Rreziku i gripit ende nuk ka kaluar, madje ekziston mundësia që të rikthehet, edhe pse aktualisht numri i  pacientëve klinikë është në rënie.

Kjo u konfirmua  nga profesor infeksionist Pëllumb Pipero në studion e Report TV. Mundësia e rikthimit të gripit është e madhe, pasi vendi ynë e  ka pasur këtë eksperiencë.

"Rreziku nga gripi ende nuk ka kaluar. Kjo histori do jetë deri në fund të janarit, me numër më të kufizuar rastesh, por ne do të kemi raste relativisht të larta me grip, jo si në pik por duke rënë. Sepse nëse virusi pëson mutacion në mes, siç ka ndodhur në vitet e kaluara ka pasur një si rikthim të valës së gripit për shkak të ndryshimit të virusit gripal", u shpreh Pipero. 

Por parandalimi me anë të vaksinës, në rastin e rikthimit të gripit, duket se nuk do të funksionojë. Për këtë profesor Pipero sqaron se imuniteti i trupit është dobësuar.

"Edhe organizmi nuk ka imunitet por edhe vaksina nuk e njeh sepse edhe vaksina e prodhuar bazohet në virusin që qarkullon në atë stinor jo në virusin e ndryshuar potencialisht stinor" deklaroi profesori infeksionist Pëllumb Pipero në studion e Report TV. 

Sot pritet të përfundimet e buletinit javor nga Instituti i Shëndetit Publik për të bërë publike dhe të dhënat e situatës gripale, ku më herët është pranuar që ka një trend në rënie. 

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)