Një dëshmi e shkurtit 2013 e dhënë nga Denis Shtraza përpara oficerëve të policisë së Durrësit,ku akuzonte si autorë të tentativës së vrasjes së tij, Gazmend Çollakun dhe Elvis Doçin (ky i fundit pronar kazinosh dhe i ekzekutuar në tetor të 2013 në Tiranë), ka shërbyer si indicie nga hetuesit që të ngrejnë dyshime të forta se Shtraza ka gisht në rrëmbimi dhe më pas vrasjen e Çollakut në Durrës.

Në atë periudhë Shtraza,ka shpëtuar nga vrasja por është plagosur, krimi ky që siç duket është pasuar me një seri vrasjesh të tjera në Durrës dhe Tiranë. Denis Shtraza, që momentalisht është arrestuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si autor i dyshuar në vrasjen e 34-vjeçarit, në 4 shkurt të 2013 është plagosur me armë zjarri pistoletë.

Pasi ka marrë veten nga plagët, ai është marrë në pyetje nga policia kriminale, ku në rëfimin e tij Shtraza akuzonte Gazmend (Laert) Çollakun dhe Elvis Doçin si të përfshirë në këtë atentat të dështuar kundër tij. Policia e Durrësit ka hetuar në këtë orientim që i ka dhënë Shtraza, por në fund dosja është mbyllur për mungesë të provave dhe se ndaj Çollakut dhe Elvis Doçit të vrarë në Tiranë, nuk është ngritur asnjë akuzë.

Hakmarja për plagosjen
Mirëpo tre vite nga kjo plagosje, për të cilën Shtraza kishte akuzuar Gazmend Çollakun, është rrëmbyer në një lokal në Durrës dhe më pas vrarë në fshatin Muriqan-Krujë, ku trupi i tij është gjendur i lidhur këmbë e duar.

Policia e Durrësit menjëherë ka dyshuar se në këtë vrasje ka gisht Denis Shtraza, pasi në arkivën kriminale të saj, Shtraza akuzonte Çollakun se kishte marë pjesë në atentatin e dështuar kundër tij.

Aq më tepër që mes Çollakut dhe Denis Shtrazës, ka pasur fillimisht një miqësi, pasi të dy kanë qenë në të njëjtin burg, por më pas kjo miqësi është kthyer në armiqësi për shkak të pazareve dhe kapjes së linjave të drogës.

Atë mbrëmje Shtraza është lënë i lirë së bashku me ish-policin Ervin Dalipaj, ndërkohë në në 7 janar të dy janë zhdukur nga mbikqyrja e policies, por më pas është arrestuar vetëm Shtraza.

Të pandehur në gjyq
Prokuroria për Krime të Rënda ka dërguar për gjykim shtetasit Denis Shtraza dhe Ervin Dalipaj, të akuzuar për veprat penale “Rrembimin ose mbajtjen peng te personit“ e paraprirë ose e shoqëruar me tortura fizikike dhe kur është shkaktuar vdekja e tij”, e kryer ne bashkpunim, “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “Mbajtje pa të drejtë të uniformës”.

Këta dy shtetas akuzohen se, së bashku me dy persona të tjerë ende të paidentifikuar, në 6 janar 2016 kanë rrëmbyer dhe vrarë shtetasin Gazmend (Laert) Çollaku.

Fillimisht dy të dyshuarit janë shoqëruar menjëherë pas ngjarjes nga Policia Gjyqësore, por më pas janë lënë të lirë. Në vijim të hetimeve, Prokuroria ka siguruar prova të mjaftueshme për të ngritur akuzë ndaj këtyre dy shtetasve dhe mori miratimin e Gjykatës për Krime të Rënda për arrestimin e tyre.

Deri në përfundim të hetimit, nën arrest ka qenë vetëm i pandehuri Denis Shtraza. Ndërsa i pandehuri tjetër, Ervin Dalipaj nuk është gjetur ende.

Argumentat e prokurorisë
Në mënyrë të përmbledhur, Prokuroria për Krime të Rënda ka arritur në këtë përfundim, bazuar në sa më poshtë: kur midis shtetasve Denzi Shtraza dhe Lart Çollaku egziston një konflikt, pasi ka dyshime se ky i fundit ka tentuar të vrasë Denizin në vitin 2013; kur dy shtetasit nën hetim Ervin Dalipaj dhe Deniz Shtraza janë shoqëruar nga policia vetëm 3-4 orë pas rrëmbimit dhe vrasjes së shtetasit Lart Çollaku me mjejtin tip Benz Ml, me ngjyre te zeze me targa AA671MZ, në pronësi të Ervinit, ku janë gjetur gjurmë gjaku të njëjta me ato që janë gjetur në vendgjarje dhe në rrobat e viktimës; kur ky mjet në datën 06/01/2016 është përdorur vetëm nga shtetasi nën hetim Ervin Dalipaj dhe në orët e pasditës dhe mbrëmjes së kësaj ditë kanë qënë vetëm me shtetasin nën hetim Deniz Shtraza;kur të dy shtetasit nën hetim pranojnë që gjatë datës 06/01/2016 në orët e pasdites dhe mbrëmjes kanë qëndruar së bashku por në deklarimet e tyre kanë kontradita të qarta dhe të shumta lidhur me oraret e takimit dhe lëvizjes, vendet e ku kanë shkuar dhe me cilët janë takuar në Tiranë, të paarsyeshme për veprime të kryera vetëm disa orë para deklarimit; kur të dy shtetasit nën hetim deklarojnë se nuk kanë asnjë dijeni se të kujt janë 9 aparatet celularë të gjendur në mjetin e Ervinit, në xhepin e derës së pasagjerit ku ka qënë duke qëndruar Denizi; rezulton i provuar fakti se në bagazhin e mjetit në pronësi të shtetasit nën hetim Ervin Dalipaj ku ka qënë të paktën dhe shtetasi nën hetim Deniz Shtraza është vendosur dhe më pas është vrarë shtetasi Lart Çollaku.

Pra rezultoi e provuar se shtetasit nën hetim Ervin Dalipaj dhe Deniz Shtraza në bashkëpunim midis tyre dhe në bashkëpunim dhe me dy persona të tjerë, ende të paidentifikuar, kanë rrëmbyer shtetasin Laert (Gazmend) Çollaku, e kanë lidhur në këmbë dhe duar me fasheta të zeza, e kanë transportuar si fillim me një mjet tip “Audi”, për në fshatin Murqin të Krujës dhe e kanë vrarë me armë zjarri, duke konsumuar në këtë mënyrë veprën penale të “Rrembimin ose mbajtjen peng te personit“ e paraprirë ose e shoqëruar me tortura fizikike dhe kur është shkaktuar vdekja e tij”,e kryer në bashkpunim dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje te armeve luftarake”.

Po ashtu shtetasit nën hetim Ervin Dalipaj në datën 06/01/2016 reth orës 23 :40 kur është shoqëruar nga Policia e Durrësit i është gjetur dhe sekuestruar një një dokument me nr. xxxxx i lëshuar nga Drejtoria e Policisë Tiranë dhe një stemë metalike me mbishkrimin «Policia» të cilat i mbante pa lejën e organeve kopetente. Ky shtetas ka qënë punonjës i policisë nga viti 2000 deri në vitin 2012 kur është liruar. Në këtë mënyrë ka kansumuar veprën penale të “Mbajtjes pa të drejtë të uniformës”.


dy.b/shqiptarja.com