të shkurtër, por më se të sinqertë duke shprehur dhe nënvizuar kënaqësinë e pamat që kam për rastin e dhënë në mënyrë që të vlerësuar në emër të mbarë popullit shqiptar në cilësinë e Presidentit të Republikës, zotin Norman Gershman me nderimin më të lartë zyrtar të shtetit shqiptar: me Dekoratën e Flamurit Kombëtar.           
Mjeshtri i fotografisë, skalitësi në përjetësi i vlerave dhe virtyteve tona më të çmuara, meriton jo vetëm të çmohet në emër të shtetit shqiptar, por edhe të përgëzohet për aftësitë e tij artistike dhe shpirtërore në bërjen të ditur dhe përhapjen anembanë botës të një lloj humanizmi sa tipik e të rrallë shqiptar, aq edhe gjithëpërfshirës e mbarënjerëzor që e bën botën ku jetojmë edhe më të mirë e më shpresëdhënëse.”