Fjalori Enciklopedik, Botimi i
Akademisë me gafa e pasaktësi

Botimi i ri i Fjalorit Enciklopedik Shqiptar përban një ngjarje me randësi e vlerë. Randësinë ia jep dobia e tij, vlerën ia shton trajtimi shkencor. Kjo vepër synon të jetë sintezë shkencore e arritjeve ma të mira të derisotme të dijes e të kulturës shqiptare, me kahe gjithëpërfshirëse kombëtare, brenda e jashtë kufijve tanë politikë, me paraqitje objektive, pa ngjyrime politike e pa ma të voglën nostalgji.

Kryetari i ASHSH-së ka pohue se: “...ndër çështjet e mbetura peng është botimi i Fjalorit Enciklopedik Shqiptar në një vëllim. Ai u botua në tri vëllime, ndërsa tani duhet botuar në një të tillë dhe në gjuhë të huaja”.

Lexuesi vëren fjalësin, përfshirjen e zaneve në Fjalor, a janë përfshi të gjitha zanet që meritojnë, a jo, qoftë si arritje, qoftë edhe si madhsi. A kanë hy zane që nuk e meritojnë, mes ndonjë përzgjedhjeje të gabueme? A ka mungesa, zbrazëti, zmadhime?

Si janë paraqitë zanet, pra, përmbajtja e tyne,  a asht objektive, e plotë, koncize, shkencore?
A ka indoktrinim, vlerësime ideologjike, qëndrime emocionale, nostalgji?
A kanë harmoni zanet midis tyne?
Gjuha artistike a shkencore, stili i veprës, a asht dhanë qartë, a perceptohet lehtë nga lexuesi?

A janë zgjedhë autorët që kanë punue zanet, nga ata që kanë shkrue ma parë artikuj, studime, monografi për zanet që kanë paraqitë në Fjalor, por ka autorë që nuk e zotnojnë plotësisht materialin për të cilin shkruajnë?
E, ma keq, autorë, të cilët patën rast me përmirësue çka kanë shkrue ma parë, por përsërisin në njëfarë mënyre, sempre la stessa cosa!

Mendimi im asht se Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botim i dytë (2008-2009) duhet diskutue ma thellë e ma objektivisht edhe me një pjesëmarrje ma të gjanë (Një këpucar i zakonshëm i bani vërejtje me vend skulpturës së Fidias). Edhe akademiku Mehmet Kraja ka shprehë mendimin se “FESH-i, botimi II ka mungesa serioze veçmas sa i përket Kosovës”( për fat të keq, jo vetëm veçmas për Kosovën). E shton: “Prandaj, përpara se të bëhet një përmbledhje dhe përkthim eventual anglisht i këtij Fjalori...do të duhej të rihartonin një vepër enciklopedike...”.
Shkurt, dalin disa pyetje të cilat meritojnë përgjigje. Unë po jap mendimin tim!
 
 Zani: Kryengritja kundërosmane e vitit  1911. A u ngrit flamuri shqiptar në kryengritjen e vitit 1911 a jo?
 
Kur shpjegohet në FESH “kryengritja kundërosmane e vitit 1911” të bie në sy se janë lanë disa fakte pa u permendun e disa shkresa, pa u vu në kandar të gjykimit objektiv, që e bajnë shpjegimin e paqartë, të paplotë e të pasaktë.
Shkruhet: “Drejtimin e saj e mori një komitet i formuar në Podgoricë” e asnjë fjalë ma tepër për këtë komitet që ka udhëheqë malësorët në luftë kundër një armiku shekullor shumë të fuqishëm. Asnjë emër anëtari në një kohë që dihen anëtarët, madje edhe anëtarët e degëve të këtij komiteti. Pavarësisht se kryetar ka qenë Sokol Baci, miku i Krajlit, ky duhej permendë, bashkë me tjerët.

Të çudit fakti që nuk shkruhet asnjë fjalë për misionin e marrëveshjes mbi themele të drejta e të qëndrueshme të Imzot Serreqit, Bumçit e Fishtës. E pra, këta personalitete kanë lanë me shkrim relacion, letra, kujtime e artikuj që shtjellojnë kryengritjen në fjalë. Mjafton të kujtojmë relacionin e Imzot Serreqit, korrespondencën me Nedimin, në atë kohë guvernatori i përgjithshëm i Shkodrës, letrën dërgue Eminencës në Romë, kujtimet e Imzot Bumçit, artikullin e Fishtës, artikullin e Liridashësit (Lirijasit), etj.. Veprimtarinë patriotike të këtij misioni e çmoi edhe Ismail Qemali, edhe Luigj Gurakuqi, edhe malësorët kryengritës.

Në veprën time “Kur e vërteta flet ndryshe” kam botue për herë të parë një letër që Ismail Qemali i dërgon Serreqit nga Cetina në Podgoricë më datën 4 korrik 1911 ku i shkruen: “Shumë u gëzova kur mora vesh se erdhët në Podgoricë, por më vjen keq se kam frikë se nuk do të mund të piqemi… u dërgoj Z. Gurakuqin, i cili do t’ju sjellë të falurat e mia ma të nxehtat”. I jueji Ismail Kemal (firma). Për ma tepër, në veprën në fjalë kam botue edhe dy letra e një telegram të Ismail Qemalit dërgue Imzot Serreqit që dëshmojnë marrëdhëniet e mira mes këtyre dy personaliteteve.

Edhe Imzot Serreqi në FESH në botimim e ri. Ai vetëm në kohën e diktaturës qe shpallë persona non grata e iu treten edhe eshtnat. Nuk përmenden as 6 klerikë, famullitarët e fushatave kryengritëse, që morën pjesë kambë për kambë me malësorët në kryengritje.

Edhe në veprën “Historia e popullit shqiptar II Rilindja kombëtare- Vitet 40 të sh.XIX-1912 T.2002” nuk përmendet ngritja e flamurit të Skanderbeut. Shkruhet: “me 6 prill 1911 u zhvilluan përleshje të ashpra ndërmjet malësorëve dhe forcave turke. Por luftimet ma të rrepta u zhvilluan atë ditë pranë Deçiçit… mbetën 7 vetë midis tyre edhe prijësi Nish Gjelosh Luli. Por asnjë fjalë për ngritjen e flamurit. Edhe në zanin Dedë Gjo Luli, punue nga i njajti autor, nuk përmendet ngritja e flamurit në Bratilë të Deçiqit.

Ndërsa historiani P. Marin Sirdani na jep edhe një detaj: “Ma i pari që përdori shqypen po ene shi flamurin krejt si të Skanderbegut kje i pavdekshmi kreshnik i Lekëve të Malësisë, Dedë Gjo Luli, i cili në vjetin 1911 më 6 të prillit e nguli në majë të Deçiçit e i ndjekun prej mija malësorësh filloi luftën për indipedencën kombëtare”(“Ndriçime të historisë të kulturës dhe të artit shqiptar” P. v.2000, f.137).
Kur Shkodra nderoi eshtnat e Dedë Go Lulit, grupi i deputetëve katolikë i Shkodrës çoi nga Tirana këtë telegram: “Bashkohemi me evari në nderimet që Shkodra po i kushton kujtimit të paharrueshmit Dedë Gjo Lulit tue krye detyrën e mirënjoftësisë ndaj fatosin të pavdekshëm që nga të parët ngrehi flamurin e lirisë t’Atdheut mbi krepat e përgjakun të Malësisë së Madhe. Si përfaqësues të Shkodrës lutemi të na zvendësoni në ceremoni”
Tiranë: Mjeda Fishta Luigj Gurakuqi Hilë Mosi Shuk Gurakuqi Patuk Saraçi. (Ora e maleve, nr.8, 1923).

enciklopedi

Theksojmë se katër firmuesit e parë kanë qenë pjesëmarrës në kryengritjen e Dedë Gjo Lulit e i kanë jetue ngarjet vetë. Po shtojmë edhe dy autorë që kanë jetue me malësorët kryengritës: Pader Anton Harapi që shkruen: “Por nuk duhet me harrue se, para se t’u ngrehte flamuri në Vlonen kreshnike, kje ngritë ma parë në Termopilat e Deçiqit prej një Leonidës së ri, Dedë Gjo Lulit, bashkë me spartanët e ri, Lekët e Malcisë” (nga artikulli Krue-Deçiq-Vlonë). Ndërsa Magister shkruen: “6 prill! Parathania e flamurit të Vlonës u krye. Asht e para herë që flamuri i kuq me shkabën e zezë me dy krena xen vendin e grabitun… Topi nga Shipshaniku zbrazet përmbi Deçiq, përmbi flamur tonë. Flamuri qëndron, qëndron për katër orë. Mandej bjen. Bjen me sa dëshmorë”.

Historiani Romeo Gurakuqi i ka kushtue një vepër: “Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës 1911”, botue më 2002 ku dhe e jep qartë e pa mëdyshje edhe ngritjen e flamurit, edhe misionin e Serreqit. Permend edhe artikullin e Lirijasit për këtë kryengritje. Desha të shtoj që Liriasi, Liridashësi, asht Hilë Mosi, pjesëmarrës aktiv i kësaj kryengritjeje, edhe një dokument të Nikprelaj mund ta lexojmë te historiani R.Gurakuqi (shih “Shqipëria 1911-1914” f.143) për ngritjen e flamurit kombëtar në Deçiq, marrë nga arkivat e Malit të Zi. Fishta do ta fusë në “Lahutë të Malcisë” Hilen, ndonëse H.Mosi nuk ka qenë me grupin që ka vu flamurin me urdhën të Dedë Gjo Lulit. Kohët e mbrame, Prof. Sami Repishti shkruen: “…deri në kalanë e Deçiçit e Dedë Gjo Lulit ngritja e flamurit kuq e zi si paraardhëse e festes sonë kombëtare të 28 nëntorit 1912”.
Ngitja e flamurit në Bratilë nuk asht propagandue shumë, si ngjarje lokale, por nuk asht mohue.
Në atë kohë kanë qarkullue shumë flamuj, por flamuri që u ngrit në Bratilë, asht punue nga Gjon Gjo Kola në punishtë të rrobaqepsisë së Krajl Nikollës, drejtue nga mjeshtri Lazer Cefa, e qëndisë e zbukurue nga Virtorja, vajza murgeshë e Zef Dajçit.
Mendojmë se zani në fjalë, ka nevojë të përmirësohet.


Shkrimi u publikua sot(14.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com(print)
(v.gj/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Plan 5 vjeçar për luftën ndaj informalitetit! Tatimet: Goditje punës së zezë dhe pagave të nëndeklaruara

Plan 5 vjeçar për luftën ndaj informalitetit! Tatimet: Goditje punës së zezë dhe pagave të nëndeklaruara