Gazetari i A1Report, mbërriti në zyrat e INSTAT për të marrë të dhëna më të detajuara për shifrën, pra nëse gabon kryeministri, apo gabon INSTAT. Atëherë përgjigja zyrtare nga INSTAT pak a shumë është kjo: Kryeministri nuk ka gabuar se në këtë shifër, janë përfshirë edhe familjet e pensionistëve të cilët qëndrojnë jashtë vendit.
I rikthehemi Ilir Beqjat të PS, për të pyetur: Vërtet janë 80 mijë familje pensionistësh që jetojnë jashtë vendit?
Ilir Beqja, i cili do të vinte edhe në studion e A1Report ta sqaronte por që për arsye partie është jashtë Tirane, na argumenton:
“Pensionistë pleqërie janë të regjistruar 430 mijë familje (duke marrë parasysh jo pensionet e invaliditetit, apo ato pensionet që marrin fëmijët jetimë që u kanë humbur prindërit). Në këta pensionistë pleqërie, sipas ISSH llogariten se janë gjithsej 230 mijë familje. Po sipas statistikave zyrtare të ISSH rezulton se vetëm 7 përqind e 230 mijë familjeve, nuk e tërheqin pensionin në arkat e shtetit. 7 përqind e 230 mijë familjeve, bëjnë vetëm 16 mijë familje. Edhe në këtë rast, sikur të merret e mirëqenë kështu, i bie që kryeministri ta ketë rritur shifrën me 5 përqind” thotë Ilir Beqja.
Ndërsa ne themi: në këtë rast, e në “pisk të vapës”, jemi duke u marrë me llogari matematike, për të vërtetuar që ose INSTAT, ose Kryeministri Berisha, kanë nxjerrë shifra kot. Por në ngasjen për të rritur çdo gjë në Shqipëri, ndonjëherë është më mirë të merremi dhe me analizat e shifrave.
Zhvillimet dje, Berisha: janë 820
mijë familje. Instat: Janë mbi 740 mijë
Kryeministri Sali Berisha ka bërë një gafë në mbledhjen e sotme të qeverisë duke dashur të rrisë efektin e rritjes së pagave dhe pensioneve. Shifra e dhënë nga shefi i ekzekutivit, është se nga vendimi i qeverisë do të përfitojnë 820 mijë familjet shqiptare në rritjen e pagave dhe pensioneve.
Pa dashur të besojmë se kryeministri e ka bërë me dashje këtë “lapsus” ekonomik, iu referuam censusit të fundit të INSTAT, të dhjetorit të vitit të kaluar. Sipas raportit që është hedhur në faqen zyrtare të instat ëëë.instat.gov.al rezulton se në Shqipëri, familje shqiptare dhe të huaja janë 740.256 të tilla. Madje edhe të huajt.
“Unë jam marrë shpesh me këtë çështje, thotë Ilir Beqja, kordinator për programin në Partinë Socialiste, kur e pyesim nëse është e vërtetë shifra e dhënë nga INSTAT, apo shifra e dhënë nga kryeministri. – Nuk është hera e parë që kryeministri Berisha kërkon të manipulojë me shifrat ekonomike. Nuk është e paqëllimtë që ai e rrit shifrën e familjeve shqiptare me 11 përqind, nga 740 mijë familje, në 820 mijë të tilla. Do të krijojë perceptimin publik, se rritja e madhe ekonomike dhe sukseset e kësaj qeverie, po e përmirësojnë jetën e qytetarëve shqiptarë. Por edhe kur do të bëjë këtë gjë, gënjen” tha dje për shqiptarja.com, Ilir Beqja.
Dhe siç duket qartë nga dy faksimilet që publikohen te shqiptarja.com, e para është marrë nga siti zyrtar i Këshillit të Ministrave, ëëë.keshilliministrave.al. Berisha ka thënë: “Vendimi një shpërblim i merituara në 100 vjetorin e Pavarësisë për 820 familjet shqiptare. Kjo rritje tejkalon me 3-5 herë indeksimin apo inflacionin e këtij viti”, vlerësoi Berisha, sa i takon një çështje të tillë”. Madje këtë e ka konsideruar si një sukses në vazhdën e politikës së rritjes së pagave dhe pensioneve. Nuk dihet nëse kjo shifër është dhënë që këto institucione të rrisin artificialisht, ndryshe nga INSTAT të dhënat e familjeve shqiptare. Apo nëse kryeministri Berisha ka rënë dakord që censusi i vitit të kaluar, është shumë problematik, ashtu sikurse e kanë konsideruar shumë aktorë dhe faktorë politikë. Por Berisha e ka ndryshuar këtë shifër nga dy dokumentet zyrtare, duke e krahasuar atë që gjendet në ëëë.instat.gov.al.
Kontaktuam dje në mbrëmje me drejtoreshën e INSTAT Ines Nurja. “Të lutem, jam në një darkë familjare, nuk mund të them saktë shifrën e familjeve në Shqipëri” thotë zonja Nurja pasi merr informacion për shifrën e dhënë nga kryeministri, dhe atë që është shënuar te INSTAT. Zonja Nurja premton se ditën e sotme, do të na e sqarojë këtë gjë, nëse ka gabuar INSTAT me censusin, apo nëse e ka ngatërruar kryeministri.
(ab/shqiptarja.com)