Gafa në Kodin Penal, shitja e
armëve pa leje... 50 vjet burg!

"50 vjet burg kush kapet duke shitur armë pa leje". Sigurisht, bëhet fjalë për një lapsus në amendimet e Kodit Penal, fundvitin e shkuar. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë ka si dënime maksimale 35 vjet burgim ose burgim të përjetshëm. Ndërsa në Fletoren Zyrtare nr. 249 të vitit 2015 në zbardhjen e disa amendimeve të Kodit Penal, të miratuara me ligjin nr. 135/2015, ka sjell një problematikë në zbatimin në praktikë të tij.
 
Në nenin 17 të këtij ligji, i cili ndryshon neni 278 “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, thuhet shprehimisht: “Prodhimi, shitja, blerja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, tregtimi dhe transportimi i armëve dhe i municioneve luftarake, lëndëve plasëse, i bombave ose minave pa lejen e organeve kompetente shtetërore dënohet me burg nga pesë deri në pesëdhjetë vjet”.

lapsus ne kodin penal

Në bazë të legjislacionit shqiptar, ligjet hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, në të cilin gjenden të shpallur tekstet ligjore që kanë fuqi detyruese për t’u zbatuar në formën që paraqiten në këtë dokument shtetëror. Pra, në këtë rast, gjykatat shqiptare duhet të marrin parasysh dënimin e personave të akuzuar për veprën penale të mësipërme deri në gjysmë shekulli.
 
Ky dënim maksimal prej 50 vitesh burgim, siç gjendet i botuar në Fletoren Zyrtare, bie tërësisht ndesh me strukturën e ligjit penal shqiptar, i cili parashikon marzhet më të larta të dënimit për vepra që cenojnë jetën e personave. Në këtë frymë, dënimi maksimal me 50 vjet burgim për armëmbajtje pa leje duket qartë se është një lapsus, i cili duhet gjendur tek hartuesit ligjvënës ose në zbardhjen e tij nga Qendra e Botimeve Zyrtare. Logjikisht, numri 50 duhet të jetë 15 vite burgim, por gjithsesi, ai gjendet i shkruar qartësisht pesëdhjetë në Fletoren Zyrtare.
 
Megjithëse bëhet fjalë për një lapsus jo të lehtë, i çuditshëm është fakti që Kuvendi ende s'ka ndërhyrë për të korrigjuar gafën.  

Redaksia online
Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave