Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka hedhur poshtë lajmet që kanë qarkulluar këtë pasdite nëpër portale të ndryshme, se mësimi në shkolla do të shtyhet deri më datën 20 janar.
 
Në një prononcim për Report Tv Beqaj ka deklaruar se "nuk ka propozim për mbyllje të shkollave". 
 
Këtë pasdite portalet shkruan se arsimi parauniversitar, kopshtet dhe çerdhet do të mbylleshin deri më datën 20 janar për shkak të gripit.
 
Kujtojmë se shkollat, çerdhet dhe kopshtet nuk filluan normalisht mësimin pas pushimeve të festave të fundvitit për shkak të virusit të gripit.

Në këto kushte, çerdhet, kopshtet dhe shkollat pritet të nisin më datën 16 janar.

Ishin disa portale të cilët pasditen e kësaj të enjte, dhanë "lajmin" se shkollat do të mbyllen deri në datën 20 janar, me urdhër të ministrit të Shëndetësisë. Sipas tyre, shkak për shtyrjen e fillimit të mësimit ishte sterilizimi dhe dezinfektimi i klasave, pas përhapjes së epidemisë gripale.

Në fakt, gjithçka rezultoi e pavërtetë dhe është vetë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili hedh poshtë këtë urdhër të supozuar nga portalet dhe deklaron se mësimi do të fillojë të hënën e 16 janarit.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com