TIRANË- 35 fashikuj me prova digjitale në CD dhe USB, kërkoi të hapeshin në sallën e gjykatës së Posaçme, avokati i kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, për një mbrojtje efikase, tashmë që procesi gjyqësor ka nisur. Këto prova, sipas Plarent Ndrecës, janë të pahapura, nuk janë parë dhe nuk janë vlerësuar as nga gjykata e seancës paraprake, megjithëse ajo ka marrë vendim mbi to, për ta kaluar çështjen në gjykim,

Në seancën ku Veliaj nuk ishte i pranishëm, mbajtur të hënën, avokati kërkoi që këto prova t’i vihen në dispozicion edhe mbrojtjes. As kryebashkiaku nuk i ka marrë provat origjinale të cilat rezultojnë vetëm procesverbalet e zbardhura në dosje.

“Reagimi i gjykatës ishte tronditës: e injoroi këtë fakt, e konsideroi të ezauruar kohën e mbrojtjes për njohjen me aktet, refuzoi çdo verifikim, nuk solli fashikujt, nuk konstatoi gjendjen e tyre dhe, ndërkohë, as vetë nuk i ka hapur dhe nuk është njohur me to”, sqaroi Ndreca në një reagim publik

Në të njëjtën linjë, u refuzua kërkesa për transmetimin e seancave me alibinë e mospëlqimit të dy të pandehurve dhe ajo për qëndrimin e të pandehurit në sallën e gjyqit, jashtë kafazit të xhamit.

Mbrojtja e kryebashkiakut thotë se kërkesa e tyre për të lejuar transmetimin e gjyqit live u refuzua pa asnjë argument dhe pa bazë ligjore, duke shkelur Kushtetutën.

“Seanca ekspozoi një rrezik real: një drejtësi që shmang përballjen me faktet dhe të vërtetën, duke u kthyer nga organ i dhënies së drejtësisë në një mekanizëm “paketim-ambalazhimi” çështjesh, i shurdhër ndaj argumentit dhe i verbër ndaj ligjit. Pa këto kushte, çdo përpjekje për të hequr “pataten e nxehtë” apo për të larë duart si “Ponc Pilati” do të dështojë dhe përgjegjësia, dikur, diku, ndaj dikujt, do të kërkojë adresën e saj”, shkruan Ndreca.

Ndreca thotë se kërkesa që Veliaj të dalë nga kafazi u trajtua në mënyrë cinike dhe arrogante nga akuza, duke iu referuar deklaratës së prokurorit Ols Dado, se GJKKO është si hotel me 5 yje.

"U refuzua e drejta e z. Veliaj për të qenë në kushte dinjitoze dhe të barabarta me palën tjetër, përmes eliminimit të qëndrimit në kafazin e xhamit, një kërkesë që u trajtua në mënyrë cinike dhe arrogante nga akuza, duke u krahasuar me një qëndrim në “hotel me 5 yje”, thuhet në deklaratë. 

Të njëjtat kërkesa, qytetari i parë i Tiranës pritet t’ia drejtojë një tjetër trupe gjykuese. Kjo pasi togat e zeza pranuan kërkesën e 11 të pandehurve për gjykim të shkurtuar, ndërsa Veliaj dhe 18 të tjerë, përfshirë disa kompani, do të gjykohen me proces normal me një tjetër trupë gjykuese.

Edhe vendimi për të pranuar gjykimin e shkurtuar, sipas avokatit Plarent Ndreca, në kushtet kur provat nuk janë hapur ende, është absurdi i radhës.

“Mbi çfarë baze u vlerësua se çështja mund të zgjidhet “në gjendjen që janë aktet”, kur vetë aktet nuk janë hapur? Një situatë kjo që krijoi bindjen e qartë për një vendimmarrje të paracaktuar për ndarjen e çështjes dhe “heqjen nga dora” të rastit “të nxehtë” Veliaj, bindje e përforcuar nga qëndrimet e prokurorëve, të cilët paralajmëruan se kërkesat tona do trajtoheshin në një proces tjetër, pikërisht siç ndodhi", thuhet në deklaratë. 

Seanca e radhës për të pandehurit me gjykim të shkurtuar ku pritet të jepen konkluzionet u la për tu zhvilluar në 20 maj

Reagimi i plotë i Plarent Ndrecës

Hapni provat. Hapni kafazin. Hapni kamerat. Tri kërkesat e Erion Veliaj

Të nderuar përfaqësues të medias,

Seanca e djeshme ndaj Erion Veliajt nuk ishte thjesht një zhvillim i radhës procedural, por një pasqyrë e qartë e situatës dramatike në të cilën është mbërthyer drejtësia shqiptare.

Nga ana jonë u paraqitën kërkesa bazike për një proces të rregullt ligjor. Kërkuam që gjykata të sillte në sallë 35 fashikuj me prova digjitale (CD/USB), të cilat rezultojnë të pahapura dhe të konstatohej ky fakt në seancë: prova që nuk janë hapur, nuk janë parë dhe nuk janë vlerësuar as nga gjykata e seancës paraprake, megjithëse ajo ka marrë vendim mbi to.

Kërkuam gjithashtu që këto prova të viheshin në dispozicion të mbrojtjes, pasi nuk janë administruar kurrë prej saj, ndërsa z. Veliaj jo vetëm që nuk i ka marrë, por nuk ka asnjë mundësi teknike të njihet me to. Reagimi i gjykatës ishte tronditës: e injoroi këtë fakt, e konsideroi të ezauruar kohën e mbrojtjes për njohjen me aktet, refuzoi çdo verifikim, nuk solli fashikujt, nuk konstatoi gjendjen e tyre dhe, ndërkohë, as vetë nuk i ka hapur dhe nuk është njohur me to.

Absurdi vijoi me pranimin e gjykimit të shkurtuar për një pjesë të të pandehurve, pra gjykimin mbi gjendjen aktuale të akteve, në një kohë kur një pjesë e tyre janë të pahapura dhe të pashqyrtuara edhe nga vetë gjykata, çka ngre pyetjen thelbësore: mbi çfarë baze u vlerësua se çështja mund të zgjidhet “në gjendjen që janë aktet”, kur vetë aktet nuk janë hapur? Një situatë kjo që krijoi bindjen e qartë për një vendimmarrje të paracaktuar për ndarjen e çështjes dhe “heqjen nga dora” të rastit “të nxehtë” Veliaj, bindje e përforcuar nga qëndrimet e prokurorëve, të cilët paralajmëruan se kërkesat tona do trajtoheshin në një proces tjetër, pikërisht siç ndodhi.

Në të njëjtën linjë, u refuzua pa asnjë argument dhe pa bazë ligjore kërkesa për transmetimin e seancave, në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe me praktikën e Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu, u refuzua e drejta e z. Veliaj për të qenë në kushte dinjitoze dhe të barabarta me palën tjetër, përmes eliminimit të qëndrimit në kafazin e xhamit, një kërkesë që u trajtua në mënyrë cinike dhe arrogante nga akuza, duke u krahasuar me një qëndrim në “hotel me 5 yje”.

Seanca e djeshme nuk ishte thjesht një diferencë qëndrimesh proceduriale, por një kontrast i fortë midis një mbrojtjeje që kërkon standarde, profesionalizëm dhe përgjegjësi dhe një procesi që i shmang standardet, Kushtetutën dhe ligjin. Ajo ekspozoi një rrezik real: një drejtësi që shmang përballjen me faktet dhe të vërtetën, duke u kthyer nga organ i dhënies së drejtësisë në një mekanizëm “paketim-ambalazhimi” çështjesh, i shurdhër ndaj argumentit dhe i verbër ndaj ligjit.

Kjo nuk na dekurajon. Përkundrazi, e rrit përgjegjësinë tonë nga një detyrë profesionale në një detyrë qytetare, për të përdorur çdo mjet ligjor dhe për ta rikthyer këtë proces në shinat e Kushtetutës dhe standardeve evropiane. Pa këto kushte, çdo përpjekje për të hequr “pataten e nxehtë” apo për të larë duart si “Ponc Pilati” do të dështojë  dhe përgjegjësia, dikur, diku, ndaj dikujt, do të kërkojë adresën e saj.

Faleminderit!

Av. Plarent Ndreca

Mbrojtësi i z. Erion Veliaj

------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë