Fjala e plote e deputetit Taulant Balla ne Kuvend

Kam dy ndjesi krejt të kundërta në këtë ditë:

E para, ndjehem realisht mirë që emri im është përfshirë në këtë listë të pjesshme të dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme, për heqjen e tre imuniteteve parlamentare dhe për t’i hapur rrugë hetimeve të mëtejshme për protestën e 21 Janarit.

Në të kundërt, do të më duhej të pyesja veten, t’u përgjigjesha zgjedhësve të mi dhe atyre qindra mijëra shqiptarëve që protestuan atë ditë të zezë në Bulevard apo që ndoqën me dhimbje tragjedinë nga ekranet e televizioneve, se ku ndodhesha unë vetë atë ditë.

Nëpërmjet heqjes së imunitetit tim parlamentar, sot e mot, do të kem krenarinë politike, morale, qytetare dhe njerëzore që të them: po, unë isha në Bulevard.

Ndodhesha përballë zyrës së kryeministrit, i mbushur me zemëratën e qytetarit, në përmbushje të detyrës së politikanit për të denoncuar qeverisjen e tij tribale, të korruptuar në rrënjë e degë, tek e cila janë dhe rrënjët dhe degët e korrupsionit mbytës, keqqeverisjes, paaftësisë rrëqethëse.

Më 21 janar isha në Bulevard përballë zyrës ku ndodhet gjithë rrënja e helmuar dhe degët e atij sistemi gjigant manipulimi që nga zgjedhjet e deri tek vrasjet politike për hir të pushtetit politik. Të pushtetit të një pakice politike që përfundimisht mori mbi vete dhe mburravecërinë e fshehjes mbas armëve të krimit. Po! Unë isha në Bulevard, një nga ata dhjetëra mijëra shqiptarë që ëndërrojnë dhe meritojnë një jetë ndryshe, një jetë më të mirë, një jetë normale në një vend normal.

E dyta, ndjehem keq që edhe pasi kemi kapërcyer dy dekada pluralizëm, stili komunist i fabrikimit të armiqve, i fabrikimit të grupit armiqësor që kërkon ndryshimin e pushtetit, i fabrikimit të fajit dhe mëkatit, është ende gjallë, si mendësi, si jetësim, si vetë stili komunist i komunistit Sali që thotë se vdes, por nuk dorëzohet.

I njëjti stil komunist që protestën e qytetarëve që nuk e duan e konsideron rrethim, që vrasësit i bën heronj dhe që heronjtë e vërtetë, qytetarin e thjeshtë, kërkon ta lerë pa kohën e tij, pa shpresën e tij, pa të nesërmen e tij.

Por nuk ka asnjë problem. Aq më pak unë nuk kam asnjë problem. Sepse unë e di mirë se qytetarët mbeten. Maskarenjtë, nuk harrohen. Maskarenjtë kujtohen me turp!

Grupi im parlamentar më ka autorizuar të them se vota e tij dhe vota ime vetjake është një: do të votoj për heqjen e imunitetit tim parlamentar dhe të dy kolegëve Baraj dhe Doshi, sepse si politikan dhe qytetar jam tërësisht i hapur për të qenë nën hetim nga organi i prokurorisë së vendit tim, për të bashkëpunuar me organin e akuzës dhe për ta shfrytëzuar dhe njëherë këtë mundësi që të deklaroj: edhe një mijë herë të dalin qytetarët në Bulevard në protestë, unë do të jem aty duke bërë në mënyrë identike atë çfarë bëra në 21 Janar!

I vetmi ndryshim, ndoshta do të ishte se nuk do të isha më pranë me Hekuranin, me Faikun, me Ziverin, me Aleksin sepse dje, sot dhe nesër, unë, deputeti i Librazhdit Taulant Balla, bashkë me kolegët e mi, jemi njëkohësisht edhe Hekurani, edhe Faiku, edhe Ziveri, edhe Aleksi. Sepse jemi larg këtij regjimi. Mes të qenit pjesë e regjimit dhe viktimë e plumbit të tij, unë do të zgjidhja gjithmonë të dytën.

Kolegë,

Një vit më parë, në natën e 21 Janarit, autobusat që kthenin në shtëpi protestuesit e Librazhdit, u ndaluan në Krrabë nga policia. Një pjesë e të rinjve u rrëmbyen dhe u rikthyen mbrapsht në Tiranë, u mbyllën në dhomat e burgimit të komisariateve të policisë, u torturuan, ju mohua e drejta për mjekim dhe mbrojtje ligjore dhe u konsideruan fajtorë, por pa qenë aspak të tillë.

Disa prej tyre ju afrua liria me kusht që të firmosnin deklarata se ishin të paguar nga unë për të marrë pjesë në demonstratë. Një djali i ri nga një fshat i Librazhdit, Fatbardhi, kishte ardhur vetë në Tiranë atë ditë, pasi kishte shitur tre dele në treg në Elbasan. E rrahën dhe e torturuan që të pranojë se ato para që kishte në xhep i kish marrë prej nesh. E liruan kur kasapët pa emër të policisë gjetën kasapin që kishte blerë delet në Elbasan.

Nga dimri i vjetshëm deri në verë, policia kërkoi për prova kundër meje si dhe ndaj shumë prej kolegëve të opozitës, por nuk mundi të gjejë asgjë. Jo për paaftësinë e saj që e karakterizon, por thjesht kërkonte diccka që nuk ekzistonte. E megjithatë, sot, respektoj deri në fund dhe refuzoj të komentoj arsyet se pse prokuroria e ka firmosur një akt të tillë. Në të vërtetë, ndjehem i nderuar që së paku në gjykimin e policisë dhe dyshimin e prokurorisë, qenkam identifikuar si organizator i asaj demonstrate popullore. Do ta bëj sërish.

Kohë më parë, nga kjo tryezë babëzie që kam pas shpinës dhe që uroj ta lemë një orë e më parë si popull mbas shpinës dhe në listën e turpit, jam kërcënuar me vdekje. Autori? I njëjti. Ai që urdhëroi të dalin nga këllëfët dhe të shkrehen armët e vdekjes më 21 Janar.

Ai që hodhi nga goja si gur fjalën fatale: hapni zjarr dhe që tani kërkon të fshehë dorën dhe fajësinë me presionet që i bën prokurorisë.

Qoftë dhe ky detaj, më bën që të shoh në sy dy vajzat e mitura të Aleks Nikës, dy fëmijët e Hekuran Dedës, më bën të shoh në sy Anën dhe vëllain e saj, fëmijë të Ziver Veizit, që më bën të mos ul sytë para djalit të mbetur të Faik Myrtajt, kur t’i çoj lule në varrin e parakohshëm të vëllait të tij.

Sot, kam një kërkesë për grupin e deputetëve të partive në pushtet. Ju lutem! Votoni për heqjen e imunitetit tim dhe të dy kolegëve të tjerë. Ne nuk na trembni, por ndoshta i trembni disi frikën Sali Berishës të mbetur pa imunitet përpara historisë. I pëshpërisni në vesh, në netët e vetmisë së tij të gjatë, në netët e ankthit të tij makbethian, se ka edhe krim të pandëshkuar. Se ai është përjashtimi dhe jo rregulli universal, se në një mënyrë apo një tjetër, e vërteta bëhet para se të kalohet në botën tjetër të së vërtetës së përjetshme.

Sali Berisha!

Ne nuk jemi si ti dhe si matroshkat e tua politike. Dje dhe sot, ne nuk u përngjajmë atyre që kanë mbyllur në gojë lidhjet tua familjare me tragjedinë e Gërdecit. Nuk u përngjajmë as atyre që për të mbuluar vjedhjen e 220 milionë eurove, mbrohen me procedura. Nuk u përngjajmë as atyre që për të mbuluar fytyrën reale të qeverisjes tënde, që bën pazare mu në zyrë të shtetit me zë dhe me figurë për miliona euro, dhe më pas për pesë minuta hedhin poshtë ekspertizat perëndimore duke shpikur ekspertiza nga fusha e druve në Tiranë.

Ne jemi ata që të dalim përballë ty. Makthi yt nuk buron nga imuniteti jonë, por nga krimet e tua. Një popull i tërë të akuzon për vrasës dhe kush vret njëherë, qëllon sërish për të vrarë sepse hyn në ciklin e kriminelit që nuk ka më qetësi. Nëse dikush mendon se duke lënë ne imunitetin, do të trembemi, gabon. Kurrë nuk e kemi konsideruar imunitetin si kullë ngujimi. Por nga ana tjetër, nuk do të ketë kullë politike që do të shpëtojë nga dora e shtetit ligjor ata që vranë në 21janar dhe ata që urdhëruan ekzekutimet në 21 Janar.

Sot, edhe mes kolegëve të pozitës, ka shumë prej tyre që ndjehen të turpëruar dhe pse me gojë të mbyllur, kur kujtojnë se qëndrimi i tyre në politikë ka vlejtur për të prodhuar miliona për Fazlliçin dhe avokaten e tij, babai i së cilës është avokati i vrasësve. Ndjehen të turpëruar sepse e shohin veten që janë bërë mjet në dorë të rrahmanëve, që kanë shok çunin e babit, që janë në një krah me Lul milionerin dhe familjen e tij.

Sali Berisha!

Merre këtë copë letër që e quan imunitet parlamentar. Mos na e kthe kurrë! Njerëzit e lirë i mbron vetë liria, zgjedhja e tyre për të qenë të lirë. Dhe kur them liria, kam parasysh edhe tokën e madhe të njerëzve të lirë dhe të fortë të përtej Atlantikut, të njerëzve të lirë e të fortë të Perëndimit, që mendojnë se duhet të vendoset drejtësia, edhe nëse përmbyset bota. Sepse na kanë mësuar se një botë pa drejtësi, është një botë e përmbysur. Ndaj, ne kemi mirënjohje të fortë që sot nuk jemi vetëm.

Ne nuk do ta harrojmë kurrë Komisionin Europian edhe presidentin Sarkozi që dënuan të parët vrasjet në Bulevard. Ne nuk do ta harrojmë kurrrë mbështetjen që qeveria amerikane i dha hetimit që ditën e parë dhe që falë saj, sot ty të ka ikur zëri dhe figura. Falë zotit je bërë i lexueshëm për perëndimin, po aq sa dhe për ne në Shqipëri.

Në fund të fjalës time dua të të them se jam shumë i ri për të bërë llogari që të mbrohem me imunitet ndaj një krimi që nuk e kam kryer. Jam krenar për çfarë kam bërë më 21 janar dhe ndjehem keq që nuk shpëtova dot nga plumbat e tu ata katër qytetarë shqiptarë.

Ne nuk kemi ccadra pistoletë për të fshehur, nuk kemi tyta pistoletash që t’i ndërrojmë me shoferët, nuk kemi servera për të fshirë dhe as grushta për të nxirë sytë. Nuk kemi gjak në duar dhe as makthe në shpirt.

Kam një këshillë për ty, Sali!

Merr kurajën, dorëzo edhe ti imunitetin tend dhe eja me mua para prokurorisë. Je ende në moshë për të përballuar disa seanca pyetjesh. Më vonë, do ta kesh të vështirë, mosha kalon. Sepse e ke të pamundur të shpëtosh pa kaluar disa seanca pyetjesh kur të vijë ora e të vërtetës.
(Deklarata ne Kuvend per heqjen e imunitetit, 2 shkurt 2012)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset