TIRANË - Opozita e bashkuar, e drejtuar nga lideri demokrat Lulzim Basha shkoi në zyrën e Presidentit Ilir Meta në një takim përreth 1 orë e gjysmë, në përgjigje të ftesës së kreut të shtetit për të gjetur zgjidhje për ngërçin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese. Por më shumë se sa situata e krijuar brenda Kushtetueses, takimi u kthye në politikë, dhe Presidenti qartazi u radhit krah opozitës, ku në sinkron me kërkesën e Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe aleatëve, tha se zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme është e vetmja mundësi e vendosjes së dialogut politik në institucione.

Në takim kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, zgjodhi që ftesës së bashkëshortit të saj Presidentit, t'i përgjigjet duke dërguar përfaqësues nënkryetarin e partisë, Petrit Vasilin, një mbledhje e zhvilluar pa praninë e kamerave.

Takimi u zbardh përmes një deklarate zyrtare nga zyra e shtypit të presidencës.

'Presidenti përshëndeti hapat e ndërmarra nga opozita për miratimin pa asnjë vonesë të reformës zgjedhore, si dhe qëndrimin publik të Opozitës së Bashkuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme, me qëllim kthimin e legjitimitetit të munguar Kuvendit të Shqipërisë dhe rivendosjes së dialogut politik në institucione'.

Sipas Metës, reforma në drejtësi po zbatohet në mënyrë të njëanshme dhe për të, rasti më flagrant është ai i manipulimit të procesit të anëtarëve të këtij institucioni, me qëllimin sipas Presidentit, për të kapur Gjykatën Kushtetuese.

"Presidenti theksoi se nuk do të lejojë askënd të neutralizojë kompetencat e Presidentit të Republikës, siç ia njeh Kushtetuta e vendit, dhe se do të ndërmarrë çdo veprim për të ndaluar këtë puç kushtetues", thuhet në njoftim.

Edhe për vetë Lulzim Bashën, zgjidhja e ngërçit kushtetues kaloi në plan të dytë. Në një prononcim për mediat pas takimit në Presidencë, ai tha se opozita do të ketë gati në dhjetor propozimet për reformën zgjedhore. Nëse nuk ka zgjedhje të parakohshme tha ai "do u bëj thirrje shqiptarëve për përballjen me qeverinë'.

Në takim veç Kryemadhit munguan edhe kryetarët e partive të tjera aleate. Shpëtim Idrizi i PDIU-së dërgoi Mesila Dodën, Fatmir Mediu i Republikanes u përfaqësua nga Arjan Madhi. Ndërsa pjesë e tryezës ishin edhe kreu i PAA, Agron Duka, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Dashamir Shehi i LZHK-së dhe Shpëtim Axhami i Lëvizjes së Legalitetit. Takimi nisi në orën 09:00 dhe përfundoi në 10:30.

Ditët e fundit, Presidenti Ilir Meta është përplasur me mazhorancën për sa i përket plotësimit me anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Pas emërimit pasditen e së mërkurës që lamë pas të Marsida Xhaferllarit, nga Presidenti Ilir Meta si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ky institucion u fut në 'ngërç' për shkak se më parë ishte emëruar anëtarja Arta Vorpsi, automatikisht si e para në listë pas përfundimit të afatit 30 ditorë që presidenti Meta kishte në dispozicion për të zgjedhur.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:16
'Kushtetuesja'/ Meta takon Meidanin: Diskutuam zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një takim me ish-presidentin Rexhep Meidani. Teksa ka postuar një foto nga takimi, Meta shkruan se është diskutuar për zhvillimet më të fundit në vend dhe zgjidhjen e krizës së rëndë politike dhe institucionale.

"Së bashku me ish-Presidentin, Prof.Rexhep Meidani diskutuam sot për zhvillimet më të fundit në vend dhe rëndësinë e zgjidhjes së krizës së rëndë politike dhe institucionale", shkruan Meta

Ora 11:40
Takimi me Metën/ Basha: Në fillim të dhjetorit gati propozimet për reformën zgjedhore (VIDEO)

Kreu i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se në takimin me Ilir Metën u diskutuan dy cështje, ngërçi në Kushtetuese dhe reforma zgjedhore. Lideri demokrat u shpreh se opozita e bashkuar i ka gati propozimet për reformën zgjedhore, ndërsa do i prezantojë në fillim të muajit dhjetor. Më pas, tha Basha nëse do të vonohen zgjedhjet e parakohshme 'do u bëj thirrje shqiptarëve për përballjen me qeverinë'. "Gjatë takimit me Presidentin Meta u njohëm me prova tronditëse të asaj që kemi ditur dhe thënë edhe më përpara, të ndërhyrjes flagrante të kryeministrit të vendit në procesin e reformës në drejtësi dhe, konkretisht, në procesin e emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Këto prova dhe fakte tronditëse vërtetojnë se qëllimi i vetëm i këtij kryeministri dhe kësaj qeverie është jo zbatimi i reformës në drejtësi, por kapja e institucioneve të drejtësisë dhe, në veçanti, kapja e Gjykatës Kushtetuese.

Partia Demokratike dhe aleatët tanë e kanë konsideruar këtë prej fillimit një grusht kushtetues, por, përtej kësaj, edhe një provë më shumë se me këtë qeveri reforma në drejtësi është e rrezikuar, drejtësia e pavarur që nuk mbron, por ndëshkon politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin, mbetet një iluzion. E kemi parë këtë në rastin e Saimir Tahirit, e kemi parë në rastin e hetimeve të ndaluara dhe të sabotuara për manipulimin zgjedhor në dosjen e “184” dhe në dosjen “339”; e kemi parë në rastin e varrosjes së aferave të tmerrshme korruptive të kësaj qeverie.

Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar qëndrojnë për një reformë në drejtësi sipas Kushtetutës. Ne kërkojmë vënien në funksionim të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, të SPAK dhe BKH –së sipas Kushtetutës dhe jo sipas planeve, anktheve dhe problemeve korruptive të qeverisjes aktuale.

Çështja e dytë që kemi diskutuar është domosdoshmëria për zgjidhjen e krizës politike. Prej më shumë se 3 muajsh kjo detyrë është shtruar edhe nga institucionet ndërkombëtare, në veçanti, nga fuqia më e madhe europiane, Gjermania, përmes mocionit të përbashkët të Bundestagut. Është shtruar,  po kështu, edhe nga partnerët tanë strategjikë.

Prej më shumë se 2 muajsh opozita ka shprehur gatishmërinë e saj për të kontribuar përmes një dialogu transparent për një reformë zgjedhore dhe zbatimin e kësaj reforme, siç e kërkon Bundestagu. Prej më shumë se 4 muajsh Edi Rama ka refuzuar dialogun dhe ndërmjetësimin ndërkombëtar, të ofruar, të paktën, në 4 raste nga institucionet ndërkombëtare, në tentativë për të mbuluar krizën e thellë politike, ku ndodhet vendi.

Shtyrja e afatit të komisionit të Reformës Zgjedhore është një tjetër përpjekje për t’i hedhur hi syve shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar. Opozita e Bashkuar as nuk ka kërkuar, as nuk kërkon dhe as nuk mbështet shtyjren për në kalendat greke të reformës zgjedhore. Javën e ardhshme, Opozita e Bashkuar do të konkretizojë produktin e saj, që është dokumenti strategjik për reformën zgjedhore, në amendamente në të gjitha ligjet dhe ndërhyrjet e nevojshme në këto ligje, pra propozimin e plotë për refomën zgjedhore, ndërkohë që, nga ana tjetër, kemi patur refuzim të dialogut, kushtëzim të dialogut dhe sabotim të reformës zgjedhore.

Ky është një film i parë dhe i stërparë. Qeveria vepron në kundërshtim me interesin e shqiptarëve dhe, pastaj, përpiqet t’ia hedhë fajin opozitës. Ne nuk mund ta pranojmë këtë. Për opozitën propozimet do të jenë gati jo më vonë sesa fillimi i dhjetorit. Për opozitën dhe për shqiptarët nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë alibi për të vonuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet kushtetuese vendore në të njëjtën ditë si rrugëdalja e vetme nga kriza.

Nuk i mungon Shqipërisë dhe shqiptarëve asgjë krahasuar me Maqedoninë e Veriut, e cila u viktimizua për shkak të dështimit të Edi Ramës me negociatat dhe, prapë se prapë, lidershipi politik atje mori përgjegjësitë që i takojnë. Vendi shkon drejt zgjedhjeve parlamentare me një qeveri kujdestare për të garantuar votën dhe për të garantuar një proces normal politik.

Ndaj edhe ne, do të vazhdojmë të insistojmë në këtë kërkesë të pandryshueshme të opozitës dhe do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshme si opozitë, duke u bërë thirrje edhe qytetarëve shqiptarë, të cilët janë në shumicë numerike për zgjedhje të parakohshme parlamentare, për zgjidhjen e kësaj krize, që po shkatërron ekonominë e vendit, po shkatërron shpresën e shqiptarëve për të marrë, së bashku, të gjithë hapat e nevojshëm, që i takojnë një shoqërie të civilizuar, nëse përballet me një qeveri autokrate, të paligjshme, që pengon shprehjen e vullnetit të popullit, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme" deklaroi Lulzim Basha pas takimit me ministren e Jashtme suedeze.

Ora 11:39
Meta krah opozitës: Duhen zgjedhje të parakohshme, do ndaloj puçin Kushtetues

Presidenca ka zbardhur takimin e kreut të shtetit Ilir Meta me liderin e PD-së, Lulzim Basha dhe partitë opozitare jashtë parlamentit. Dy janë mesazhet e Presidentit; e para që mbështet opozitën në kërkesën për zgjedhje të parakohshme dhe e dyta që do të ndaloje puçin për krijimin e gjykatës Kushtetuese.

"Presidenti i Republikës Ilir Meta zhvilloi sot një takim me kryetarët e partive të Opozitës së Bashkuar, drejtuar nga Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Presidenti Meta i njohu të gjithë pjesëmarrësit në takim me situatën dramatike të sundimit të ligjit, dhe veçanërisht me zbatimin e njëanshëm antikushtetues të Reformës në Drejtësi.

Manipulimi i procesit të emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke synuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese përmes rrëmbimit të të drejtës kushtetuese të Presidentit të Republikës për të bërë emërimet e tij, është skandali më flagrant i Reformës në Drejtësi dhe shkeljes së Kushtetutës.

Presidenti theksoi se nuk do të lejojë askënd të neutralizojë kompetencat e Presidentit të Republikës, siç ia njeh Kushtetuta e vendit, dhe se do të ndërmarrë çdo veprim për të ndaluar këtë puç kushtetues.

Kreu i Shtetit përshëndeti hapat e ndërmarra nga opozita për miratimin pa asnjë vonesë të reformës zgjedhore, si dhe qëndrimin publik të Opozitës së Bashkuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme, me qëllim kthimin e legjitimitetit të munguar Kuvendit të Shqipërisë dhe rivendosjes së dialogut politik në institucione.

Presidenti Meta vuri në dukje se përmbushja urgjente e kushteve të Bundestagut është e vetmja rrugë e sigurtë për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, dhe për ndalimin e shpopullimit dramatik të vendit" thuhet ne njoftimin e Presidences.

Ora 10:31
Mbyllet takimi i Bashës me Metën, aleati: Do flasim më vonë mos bëhet rrëmujë (VIDEO)

Ka përfunduar takimi i Lulzim Bashës dhe aleatëve të tij opozitarë me Presidentin Ilir Meta në zyrën e kreut të shtetit. Takimi zgjati 90 minuta. Lulzim Basha nuk pranoi që të fliste për mediat duke u larguar, ndërsa aleati i tij, Dashamir Shehi tha se "Presidenca do të dalë vetë më një deklaratë të saj. Kjo është punë e gjatë shumë.

Edhe zoti Basha do të mbajë një deklaratë më vonë, pasi të mbarojë takimin me ministrin e Jashtëm të Suedisë. Më mirë me ato letrat zyrtare që të mos bëhet rrëmujë" tha ai. Lulzim Basha është larguar me makinë nga Presidenca, ndërsa aleatët ashtu sikur erdhën, ikën në këmbë.

1574155871_basha.jpg

Ora 09:16
Meta: Situata kritike, s'do lejoj që Kushtetuesja të bëhet një KQZ palaço (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta u shpreh para Lulzim Bashës dhe aleatëve të tij opozitarë në nisje të tryezës se i ka ftuar për të diskutuar për situatën në vend, që e cilësoi tepër kritike, pasi akuzoi se po tentohet të kapet gjykata Kushtetuese. "Faleminderit që i jeni përgjigjur kësaj ftese për një takim zyrtar për situatën tepër kritike të vendit, të funksionimit të shtetit të së drejtës, për t'u informuar në detaje nga pikëpamja për kapjen më të rëndësishme se cdo institucioni tjetër të shtetit, për ta shndërruar në një KQZ-së palaço, si ajo që panë të gjithë shqiptarët. Kjo cështje nuk do të mbyllet, unë nuk do të lejoj" deklaroi Meta.

Ora 09:05
Futet edhe Basha në Presidencë, Meta shkon i fundit...(FOTO)

Ka mbërritur në zyrën e kreut të shtetit edhe kreu i PD-së Lulzim Basha, ndërsa pas tij i fundit ka arritur kreu i shtetit, që i ka gjetur të ftuarit në Presidencë. Ilir Meta ka ftuar partitë opozitare jashtëparlamentare për të diskutuar mbi “situatën dramatike në të cilën ndodhet vendi”.

Presidenti Ilir Meta duke u futur në Presidencë
Ora 08:56
Aleatët e Bashës zbarkojnë në Presidencë, Kryemadhi çon Vasilin (VIDEO)

Aleatët e Lulzim Bashës kanë mbërritur të parët në Presidencë mëngjesin e sotëm. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi nuk ka preferuar të shkojë vetë duke dërguar ish-kryetarin e grupit, Petrin Vasilin. Gjithashtu shkallët e Presidencës i kanë ngjitur kreu i PAA, Agron Duka, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Mesila Doda nga PDIU, Dashamir Shehi i LZHK-së dhe Arjan Madhi nga PR-ja. Pjesë e takimit është edhe Shpëtim Axhami i Lëvizjes së Legalitetit.