Tirane- Mungesa e ish kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, si dhe i avokatit mbrojtës çoi në dështimin e seancës ku prokuroria do të lexonte konkluzionet përfundimtare për 4 të pandehur.
Gjyqtarja Elsa Ulliri shtyu seancë 12 nëntor ora 14.00, ku prokurori Sotir Kllapi do shpallë pretencën për shtetasit Vangjush Dako, Fiqiri Farruku, Fatmir Ejupi dhe Adrian Bulku. Avokati i ish kryebashkiakut, dy orë përpara seancës paraqiti në sekretarinë e gjykatës kërkesë për shtyrje për shkaqe shëndetësore.
Lidhur me këtë kërkesë, të dyja palët u dakordësuan që te shtyhej seanca, ndërkohë që prokurori u shpreh se i ka gati konkluzionet.
Dako ndodhet në masën “arrest në shtëpi”.
Dako akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, në dy raste. Njëri rast, ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë.
Dako u arrestua në muajin qershor të vitit 2023, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme dhe u la i lirë në shkurt të këtij viti, pasi SPAK nuk arriti të përfundojë hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve.