Fotografi e panjohur e Faik Bej
Konicës realizuar nga rrjeti ACME

Fotografi e panjohur e Faik Bej<br />Konicës realizuar nga rrjeti ACME
TIRANE- Dalë në mbrëmjen e 13 prillit 1939, pa u mbushur ende as një javë nga pushtimi i vendit prej Italisë fashiste, Faik Konica përcjell nëpërmjet kësaj fotografie seriozitetin e skajshëm të gjendjes ku ndodhej Shqipëria si shtet, dhe ai vetë si përfaqësues i saj fuqiplotë në kryeqytetin amerikan. "Diplomati beqar, plot dinjitet dhe nazeqar - shkruan foto-gazetari amerikan i rrjetit ACME - ...që dënoi ashpër aneksimin e vendit të tij nga trupat e Mussolinit,...pjek kafenë e vet, koleksionon libra dhe dëgjon muzikë disqesh në gramafonin e tij të modelit të vjetër me një megafon [bri] tre këmbë [gati 1 metër] të gjatë...

" Faiku ka dalë në zyrën e vet apartament në Hotelin Mayflower, "pas një dite të ngarkuar pune". Nga dritarja e zyrës duket tisi i natës që ka rënë mbi Washington. Mirëpo një natë shumë më e gjatë kishte mbuluar anembanë Shqipërinë. Me sa duket Faiku ia kishte shprehur hapur gazetarit amerikan pesimizmin e vet për gjendjen e vështirë të Shqipërisë dhe të qeverisë së Zogut. "Ai pritet të vazhdojë të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara nëse zëvendësohet nga qeveria e tij," komenton në diçiturë gazetari amerikan.

Natyrisht, Faiku asnjëherë nuk u zëvendësua nga qeveria e tij e vërtetë, d.m.th. nga Mbreti Zog. Fundi i misionit të Ministrit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Mbretërisë Shqiptare në Washington iu shpall atij zyrtarisht nga Sekretari i Shtetit Cordell Hull paradreken e 24 qershorit 1939, në përgjigje të tërheqjes së privilegjeve dhe imuniteteve të ndërsjellta ndaj Ministrit Grant në Tiranë prej autoriteteve atje si pasojë e marrëveshjes farsë të 3 qershorit në Romë për njëjësimin e shërbimeve diplomatike.

Nga biblioteka e humbur Konicës janë gjetur deri tash vetëm katër libra, kurse fati i gramafonit me bririn gjigand mbetet i panjohur.
ACME ishte kompani fotografike pararendëse e United Press Newspictures, pjesë e kompanisë/agjencisë së lajmeve që më vonë u quajt UPI, ose United Press International.
 
Shkrimi u publikua sot (16.02.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane