Edhe këtë vit, pas 14, në bulevardin e Madh ku u derdh gjak, u shfaqen disa nga të njëjtat fytyra që kemi parë që në ditën e parë. Po rrallohen ata që e dinë dhe e ndiejnë se si ranë 4 martirë në Bulevard. I vrau shteti.
Edhe atje, larg Tiranës, mbi varre përditë e më shumë mungojnë zogjtë.
Kryetari i shtetit ( kryeministër) që urdhëroi vrasjen, që atë ditë i ka imponuar vetes demencë. Kurrë nuk ka mundur të zbatojë as kodin e katundit ku lindi. Në malet e Veriut, kur vret hasmi, vrasësi e ngre kufomën që la pa jetë, e kthen me kokë nga lind-dielli, dhe niset me lajmin drejt shtëpisë së të vrarit prej tij. Sali Berisha, kryeministër, nuk bëri asnjë prej këtyre riteve mbi kokat e atyre katër, a 26, a 3000 e ca që u vranë o prej dorës o prej urdhrit të tij. Nëse do të kishte vrarë Edi Ramën, sot kryeministër, me armën snajper që mbante në sy, prapë nuk do të shkonte te varri i tij, veçse do të kërkonte varrin e Kristaqit dhe të Netës për të hedhur ca shpifje.
Sali Berisha, edhe gjakatar por edhe i paburrë.
Këtë vit pak e më pak njerëz u shfaqen të përlotur mbi gjakun e të katërve në Bulevard: Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Vitin që vjen, edhe më pak do të ketë.
Po shkon brezi që i njohu dhe u dhembi në shpirt. Po ndërrohet edhe brezi që pësoi e njohu krimet monstruoze të Sali Berishës.
Po shkon edhe vetë Sali Berisha. Ai do t’i gllabërojë e t’i çojë ‘n’atë jetë’ edhe kujtimet e krimeve. Atëherë, ku do të trokasë Drejtësia për të kërkuar hak?!
-Tak, tak, tak!, kush banon këtu? Duam Sali Berishën.
Nga përbrenda banesës, në Rrugën e Shpresës, dikush rënkon apo tund ca çelësa të frikshëm të rëndë nëpër duar:
-Jo, nuk banon këtu ai njeri. Ku e keni dëgjuar ju?.
Ndoshta do të kujtohen të shfaqen kineastët e ‘Trillerave’ për të kërkuar gropat e kujtesës së një populli që kur i kishte të gjallë martirët e vet dhe kryeministrin që shkaktoi martirë; atëherë u struk nëpër mëshira të kota. Edhe kineastët mund ta lënë punën në mes sepse devotët e kinemasë nuk mund ta besojnë ‘trillin’.
Si ka mundësi? Menjëherë pas Luftës së Dytë, vetë besnikët nazistë të Hitlerit që vranë miliona njerëz, u dërguan në gjyqe dhe u dënuan me vdekje. Popujt, prindër të martirëve, nuk lejuan që Gjyqi i Nurembergut të kishte ‘kohë pa fund’ për të dënuar krimin. Jo, Gjyqi kishte afat të limituar: ‘Deri në Iks orë zbardh krimin dhe dëno autorin!’.
SPAK në Shqipëri po e sjell krimin shtetëror ndaj katër martirëve, nëpër gojë, si karamele të ëmbël. Deri para një viti Drejtësia nuk kishte pranuar ta zinte me dorë, sikur nderi i martirëve të kombit të ishin me leprozë. Drejtësia kishte mendje se martirët do të vdesin përsëri, përsëri- ndoshta edhe tre herë, por kryetari i qeverisë që i vrau nuk do të gjykohej kurrë.
Po shkon koha, edhe brezi po ndërron. Sali Berisha po bën me dorë dhe po i thotë SPAK-ut: ‘O Skap i Partisë, unë po të lë shëndenë, nuk ke ku më gjen më!’. Edhe vetë SPAK-u po shkon drejt plakjes dhe drejt vdekjes. Një SPAK që numëron ditët pa kryer detyrën e vet themelore, ai ka vdekur me kohë.
Dje presidenti i ri, Donald Trump, urdhëroi të zbardhet vrasja e John Kenedit dhe e Martin Luterkingut, që nga vitet ’60 të shekullit të kaluar. Këta këtu po shtërzojnë e po thonë se ‘viti 2011 është një vit i largët!’.
Jeta nuk është rotacion!, siç po kërkojnë këta. Dmth pasi të ikë, Saliu nuk kthehet më për t’u gjykuar. As ata të katër nuk vijnë më që të akuzojnë vrasësit…
Po ikin të gjithë këta, mëkatarë e ndihmës të mëkatarëve. Po ikin! Kush do ta paguajë vrasjen e katër njerëzve nobel të kësaj Shqipërie? E kush do të trokasë në zyrën e SPAK-ut plak? Edhe Mark Nika, xhaxhai i vetështrydhur për të drejtën, edhe ky nuk do të jetë më.
Çfarë po bën ky shtet? A është i fortë shteti? A është apo vetëm ka qenë kriminal shteti? Nëse nuk jepet përgjigja sot, por sot!, atëherë shteti do të jetë në shekuj i deformuar. Dhe katër martirët në heshtje varri. Veç një qyqe që dëgjohet në lisin mbi varrin e tyre.
Futeni nē burg çenin malok ish sekretarin e partis sali wc bajgēn. E Shqipria bie nē qetsi apsolute.
Përgjigju