“I nderuar Senator Klein,
I nderuar zoti Gjonaj,
Zonja dhe Zotërinj anëtarë të Senatit të Shtetit të Nju-Jorkut!

Dëshiroj më së pari t’ju falënderoj përzemërsisht dhe t’ju shpreh mirënjohjen time personale dhe institucionale në emër të popullit shqiptar për miratimin e rezolutës, e cila çmon pamasë, lartëson dhe nxjerr në pah rolin e vërtetë të shqiptarëve në mbrojtjen dhe shpëtimin e hebrenjve gjatë periudhës së tmerrshme të Shoah-ut!
Ky lartësimin i kontributit të bashkëkombasve të mi përkon edhe me 70-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me triumfin historik të forcave aleate, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, aty ku Shqipëria u rreshtua me vullnet të plotë duke derdhur gjak dhe me meritë rezultoi në anën e fituesve ndaj aksit të së keqes.
Rezoluta që ju sapo miratuat vlerëson jo vetëm jashtëzakonisht dhe me të drejtë mbarë kombin shqiptar, jo vetëm popullsinë e Shqipërisë, por edhe atë të Kosovës, si dhe kudo tjetër ku jetojnë shqiptarët, duke theksuar edhe njëherë, akoma edhe më shumë kësaj radhe, edhe pse kanë kaluar më se 70 vite, Besën – tiparin karakteristik që zoti Norman Gershman me plot të drejtë e ka shndërruar në lajtmotivin e veprës së tij.
Të nderuar anëtarë të Senatit të Shtetit të Nju-Jorkut,
Shqiptarët, përveç mbrojtjes së hebrenjve janë sjellë në të njëjtën mënyrë me cilindo të huaj apo mik të largët që fati i mirë apo i keq i ka rastisur të trokasë në dyert tona. Kjo tregon jo vetëm një lloj vazhdimësie tipike e të trashëguar  brez pas brezi, por edhe besnkërinë që kanë bashkëkombasit e mi ndaj parimeve të shëndosha etiko-morale dhe kodit tonë të nderit – Besës.
Duke marrë parasysh dëshmitë historike, veprën e zotit Gershman, si dhe vlerësimin e Jad Vashemit për shqiptarët e drejtë, do të kisha dëshirën që fjala Besatë përfshihej në gjuhën ndërkombëtare si sinonim i vlerës më të madhe dhe tiparit më të rrallë të kombit shqiptar edhe tani në shekullin e njëzet e një. Së bashku me tolerancën, bashkëjetesën dhe harmoninë tonë proverbiale fetare.
Ndërsa shpalos këto ide dhe mendime, më lejoni që të çmoj personalisht dhe institucionalisht gjithashtu edhe nismën e ardhshme të planifikuar nga Anëtari i Asamblesë suaj, Mark Gjonaj për të paraqitur projektin “Building Bridges” me qëllimin e një vizite tuajën të mundshme në atdheun tonë krenar.
Dhe meqë jam në këtë pikë, si Kryetari i Shtetit shqiptar, më lejoni që t’i bashkangjitem rezolutës suaj dhe të përshëndes nënshkrimin në Uashington disa javë më parë, të Deklaratës së Përbashkët për Partneritet Strategjik mes Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Atë dokument e konsideroj si shumë të rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, intensifikimin e dialogut politik në të gjitha çështjet me interes strategjik, si dhe një instrument inkurajues për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Më lejoni gjithashtu që në emër të qytetarëve shqiptarë të shpreh e të nënvizoj mirënjohjen e thellë për mbështetjen e gjithanshme që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë ndër vite, për vendosjen e përpjekjet për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, për realizimin e aspiratës sonë evropiane, si dhe për forcimin e rolit konstruktiv dhe stabilizues që Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të ketë në Ballkanin Perëndimor.
Zonja dhe zotërinj!
Së fundmi ju falënderoj pamasë si për ftesën ashtu edhe për mundësinë fatlume që më dhatë për të qenë i pranishëm sot mes jush në këto çaste historike, kur populli shqiptar nderohet dhe çmohet për vlerat e vërteta që mbart dhe që i ka demonstruar përgjatë viteve, dekadave, madje edhe shekujve.
Në përfundim të fjalës sime përpara Senatit të Nju-Jorkut dëshiroj nga zemra edhe njëherë të shpreh mirënjohjen në emër të shtetit shqiptar si dhe të theksoj vendosmërisht që mizori dhe tmerre të tilla antinjerëzore nuk duhet të përsëriten dhe nuk duhet lejuar të ndodhin më. As edhe njëherë tjetër nuk do t’i lejojmë, të gjitha bashkë: shqiptarë, hebrenj, amerikanë, që veprime të tilla çnjerëzore të përsëriten, në as një cep të botës! Kurrë më!’’