Më 18 maj do t'i nisin punën pjesërisht edhe baret e restorantet. Ato do të duhet të respektojnë protokollin e kuq, do të zhvillojnë aktivitetin vetëm në ambientin e hapur, për pagesë do të përdoret kartë krediti, duhet respektuar distanca dy metra nga tavolina në tavolinë si dhe duhet dezinfektim 2 herë në ditë.

Për kreun e Shoqatës së Restoranteve Turistike, Kujtim Dervishi protokolli do të zbatohet por do të rrisë ndjeshëm kostot. Kërkesa e vetme e tyre është zgjatja e fashës orare.

“Sigurisht që do të rrisin kostot dhe kjo ka një kosto domethënë shtesë për gjithë rrjetin e turizmit në Shqipëri, e kryesisht për restorantet për procesin e higjienizimit për dezinfektimit që janë masa shtesë që duhen zbatuar me përpikmëri. E vetmja kërkesë që bën shoqata e restoranteve është të shtyhet fasha e hapjes së restoranteve sepse në atë orar nuk do të funksionojnë. Restorantet turistike janë të prekur 100% sepse këto dy muaj humbjet janë shumë të mëdha në shifra”, thotë Dervishi.

Ndërkohë nga ana tjetër Dervishi thotë se janë optimist se sezoni turistik i këtij viti do të shpëtojë pasi vendet e rajonit do të zgjedhin Shqipërinë pasi është më pak e prekur nga COVID-19.

 “E veçanta e turizmit këtë vit mendoj që do të jetë turizmi shqiptar pasi qytetarët do të vizitojnë vendet turistike shqiptare dhe kjo do të jetë risi për këtë vit. Ne nuk pretendojmë turizmin e vitit të kaluar, por do të mundohemi që të kapërcejmë këtë situatë sepse do të ketë fluks turistik nga vendet fqinje Kosova, Maqedonia  do të synojnë Shqipërisë pasi është prekur më pak se vendet evropiane nga COVID”, shprehet Kujtim Dervishi.

Sa i takon faktit që shumë biznese të mëdha nuk kanë aplikuar për ndihmën financiare prej 40 mijë lekësh për punonjësit e tyre, Dervishi thotë se kjo ka qenë paqartësi e fillimit por që është zgjidhur, ndërkohë që pranon faktin që gjatë kësaj kohe ka pasur shumë largime nga puna.

Sipas shoqatës aktualisht janë rreth 1300 restorante turistike dhe bujtina që do të nisin punën të hënën e ardhshme, dhe që për 2 muaj kanë qenë të mbyllura.