Vulën e PD e mori Berisha, Basha rekurs në Gjykatën e Lartë: Të zhbëhet vendimi i Zhukrit dhe i Apelit

Vulën e PD e mori Berisha, Basha rekurs në Gjykatën e Lartë: Të zhbëhet vendimi i Zhukrit dhe i Apelit

Lulzim Basha

TIRANË- Pasi vula e Partisë Demokratike i kaloi Sali Berishës, Lulzim Basha po vijon betejën ligjore. Siç e pati paralajmëruar, ditën e sotme i është drejtuar Gjykatës së Lartë me një rekurs mbi çështjen e vulës dhe kërkon kthimin e saj sërish tek grupimi i tij.

‘Sot dorëzojmë rekursin në gjykatën e Lartë për vendimin e Apelit. Jo vetëm që është vendim i paligjshëm, por mbart element të veprës penale të falsifikimit të dokumenteve. Do t'i kërkojmë gjykatës së lartë të mos flejë mbi këtë dosje, por të veprojë me urgjencë.’- tha Basha sot në një konferencë për mediat. 

Në rekursin prej 69 faqesh, Basha i drejtohet Gjykatës së Lartë me 4 kërkesa, fillimisht pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë që i dha vulën Berishën. Përmes kësaj pike, Basha kërkon që deri në shqyrtimin e rekursit, vula të mos përdoret as nga pala e Berishës. Më tej, përmes këtij rekursi, Basha kërkon prishjen e vendimit të Zhukrit të 23 marsit 2022 që i dha vulën Berishës, prishjen e vendimit të Apelit që la në fuqi Shkallën e Parë, si edhe pushimin e gjykimit.

Këto kërkesa Basha i bazon në disa argumente, ku më kryesorja është se sipas tyre Komisioni i Rithemelimit nuk ka pasur asnjë tagër përfaqësimi në këtë çështje dhe se kemi të bëjmë vetëm me një palë, Partinë Demokratike që përfaqësohej nga Enkelejd Alibeaj.

Më tej thuhet se në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë nuk ka asnjë organ të emërtuar Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit. Rezulton e provuar që mbledhja e "Kuvendit të PDSH-së" të datës 11.12.2021 është bërë në kundërshtim të hapur me dispozitat e Statutit të Partisë Demokratike.

Disa prej konkluzioneve në rekursin e Lulzim Bashës

1-Rezulton e provuar që ankimi i paraqitur nga Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Enkelejd Alibeaj i plotëson parakushtet formale për tu pranuar si një mjet ligjor si përfaqësues i subjektit Partia Demokratike e Shqipërisë.

2-Tagrat e përfaqësimit të Nënkryetarit Enkelejd Alibeaj nuk kanë mbaruar në asnjë moment në kuptim të nenit 76 të Kodit të Procedurës Civile.

3-Rezulton e pranuar gjyqësisht si në gjykimin në Apel dhe në Gjykatë të Lartë që kemi të bëjmë me një palë dhe konkretisht Partia Demokratike e Shqipërisë.

4-Rezulton e provuar gjyqësisht që tagrat e përfaqësimit të PDSH-së i kanë pasur Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeja në vijimësi dhe se KPR nuk ka pasur në asnjë moment të vetëm tagra për përfaqësimin e PDSH-së.

5-Rezulton e provuar që as në Statutin e PDSH-së të vitit 2018 të regjistruar në 13.07.2021 dhe në Statutin e PDSH të miratuar në 17.07.2021 dhe të pa pasqyruar në regjistrin e partive politike në momentin e shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë nuk ka asnjë organ të emërtuar Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit. Rezulton e provuar që mbledhja e "Kuvendit të PDSH-së" të datës 11.12.2021 është bërë në kundërshtim të hapur me dispozitat e Statutit të regjistruar të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe më konkretisht atij të vitit 2018 dhe të regjistruar në 13.07.2021.

6-Gjykata ka legjitimuar kërkuesin përpara se të vendoste për ligjshmërinë e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, Kuvend në të cilin është krijuar kërkuesi si organ statutor i ngritur në kundërshtim me dispozitat e te gjithë akteve staturore në diskutim në këto diskutime.

7-Gjykata ka vepruar në kundërshtim të hapur me nenin 392 të Kodit të Procedurës Civile, ndonëse kishte dijeni për ekzistencën e interesit të ligjshëm të një pale tjetër në gjykimin për vërtetimin e faktit juridik.

8-Përfaqësuesi i kërkuesit është legjitimuar në gjykim në kundërshtim me dispozitat e nenit 72 të Kodit të Procedurës Civile, Akti i përfaqësimit të përfaqësuesit të KPR eshtë lëshuar në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Proçedurës Civile Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka gjykuar pa pasur të administruar dhe pa u njohur me dosjen e regjistrimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

9-Formularët mbi të cilët pretendohet së është bërë thirrja e Kuvendit Kombëtar, në momentin e nënshkrimit të tyre nuk kishin në brendësi të tyre datën dhe orën e thirrjes së Kuvendit Kombëtar: se këto të dhëna janë vendosur në një moment të mëpasshëm kohor në mënyrë mekanike të njëjtë për të gjithë formulartë. Ky fakt cënon plotësimin e kushtit të vullnetit të kërkuesve për datën e thirrjes së Kuvendit Kombëtar.

10-Nuk ka një organ administrues të procedurës së mbledhjes së formularëve, të hartimit të listës së përgjithshme të delegatëve, të lëshimit të mandateve të Kuvendit Kombëtar apo të drejtimit të fillimit të punimeve të tij.

11-Propozimet që i janë adresuar Kuvendit Kombëtar janë në kundërshtim me dispozitat statutore që rregullojnë ndryshimet e statutit.

12-Me miratimin e ndryshimeve statutore, pjesa e mbetur e vendimeve të marra nga Kuvendi Kombëtar nuk ishin më kompetencë e tij. Kuvendi i mbledhur duhet të shpërndahej e të mblidhej Kuvendi i ri sipas parashikimeve të Statutit të miratuar. Komisioni i Rithemelimit nuk ka tagra përfaqësimi në Gjykatë e për pasojë gjykata duhet të pushonte çështjen objekt gjykimi për mungesë legjitimiteti të kërkuesit.

13-Komisioni i Rithemelimit i është drejtuar gjykatës si përfaqësues pa pasur tagra përfaqësimi pasi venimi nr.6 datë 11.12.2021 është ratifikuar në datën 19.12.2021 ndërsa kërkesa drejtuar gjykatës ka qënë në datën 15.12.2021.

14-Gjykata nuk ka analizuar provat nga ana e formës dhe përmbajtjes dhe relaton në vendim fakte të cilat nuk përputhen me provat që i janë nënshtruar gjykimit apo fakte të cilave nuk u gjendet burimi i marrjes dijeni nga gjykata.

Lajm ne përditësim....

 

( Kliko ketu per te lexuar dokumentin e plote)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:50
Rekursi për vulën e PD, Basha: S’e pranojmë paligjshmërinë, vlerat e demokratëve s’mund të tregtohen  në pazarin e hallexhinjve të SPAK

1720890958_lulzimbasha.jpg

Lulzim Basha ka depozituar në Gjykatën e Lartë rekursin kundër vendimit të Apelit që i kaloi vulën Sali Berishës. Me anë të një postimi në Facebook, Basha shprehet se grupimi që ai drejton nuk do të pranojë paligjshmërinë.

Ai më tej shkruan se vlerat themelore të demokratëve nuk mund të tregtohen në pazarin e hallexhinjëve të SPAK.

“Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë, depozitoi sot rekursin ndaj vendimit skandaloz të 11 qershorit. Ne nuk e pranojmë paligjshmërinë, as nuk do lejojmë që padrejtësia të triumfojë.

Vlerat themelore të demokratëve nuk mund të tregtohen në pazarin e hallexhinjve të SPAK, partia e parë properëndimore e Shqipërisë nuk mund të jetë streha e problemeve personale të një individi në konflikt me perëndimin, votat e demokratëve nuk mund të përdoren për allishverishet mes qeverisë dhe teatëropozitës për t’i dhuruar pushtetin në tavolinë Ramës, duke mbyllur listat dhe duke shkatërruar Reformën Zgjedhore. Shqipëria meriton më shumë”, shkruan Basha.

Ora 19:22
Rekursi për vulën, Kthupi: Pa krijimin e një formacioni të ri politik është vendim shterpë, distancomi nga berishizmi duhet të jetë me akte konkrete

1717343810_rezartkthupi.jpg

Rezart Kthupi, një prej juristëve që ka hartuar dhe nënshkruar rekursin për vulën e Partisë Demokratike, ka reaguar në një postim në Facebook, ndërsa ka sqaruar qëndrimin e tij mbi këtë çështje. Bashkë me Indrit Sefën, Kthupi ka firmosur rekursin, ndërsa juridikisht thoëtse gjithnjë kanë shprehur bindjen se vendimi për dhënien e vulës Berishës ishte i padrejtë.

Kthupi shkruan se rekursi është një një detyrim ndaj betejës ligjore të dy viteve të fundit për të ruajtur në Partinë Demokratike frymën dhe idealet me të cilat ajo u krijua.

Por sipas tij, ushtrimi i rekursit pa krijimin e një formacioni të ri politik është një vendim shterpë. Kthupi shkruan se moskrijimi i një formacioni të ri politik, por kapja pas logos dhe vulës së PD është zgjedhja e me keqe e mundshme.

Sefa dhe Kthupi pas kalimit të vulës te Berisha janë pozicionuar me Alibeajn, ndërsa ky i fundit u distancua edhe nga Lulzim Basha. Mes rreshtave, duket se Kthupi ka edhe një mesazh për Bashën ku thotë se “që beteja të ketë qenë e sinqertë dhe të vijojë si e tillë distancimi nga berishizmi duhet të jetë me akte konkrete dhe jo vetëm me fjalë”

"Bashkë me kolegun dhe mikun Indrit Sefa në tre ditët e fundit hartuam, nënshkruam dhe depozituam rekursin kundër vendimit të Gjykatës së Apelit të datës 11 qershor 2024. Profesionalisht kemi vlerësuar gjithnjë se ky vendim është i padrejtë, i pabazuar në ligj dhe në kundërshtim me frymën dhe detyrat e lëna nga Gjykata e Lartë. Shkak tjetër për të vijuar këtë beteje ligjore është besimi që ne kemi në sistemin e drejtësisë dhe në aftësinë e shkallëve të ndryshme të tij për të arritur në një vendim të drejtë e të bazuar në ligj.

Politikisht e kemi thënë që ditën e parë, të gjithë dhe pa asnjë hezitim, që ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit, duhet dhe do të ushtrojmë rekurs. Ky është një detyrim ndaj betejës ligjore të dy viteve të fundit, detyrim ndaj betejës politike për të ruajtur në Partinë Demokratike frymën dhe idealet me të cilat ajo u krijua dhe si një detyrim ndaj të gjithë atyre me të cilët bashkudhëtuam, që na mbështeten dhe na frymëzuan.

Thënë kjo gjej rastin të shpreh edhe një herë qëndrimin tim në raport me çështjen e rekursit dhe krijimin e një formacioni politik. Mbetet opinion i imi i pandryshuar (i shprehur që në mbledhjen e Kryesisë të datës 11 qershor) që ushtrimi i rekursit pa krijimin e një formacioni të ri politik është një vendim shterpë dhe një qëndrim demotivues, demoralizues dhe dëmtues ndaj një grupimi që kishte deri në atë çast identitet politik, strukturor dhe programor.

Beteja ndaj berishizmit, e cila ishte motoja e betejës më shumë se 3 vjeçare pas 9 shtatorit, nuk ishte dhe nuk është beteja kundër individit Sali Berisha. Përkundrazi ishte dhe është beteja kundër një filozofie e mënyre të vepruari të tërë e cila është në kundërshtim me demokracinë, luftën kundër korrupsionit, kapjen e shtetit dhe të drejtësisë, oligopolin politiko - ekonomiko - mediatik etj. Në këtë këndvështrim përdorimi i të njëjtave mjete apo i të njëjtave rrugë nuk mund të sjellë një rezultat të ndryshëm. Moskrijimi i një formacioni të ri politik, sikundër bëri edhe Sali Berisha, por kapja pas logos dhe vulës së PD, dhe jo pas idealeve dhe identitetit politik të saj është zgjedhja e me keqe e mundshme.

Që beteja të ketë qenë e sinqertë dhe të vijojë si e tillë distancimi nga berishizmi duhet të jetë me akte konkrete dhe jo vetëm me fjalë, raportet me partnerët duhet të jenë të sinqerta dhe të bazohen në interesa dhe qëllime të përbashkëta dhe nuk duhen lënë hapësira që të interpretohemi si një zgjatim apo fraksion. Të gjitha këto të çojnë vetëm në një drejtim - drejt krijimit të një formacioni të ri politik.

Një formacion i ri politik është i vetmi veprim që krijon shanse që e shkuara të mos jetë edhe e ardhmja e Shqipërisë", shkruan Kthupi. 

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Muzeu Etnografik i Krujës hap dyert pas restaurimit, digjitalizim e ekspozita të reja për artefaktet! Financim i BE

Muzeu Etnografik i Krujës hap dyert pas restaurimit, digjitalizim e ekspozita të reja për artefaktet! Financim i BE