Ai doli sot para gjykatës për t'u njohur me pretendimet e prokurorisë , e cila i kërkoi gjykatës lënien në burg të biznesmenit fierak. I forti i Fierit rezultonte në listën e personave me kartelë të “kuqe”, pasi një mandat arresti është lëshuar nga autoritet italiane, që kërkon lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e tij në drejtim të shtetit italian.
Arben Isufi, është një emër i njohur në botën e biznesit dhe krimit në Shqipëri, por pas lirimit nga akuzat për vrasjen e Pirro Koçiut, nuk është arrestuar më nga Policia e Shtetit. Sipas akuzës në shtetin Italian, Arben Isufi është dënuar me 30 vite burg për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike, veprimtari kjo që është kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Dokumentat e Interpol
Një ndër provat kryesore që u përdor nga prokuroria e Tiranës gjatë seancës për caktimin e masës sigurisë ndaj Arben Isufit ishin disa dokumente të mbërritura në prokurori nga zyra e Interpolit. Sipas prokurorisë bëhet fjalë për disa dokumente të mbërritura nga Interpoli që konfirmojnë se shtetasi i arrestuar nga policia e Shtetit, është në kërkim ndërkombëtar dhe kërkohet nga drejtësia italiane.
Pikërisht ky dokumentacion tregon se Arben Isufi rezulton i dënuar me 30 vite burg për trafik droge në disa zona të ndryshme të Italisë. Pritet që brenda 40 ditëve autoritet italiane të sjellin pranë ministrisë së Drejtësisë kërkesën për ekstradimin e biznesmenit Arben Isufi, me qëllim vuajtjen e dënimit në Itali. Arrestimi i Isufit është kryer mbrëmjen e së dielës nga forcat RENEA.
Vrasja e Koçiut
Në vitin 2002, 12 vjet më parë, në një ditë të nxehtë gushti, në rrugën "Him Kolli" Tiranë, dy persona kanë qëlluar me armë ndaj Pirro Kociut, i cili sapo kishte zbritur nga shtëpia që kishte marrë me qira dhe jetonte. Shtatë plumba janë lëshuar mbi viktimën Pirro Koçiu, në mesditën e 12 gushtit të vitit 2002. Për këtë vrasje, policia nuk kishte autor, derisa gjeti prova për të arrestuar Isufin. Ky i fundit është arrestuar pasi në një gëzhojë të gjendur në vendin e ngjarjes gjatë ekspertimit në laboratorin shkencor është konstatuar një gjurmë gishti, që nga krahasimet sipas konkluzionit kishte ngjashmëri me gishtat e dorës së Arben Isufit.
Redaksia Online
(sg/d.d/shqiptarja.com)