“Dua të përballem dhe ballafaqohem me denoncuesin tim Sali Berisha”. Kjo ka qenë deklarata e fortë Izet Haxhisë në seancën e parë gjyqësore te Gjykata e Tiranës. Haxhia dhe avokati i tij mbrojtës kërkojnë rigjykim dhe rihapjen e dosjes "Azem Hajdari". “Denoncuesi dhe akuzuesi im Sali Berisha ka një marrëveshje të bërë në “Rogner” për të ekzekutuar disa persona. Mes tyre edhe mua. Disa i vranë, mua jo”, ka deklaruar Izeti përpara trupës gjykuese, duke folur për një plan të gjerë ekzekutimesh të cilat sipas tij mbajnë autorësinë e ish-kryeministrit Sali Berisha. 

Ai ka mohuar të ketë gisht në vrasjen e Azem Hajdarit 12 shtatorin e vitit 1998, ngjarje për të cilën ai është dënuar me 25 vite burg si bashkëpunëtor. Pas seancës së sotme e cila u kryesua nga gjyqtari i "21 janarit" Besnik Hoxha, në 14 qershor do jetë seanca e dytë ku do të shpalosen pretendimet e Prokurorisë. Kërkesa e palës mbrojtëse është rihapja e këtij procesi. Avokati i Haxhisë në këtë seancë, Bashkim Nikolla, ka paraqitur një dokument të SHIK-ut, i cili ishte raport për vrasjen e Hajdarit, ku sipas tij Haxhia nuk është përmendur asnjëherë.


Izet Haxhia sot para gjykatës së Tiranës

Në këtë proces, Izet Haxhia mbrohet nga avokati Bashkim Nikolla, ndërsa pala e akuzës nga Prokurori Petrit Bici. Ndërkohë në seancën gjyqësore merrte pjesë edhe një nga familjarët e Izet Haxhisë, Ismet Haxhia, si dhe miku i tij, Romeo Kara, ish-avokat i OSHEE-së i cili ka denoncuar skandalin e privatizimit të OSSH te çekët e CEZ-it. Për dënimin në mungesë ndaj Izet Haxhisë, Gjykata e Strasburgut ka vlerësuar se procesi ndaj Izetit ka pasur parregullsi

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:30
Me pranga në duar dhe i qeshur/Izet Haxhia batuta me policët te Gjykata e Tiranës

Me pranga në duar, i veshur me kostum të zi dhe i qeshur. Kështu ka dalë sot Izet Haxhia përpara Gjykatës së Tiranës, pas ekstradimit vullnetar nga Turqia. Report Tv ka siguruar pamjet e para të ish-truprojës së Sali Berishës, i cili për herë të parë shfaqet përpara një gjykate shqiptare.

I shoqëruar nga forcat e rendit, Izeti ishte i qeshur, teksa shkëmbente edhe batuta me policët, ndërsa nga përtej xhamit të sallës gjyqësore përshëndetej edhe me të afërmit. Izeti dhe avokati mbrojtës, Bashkim Nikolla, kërkojnë rihapjen e dosjes "Azem Hajdari".

Ora 14:04
Dokumenti sekret i SHIK-ut për vrasjen e Azem Hajdarit: Ja emrat që përmenden

Avokati mbrojtës i Izet Haxhisë, Bashkim Nikolla, në seancën e parë te Gjykata e Tiranës, ka paraqitur një dokument të SHIK-ut, i cili ishte raport për vrasjen e Azem Hajdarit. 

Në katër faqet e këtij dokumenti të klasifikuar, përshkruhet e gjithë dinamika e vrasjes së Azem Hajdarit në 12 shtator 1998, përfshirë edhe autorët e krimit, por nuk është përmendur asnjëherë emri i Izet Haxhisë si autor apo i dyshuar. 






Ora 13:36
Romeo Kara: Marrëveshja e 'Rogner'-it, në takim Berisha, Meta, Majko dhe Pollo

Romeo Kara ka ndjekur nga pranë seancën e parë gjyqësore të Izet Haxhisë te Gjykata e Tiranës, i cili bëri një deklaratë të fortë lidhur me një plan ekzekutimi të disa personave me urdhër të Sali Berishës.

Kara tha se sipas dëshmisë së Izetit, ka pasur një marrëveshje në "Rogner", ku kanë marrë pjesë Sali Berisha, Ilir Meta, Pandeli Majko dhe Genc Pollo. 

"Ka qenë një plan për ekzekutimin e disa personave. Izeti ka arritur të shpëtojë", tha Romero Kara.