TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të martë (10 Janar), Zyrën Operacionale të Emergjencave Civile për të diskutuar mbi situatën më të fundit të motit dhe atë të gjendjes gripale në vend. Disa ministra raportuan situatën më të fundit përballë kreut të qeverisë.

Sa i përket situatës me gripin në vend, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj u shpreh se situata me gripin vijon të jetë e rënduar në vend, por ka një tendencë ndaljeje pas masave të marra. Beqaj tha se po vijon vaksinimi. Beqaj tha se shkaku i mbylljes së shkollave u bë për shkak se gripi përhapet nga grumbullimet.
“Duhet të sqarojmë se shkollat nuk u mbyllën për shkak të kushteve që kanë në to , njëra më e ngrohtë apo njëra më e ftohtë. Jo, sepse gripi përhapet ku ka grumbullim të madh të madh të njerëzve dhe ky ishte qëllimi. Të shmangim grumbullimet, ashtu sikundër këshillojmë që qytetarët të shmangin ambientet publike me grumbullime sepse vetëm kështu ruani veten në këto ditë kur epidemia e gripit ka rënë në vend”.

Shefi i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi bëri të ditur se bora dhe ngricat vijojnë të mbajën disa zona shumë të thella malore të izoluara, por strukturat përkatëse kanë punuar për të mbajtur hapur shumicën e akseve rrugore të hapura. Sipas Prençit, edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ndodhet në terren për t’u kujdesur për shpërndarjen e ndihmave në veshje e ushqime për banorët në zonat e prekura më tepër nga moti i keq.

Ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj shfrytëzoi momentin për t’u bërë apel banorëve në mbarë vendin që të përdorin zinxhirin në qarkullimin me makina në këto ditë të ftohta dimri.
“Ju lutem, ju lutem, përdorni zinxhirët, jo vetëm për veten tuaj, por dhe për pasagjerët, dhe ata që udhëtojnë krah jush. Shpëtoni jetë nëse i përdorni”.



Ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri nga ana e tij theksoi punën e madhe që po bëhet nga ana e OSSHE për mirëmbajtjen e rrjetit të elektricitetit këto ditë dimri. Sipas tij, punonjësit e OSSHE kanë rrezikuar dhe jetën për të përballuar situatat emergjente. Gjiknuri theksoi se situata do të vijë drejt përmirësimit, ndërsa shtoi se vendi nuk do të përballet me situata përmbytje.
“Nuk ka pse të hapim panik. Përmbytje nuk do të ketë. Në vija të përgjithshme nuk pritet avari apo ngjarje e jashtëzakonshme e furnizimit me energji. Tani dihet gjithmonë që kur moti i përkeqësuar me stuhi bore edhe do të ketë avari, por dhe në vend të mëdha ndodhin këto kur ka mot të keq. Ndërkohë që sistemi jonë energjetik kërkon ende përmirësim dhe sërish ne e kemi përballuar sitiatën”.