/ATSH/.-Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati priti në takim zyrtar në ministri, përfaqësuesen speciale të NATO-s për Gratë, paqen dhe Sigurinë, Marriett Schuurman.

Njoftimi dërguar sot nga Ministria bën të ditur se, gjeneral Kastrati falënderoi përfaqësuesen speciale të NATO-s për respektin që po i bën FSK-së me këtë vizitë. Komandanti i FSK-së e informoi atë mbi ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së, planet dhe objektivat për zhvillimin e ardhshëm dhe me theks të veçantë për angazhimet që ka marrë ministria për FSK-në dhe FSK-ja për implementimin e Planit kombëtarë të veprimit për zbatimin e Rezolutës 1325 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Komandant Kastrati, gjithashtu e njoftoi zyrtaren e lartë të NATO-s edhe mbi rekrutimin, zhvillimin profesional si dhe detyrat dhe zhvillimin e karrierës të femrave pjesëtare të FSK-së. Gjenerali tha se në FSK plani i zhvillimit profesional si dhe standardet e ngritjes dhe zhvillimit janë të njëjta për të dyja gjinitë, dhe se deri më tani përveç numrit shumë të kënaqshëm që kemi arritë të rekrutojmë, ne jemi të lumtur që ushtaraket e FSK-së kanë një ambient shumë të përshtatshëm për shërbim. "Ne si FSK pothuajse jemi lider në rajon sa i përket rekrutimit të femrës në radhët tona e mund të them lirisht se mund të krahasohemi në këtë aspekt edhe me shumë vende anëtare të NATO-s", shtoi gjeneral Kastrati.

Ndërsa, Schuurman u shpreh se hapat që ka ndërmarrë FSK-ja në drejtim të zhvillimit të saj si Forcë janë inkurajues dhe se ky zhvillim dhe kjo qasje ndaj ngritjes profesionale, transparencës dhe përkujdesjes për barazinë gjinore garanton zhvillim të barabartë dhe mundësi të barabarta për të dyja gjinitë. Marriett Schuurman shprehu gatishmërinë për bashkëpunim edhe në të ardhmen duke përfunduar se NATO do inkurajojë institucionet e Kosovës në implementimin e Planit Kombëtar të Veprimit për implementimin e Rezolutës 1325 të OKB-së.

Në takimin ishin edhe Luljeta Vitija Rexhepi, asistente personale e komandantit të FSK-së, Halime Morina, shefe e Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe major Remzie Zeqiraj, oficer për Marrëdhënie me Publikun në ministrinë për Forcën e sigurisë së Kosovës.