Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Evis Berberit dhe të pandehurve të tjerë, që për një nga procedimet penale që kanë të bëjnë me dosjen e ARRSH-së të gjykohen me procedurë të shkurtuar. Kërkesa nga Berberi dhe 20 të pandehurit e tjerë ishte bërë në seancën e parë në themel, teksa i vetmi që kërkoi ndarjen dhe që u miratua për gjykim të zakonshëm ishte biznesmeni Valter Begaj dhe shoqëritë Net Group e Dam shpk.
Megjithëse SPAK kishte kërkuar që për Evis Berberin, Erjon Lamin e Brunilda Bulin lami, kërkesa të mos pranohej, togat e zeza vendosën ta miratojnë. 21 të pandehurit për dosjen e ‘ARRSH” akuzohen për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion pasiv, mashtrim me pasoja të rënda dhe falsifikim dokumentesh.
Të pandehur janë: ish-drejtori i ARRSH, Evis Berberi, Valter Begaj, Ervis Lami, Brunilda Buli, Gentjan Gjyli, Genti Raça, Erald Elezi, Artan Leskoviku, Altin Marko, Orjon Islamaj, Adrian Kroi, Bledar Aliaj, Blerta Musabelli, Kamelia Tafaj, Adela Kica, Denis Xhoxhi, Adja Strazimiri, Gëzim Noni, Shkëlqim Lusha, Ela Goxhaj, Jetmira Dervishi, Valbona Pepa, si edhe dy shoqëritë "Net Group" dhe "DAAM".
Ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi, i arrestuar në 2024-ën, sipas SPAK dyshohet se është përshirë në raste korruptive në 8 tendera me vlerë rreth 15 milionë euro. Berberi ishte pronar faktik i kompanisë “DAAM” shpk, së cilës i kishte dhënë tendera gjatë kohës që mbante pozicionet e Drejtorit të Përgjithshëm për Eficencën e Energjisë dhe ARRSH-së.
SPAK e akuzon Berberin se ndonëse kishte kaluar fiktivisht pronësinë e shoqërisë “DAAM” sh.p.k te persona të tjerë, vijonte të ishte pronari de facto i saj, duke e përdorur për të përfituar personalisht nga tenderat publikë. Sipas Prokurorisë së Posaçme, shoqëria “Net Group” në pronësi të Valter Begajt, është përdorur për të devijuar para, drejt një tjetër kompanie, “Daam”, në letër në pronësi të Begajt, por që sipas hetuesve ishte në zotërim indirekt të Berberit.
Arrestimi i Berberit dhe sekuestrimi i celularit të tij prodhoi për SPAK edhe hetime të tjera, mes tyre edhe atë të ndaj zv. kryeministres Belinda Balluku e marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera si dhe kryetarit të Bashkisë së Shkodrës Benet Beci, edhe ky në gjykim për të njëjtën akuzë .
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente










