Gjet Ndoj,  lufta në një
album fotografik pa censurë

Gjet Ndoj,  lufta në një<br />album fotografik pa censurë
TIRANE- Një album fotografik për rezistencën shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, po përgatitet nga një grup specialistësh ngritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave me rastin e kremtimit të 70-vjetorit të Luftës. Drejtori i Arkivave Gjet Ndoj, prezantoi dje në një konferencë për mediat, përmbajtjen e këtij albumi, duke theksuar se për herë të parë ky album do të sjellë një pasqyrim të balancuar e gjithëpërfshirës të luftës. “Arkivi ynë, është përcaktuar nga komisioni qeveritar për kremtimet e 70-vjetorit të Luftës, që të realizojë një album, i cili flet për përpjekjet e shqiptarëve gjatë luftës së Dytë Botërore për çlirimin nga nazi-fashizmi.

Tashmë ne kemi ngritur një grup specialistësh pranë arkivit për të parë gjithë materialin e nevojshmë fotografik”, thotë Ndoj, duke theksuar se në këtë rast kemi avantazhin që të realizojmë një album gjithpërfshirës dhe objektiv sa i takon kësaj rezistence. “Albumi i fundit i realizuar për Luftën është bërë në vitin 1980, por koha nuk i favorizoi autorët e atij albumi për ta pasqyruar në mënyrë objektive luftën dhe si rezultat i kësaj në atë album kishim përjashtimin e shumicës të krerëve dhe personaliteteve që janë marrë me organizimin e luftës. Siç ju e dini shumica e eksponentëve të Luftës përfunduan armiq të pushtetit dhe në atë album nuk u përfshinë, duke e lënë mjaft të mangët pasqyrimin e kësaj rezistence.

Ne do të paraqesim tashmë për publikun një album që do të jetë imazhi i vërtetë i realitetit të luftës dhe i përpjekjeve shqiptare kundër pushtuesve nazi-fashistë”, tha Ndoj. Albumi, sipas tij, do të fillojë në mënyrë kronologjike nga momenti i pushtimit në 1939, duke prezantuar momentet e qëndresës sado sporadike që ishin, duke vijuar me demonstratat, çetat territoriale, të cilat më vonë u ndikuan nga lëvizja komuniste partizane, organizimi i mëtejshëm i luftës, që nga konferenca e Labinotit më 10 korrik 1943, kur vendoset themelimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, formimi i njësiteve partizane më të organizuara, krijimi i brigadave të para etj. Drejtori i arkivave Gjet Ndoj, theksoi se në rastin e këtij albumi nuk do të përsëritet më ajo që ka ndodhur më parë kur një brigadë e tërë nuk paraqitej pse komandanti i saj duhej fshirë nga kujtesa.

“Ne do të paraqesim me këtë album të gjithë formacionet partizane, sikurse edhe forcat e tjera nacionaliste, të cilat drjetoheshin nga personalitete patriotike që e donin këtë vend të lirë nga nazifashizmi. Po ashtu në këtë album si asnjëherë tjetër do të paraqitet edhe kontributi dhe bashkëpunimi me aleatët, ku më aktivët kanë qenë britanikët, por edhe emisarët jugosllavë apo rusë. Po ashtu do të pasqyrohet edhe qëndrimi i shqiptarëve në mbrojtje të hebrejve, apo edhe marshimi partizan pas çlirimit të vendit, jashtë Shqipërisë, si një vazhdimësi në përpjekjet kundër Gjermanisë naziste, një marshim që tregonte bashkëpunimin e shqiptarëve me aleatët.

Ndërsa fundi i albumit, sipas drejtorit Ndoj është menduar ti dedikohet manifestimeve të mbajtura në nder të çlirimit të vendit, duke paraqitur ardhjen e qeverisë në Tiranë, pritjen e saj nga populli, etj. Albumi do të promovohet në vazhdën e aktiviteteve të shumta që do të mbahen për kremtimin e 70-vjetorit të çlirimit të vendit nga pushtuesi nazi-fashist.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri