Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, raportoi sot pasdite në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Integrimit. Në qendër të diskutimit ka qenë ecuria për realizimin e prioriteteve për integrimin në BE.
Në fjalën e saj Gjosha tha se, Shqipëria është në rrugën e duhur për reformat dhe procesin e integrimit. Ministrja Gjosha deklaroi se reforma në Administratën Publike është më e rëndësishme, teksa pohoi se reforma në sektorin e drejtësisë kërkon kohë.
"Nuk mund të themi se i kemi plotësuar detyrimet. Do të vijojmë me gjithë forcat në rrugën e integrimit", tha ministrja Gjosha.
"Shqipëria është në rrugën e duhur për reformat dhe procesin e integrimit. Ka përfunduar drafti i parë për vlerësimin e gjyqtarëve, në kuadër të parandalimit të korrupsionit ka rritje të zyrtarëve të kontrolluar. Reforma në drejtësi kërkon kohën e vet, është një proces i komplikuar. Janë vlerësuar përpjekjet në luftën kundër narkotikëve, është ngritur drejtoria për luftën ndaj terrorizmit", tha Gjosha
Ndërkohë, kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, theksoi se raportet që qeveria i çon Brukselit, duhet t'i paraqesin dhe në komision. /atsh/