Fjala e plotë e Astrit Patozit në ceremoninë e Sokol Olldashit

Sokoli nuk kishte një ëndërr

Një vit më parë, ne ishim të mpirë nga pesha e rëndë e lajmit dhe shumë të papërgatitur për ta pranuar atë që kishte ndodhur. Sot e kemi me të lehtë për të kuptuar se cfarë kemi humbur. Por besoj se kjo nuk vlen vetëm për ne, miqtë e Sokol Olldashit, që kemi ftuar njëri-tjetrin, për t’u mbledhur në këtë sallë pafundësisht të vogël për dimensionet e tij. Duke i kërkuar ndjesë mijëra të tjerëve, që do të donin të ishin sot këtu, na duhet të sqarojmë se ky takim “Me Sokolin” është thjesht dhe vetëm simbolik. Ndryshe, duhet të kishim shkuar në stadiumin “Qemal Stafa”.
Edhe pse patëm fatin të ishim shumë afër tij, ne sot nuk jemi mbledhur që të ankohemi për mungesën. Ky do të ishte një egoizëm i pafre. Sepse Sokol Olldashi shkon shumë përtej nesh.

Ai i mungon shesheve, jo vetëm të Tiranës, por edhe rrugicave me baltë. Sallave dhe salloneve, por edhe klubeve me tym. Debateve të forta televizive, por edhe tavolinave, ku jo domosdoshmërisht diskutohet për politikë. I mungon poezisë shqipe, megjithëse shkroi shumë pak. Por edhe muzikës, të cilën e njihte, e luante dhe e ndjente në thellësi, ndonëse nuk guxoi kurrë të kompozonte, dhe për këtë nuk e kam gjetur dot arsyen.
Nuk besoj se do habitej njeri po të thoja se në një farë mënyre, i mungon edhe qeverisë, ndonëse ajo e ka një kryeministër. Dhe, natyrisht, që i mungon tmerrësisht shumë Partisë Demokratike, megjithëse ajo e ka një kryetar. 
Pa asnjë dyshim që ka lënë një zbrazëti të thellë në parlament, ndonëse aty punojnë dhe marrin rrogën shumë deputetë. Me fjalë të tjera i mungon kësaj shoqërie, me të gjitha vlerat dhe antivlerat e saj. Sepse Sokol Olldashi nuk ishte thjesht një politikan i realizuar, ai ishte një fenomen.
E them këtë me bindje të plotë dhe pa asnjë peng se po shkel amanetin e pashkruar, për të mos i mveshur njëri-tjetrit merita dhe atribute, që nuk i kishim. 
Sokol Olldashi nuk kishte një ëndërr. Ai kishte disa. Kush mendon se dëshira e tij e vetme, apo më e forta, ishte që të ngjitej, nuk ka kuptuar asgjë prej Sokolit. Ai, jo vetëm e dinte, por e kishte provuar nën lëkurë se në këtë botë ndodh shpesh, që mund të fitosh duke humbur, por edhe mund të humbasësh, duke fituar. Dhe, po ashtu, se të gjitha gjërat e mëdha nisin gjithmonë nga një ëndërr e vogël. Por ndryshe nga ëndërrimtarët depresivë, që mbyten në trishtimin e vet, Sokol Olldashi ndiqte me një logjikë gati perfekte pasionet e tij, duke jetuar me entusiazëm cdo cast.
Jam shumë i sigurt se po të ishte në dëshirën e tij, ai do të luste të kujtohej më së paku si politikan. Por unë e kam të pamundur ta shmang këtë, sepse askush nuk e shkruan me dorën e vet fatin. Ndonëse hyri si pa dashje në xhunglën e saj, politika dominoi pjesën kryesore të jetës publike të Sokol Olldashit dhe është fakt që shumica e njerëzve të këtij vendi e njohën atë për shkak të këtij angazhimi. Por tek e fundit, edhe pse e dimë se perceptimi popullor vjen duke u përkeqësuar, politika nuk është nje profesion, për të cilin duhet të na vijë turp. Sepse nuk mund të ketë, as përgjegjësi dhe as merita kolektive. Dhe se amoraliteti, mashtrimi, gënjeshtra, arroganca, abuzivizmi dhe grykësia, nuk janë, as sëmundje ngjitëse dhe, as të trashëgueshme.

Sokol Olldashi hyri në politikë dhe doli nga ajo me një barrë dinjitet, ndonëse nuk u përfshi kurrë me të gjithë kapacitetin e vet në vorbullat e saj. Shumë prej nesh, që ende merremi me këtë zanat, nuk jemi plotësisht të sigurt se do të kemi të njëjtin fat. “Burri ka kohë të koritet edhe një minutë para vdekjes”, thotë një fjalë e urtë.

Unë vetë kam nisur t'i harroj ofiqet zyrtare te Sokolit dhe mendoj se kjo u ndodh të gjithëve. Do të vijë një ditë që e vetmja gjë që do të kujtohet prej tij do të jenë debatet, gjestet, batutat e mprehta, dhe në fund shija që lë gjithmonë tek njerëzit fjala e një burri të mencur, që ngjall shpresë dhe frymëzim.

Sokol Olldashi nuk shkroi dhe as la prapa ndonjë program apo manifest politik, që sot të studiohej nga politologët dhe të komentohej nga analistët. Natyrisht, që mund ta bënte, nëse do t'i duhej, apo nëse do ta kishte parashikuar natën e 20 nëntorit. Por kjo nuk ndryshon asgjë. Ai jetoi dhe veproi duke lënë pas një model, i cili nuk është aspak vështirë të dëshifrohet. Një shkrimtar i madh thotë se “bota nuk ndryshon nga opinionet tona, por nga shembulli që japim”.

Unë nuk e marr dot përsipër "të përkthej" nga origjinali atë që bëri dhe tha me gojën e vet Sokol Olldashi. Por guxoj të vecoj disa koncepte, që ai i ndoqi dhe i respektoi deri në fund. “Që politika është një profesion i vështirë, e cila ka edhe pjesën e vet të bukur dhe tërheqëse, dhe jo biznesi më fitimprurës. Se ajo është vërtet një punë si të tjerat, por që nuk do të kishte asnjë vlerë pa barrën e misionit brenda. Se kjo shoqëri nuk ka nevojë për politikanë delirantë dhe egocentristë dhe se opozita nuk është cështje numrash, por cështje zemre dhe vullneti. Se ajo që quhet frymë është një ndjesi e brendshme, të cilën ose e ke, ose nuk e ke. Dhe kur nuk e ke vetë, nuk mund t’ua transmetosh dot të tjerëve. Ajo nuk mund të vijë kurrë nga ata, që e shohin botën me shifra bankare dhe me metra katrorë. Se cdo forcë politike ka nevojë për një mekanizëm të drejtë karriere dhe se flukset anësore, nuk bëjnë gjë tjetër, vecse i zbehin militantëve motivimin”.
Ne kemi shumë nevojë për atë lloj modeli, sidomos në kushtet kur po shtohet perceptimi se politika është një batak, ku sa më thellë të shkosh, aq më pis bëhesh. Ku përfytyrimi për zyrtarin e lartë është një burrë, që, sa më shumë ngjitet, aq më të madh e ka thesin, të cilin ose e mban vete në krahë, ose ia jep ta mbushë atij, që ka më afër.

Sokol Olldashi nuk la pas një platformë politike, jo thjesht se nuk pati kohë. Por megjithatë, ai e kishte një projekt. Të cilin e vizatoi shpejt dhe në ecje e sipër, gjatë fushatës së shkurtër të zgjedhjeve në Partinë Demokratike. Por edhe pse ishte thjesht një maket, ai aktualizohet dhe merr më shumë vlerë, cdo ditë që kalon. Kam bindjen se ai i kapërcen kufijtë e një force politike, ndonëse Sokoli nuk e pati këtë ambicie. Ai thjesht dhe vetëm kandidoi për të qenë kryetar i PD-së.
Në kushtet kur avlllitë e partive në Shqipëri po bëhen përherë e më larta dhe kur përditë e më tepër vendimarrjet po personalizohen, ka një etje zhuritëse për më shumë përunjësi, për më shumë kolegjialitet, dhe padyshim për rregulla të drejta loje, të cilat respektohen. Por mbi të gjitha për të thënë me zë të lartë ca të vërteta. Dhe kjo nuk bëhet vetëm duke thirrur “qofshin mallkuar gënjeshtarët”!
Sokol Olldashi ia doli që në pak ditë të skiconte dhe të nguliste tek njerëzit disa nga idetë e tij, të cilat nuk e humbasin vlerën asnjëherë. Perkundrazi. Sa më shumë goditet mu në zemër sistemi, dhe kjo po ndodh vijimësisht, aq më të nevojshme bëhen ato për të hapur një debat, që shoqëria të shkundet.

Nje vit pas ikjes së tij, Shqipëria ka më shumë nevojë për zëra të fortë publikë, për më shumë humanizëm, për më shumë shpresë, se kjo bjerrje sistematike e vlerave mund të ndalet. Është naive të besohet se shteti po forcohet, për shkak të kohës që rrjedh, ndërkohë që partitë po bunkerizohen.

Për shkak se i druhem nënqeshjes së tij, unë nuk mund të përdor terma superlativë. Nuk mund të them, as vizionar dhe as largpamës, sepse patetizmi nuk kishte asnjë lidhje me Sokol Olldashin. Por nuk mund të rri pa i përmendur dy momente. 
Kur mbaheshin zgjedhjet në PD, i mëshoi fort tezës se një nga shkaqet e humbjes sonë më 23 qershor ështe mosdintacimi nga LSI dhe fakti që ne e kishim kursyer atë në fushatë. E tha në një kohë, kur kjo temë ishte tabu për gjithë të tjerët, por 6 muaj më vonë PD nisi të fliste zyrtarisht për qeverinë Rama-Meta, si një e keqe kombëtare. 
Ndërsa fjalimi i tij i fundit në parlament për lidhjet e krimit me politikën e lartë, dukej sikur dilte nga ndërgjegja e lënduar e shumicës së shqiptarëve. Sot, kjo është një nga kauzat kryesore politike të opozitës. Natyrisht, që për këto nuk ka ndonjë arsye për të kërkuar “copy right-in”, sepse Sokoli nuk pati ndonjë llogari të pambyllur me Partinë Demokratike, në të cilën kishte hyrë me pantallona të shkurtra, që në 90-tën, kur ishte në shkollë të mesme, dhe doli prej saj vetëm kur e thirri Ai lart.
Do të isha i pasinqertë po të thoja se Sokol Olldashi nuk ka bërë koncesionet e tij, ashtu si shumë të tjerë prej nesh. Ato janë të pashmangshme, jo vetëm për politikën, por edhe për profesione më të lehta apo më "të nderuara". Por ato nuk kanë asnjëherë të tilla, sa të deformonin thelbin e tij. Sokoli ishte shembulli i gjallë i një jete intensive, në të cilën, cilado qoftë nevoja, dhe cilido qoftë cmimi, ka ca pragje, që nuk kalohen dhe ka ca limite, që nuk kapërcehen.
Është e vërtetë se një vit më parë ai iku duke marrë me vete edhe dobësitë dhe keqkuptimet e tij. Të cilat jo të gjitha ia njohim, madje edhe po të bëheshim përsëri bashkë me të, nuk do t'i rreshtonim dot të gjitha. Po ne këtu e dimë që për shumicën e tyre ai nuk priti që dikush ta shpotiste i pari. Nuk kam njohur deri më sot njeri tjetër që të tregonte aq shumë dhe aq me humor për historitë komike dhe gafat e veta. 
Por a e zbehin ato portretin e Sokol Olldashit? Absolutisht jo. Përkundrazi, e bëjnë më njerëzor dhe me tokësor. Tamam sic ishte dhe ashtu sic e kishte projektuar veten.
Në këtë botë të mbushur me delire mitomanësh, të cilët i gjen ngado, jo vetëm nëpër tribuna apo studio televizive, por edhe tek një nëpunës i rëndomtë, që i kanë caktuar një vartës, ai jetoi modestisht dhe në paqe me veten dhe të tjerët, edhe pse ishte plotësisht koshient për dhuntitë e veta të vecanta. E them me bindje të plotë se ishte rasti më atipik i politikanit, që arriti nivelet më të larta të karrierës, duke qëndruar për një kohë relativisht të gjatë në këto nivele, pa iu imponuar askujt si “shef”, madje as rojës së ministrisë.
Pakkush e di se pas debatuesit agresiv, i cili e kishte shpartalluar kundërshtarin në studio, fshihej një zemërbutë, që pas pak do të përlotej, duke parë filma në shtëpi. Që pas një fjalimi tërësisht racional, gati matematik, në parlament, i njejti person do të ulej dhe shkruante lirikat më të ndjera dhe delikate. Që shëtiste darkave, pas ditëve të lodhshme të punës pa orar, nëpër galeri dhe atelie për të parë dhe njohur cdo piktor dhe pikturë me vlerë, që shfaqej në horizont. Që edhe në kulmin e fushatave elektorale, kur bridhte fshat me fshat e rrugë më rrugë, gjente, gjithësesi, ca minuta për t'u cmallur me kitarat e tij. Njëra prej të cilave do të luajë edhe per ne sonte.
Gjatë këtij viti, që koha ka rrjedhur pavarësisht, ndoshta të gjithëve na ka shkuar mendja se cfarë do të kishte ndodhur, nëse Sokolin do ta kishim sërish midis nesh. Nuk jemi aq patetikë sa të besojmë se Shqipëria do të kishte ndryshuar shumë, apo që Partia Demokratike do të ishte ringritur dhe ardhur në pushtet, për shkak të tij. Askush nuk e thotë dot, nëse sot do të ishim duke e ndjekur, apo duke e shtyrë, por mund të ishim edhe duke e tërhequr nga xhaketa, që të mos nxitonte apo të ulte një marsh nga shpejtësia. Por një gjë është e sigurt, në të gjitha versionet: Sokol Olldashi do të ishte me të gjithë motorrët ndezur. Dhe dihet se të gjithë burrat e zotë, që kanë dhe ndjekin një projekt, e kanë të sigurt produktin dhe rezultatin.
Natyrisht, jo vetëm ne që jemi sot këtu duam ta nderojmë dhe ta vlerësojmë sa të kemi frymë Sokol Olldashin. Miqësia, në finale, është një trajtë dashurie, dhe kjo e fundit nuk e ka të domosdoshme praninë fizike. Ka një mijë mënyra për ta bërë këtë dhe nuk është kusht që një ndjenjë të shprehet vetëm në kor, sic është, fjala vjen, edhe ky aktivitet simbolik. Secili e bën sipas natyrës dhe mundësive të tij. 
Por ajo që nuk do doja kurrë të ndodhte është që mungesa e tij të shërbente si justifikim për ndonjë mosarritje apo mossukses. Kjo vlen për të gjithë. Që nga dy djemtë e tij të mrekullueshëm, që janë bërë burra, e deri tek i njohuri më largët. Sepse Sokol Olldashi është një ftesë e gjallë për të jetuar me pasion dhe intensitet. Ne nuk e kthejmë dot Mikun tonë të shtrenjtë, por modelin, shembullin dhe vizionin e tij - PO.
-Kush ka një gjë për të thënë, të mos heshtë. Edhe në pastë thjesht një batutë, mos ta kursejë. Kush ka nje ide në kokë, të dalë në shesh dhe ta mbrojë. Por edhe në i vjen në mendje vec një motiv, le ta luajë apo ta këndojë. Kush ka një projekt, le ta zhvillojë dhe ta nxjerrë në breg. Kush ka një sfidë përpara, të mos ngurrojë, por ta kapërcejë.
Ky është Sokol Olldashi, që kam njohur - ëndërrimtar i përjetshëm, që jeton cdo sekondë.
Me shpresën e vakët se nuk e kam tepruar, ju falenderoj të gjithëve për vëmendjen.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë